E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita proteston në Vlorë, Rama: Berisha la shqiptarët në baltë

VLORË- Opozita e Bashkuar ka rinisur pasditen e sotme protestat në qytetin e Vlorës. Pas protestës së 6 dhjetorit në Pogradec dhe asaj të 14 dhjetorit në Durrës, ‘Opozita e Bashkuar’ u shpreh e bindur se “protestat do të jenë të pandalshme për të çliruar vendin nga kthetrat e oborrit të korrupsionit”.

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama përpara simpatizantëve të qytetit të Vlorës akuzoi kryeministrin Berisha se ka dështuar me qeverisjen e tij, duke i lënë shqiptarët në baltë, sic u shpreh ai. “Shqiptarët po varfërohen. Berisha ka dështuatr duke i lënë ata në baltë”,- tha Rama.
Duke deklaruar se kryeministri i këtij vendi nuk e lë popullin të zgjedhë, Rama deklaroi se ende ekziston shpresa për “të besuar në një Shqipëri Europiane".

Rama i kërkoi qeverisë aktuale të përballet me krimin elektoral, sic u shpreh ai, pasi “jemi këtu për transparencën e zgjedhjeve”.
“Opozita e bashkuar është më e fortë se kurrë”,- shtoi më tej kryesocialisti, - prandaj i duhet opozita shqiptarëve, që të largojë Berishën”,- theksoi Rama.

Kreu i PBDNJ Vangjel Dule i pranishëm në këtë protestë u shpreh se duhet të bëhen zgjedhje të reja pasi vendi është mbërthyer nga kriza, ndërsa njerëzit i kanë mbytur hallet. “Në një kohë që vendi është mbërthyer nga një krizë e madhe, ku njerëzit janë të zhytur në halle, kryeministri dhe qeveria janë më të papërgjegjshëm se kurrë, prandaj vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja”,- u shpreh Dule nga Vlora.

Protestës së opozitës iu bashkuae edhe Kreu i PDS, Paskal Milo, i cili i bëri thirrje vlonjatëve të rrëzonin këtë qeveri pasi, sic tha ai “me Berishën nuk ka demokraci.

Ndërsa Nard Ndoka, kreu i PDK-së i nga qyteti bregdetar lëshoi akuza në drejtim të qeverisë, duke thënë se “Në Shqipëri nuk ka shtet, qeveria është e paaftë”. Sipas tij duhet larguar ky kryeministër që “vodhi votat dhe kënetëzoi Shqipërinë”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›