“Opozita shqiptare është kthyer me këmbë në tokë”

Astrit Patozi, komenton paktin PD-PS
Kryetari i grupit parlamentarë i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, e konsideroi marrëveshjen e arritur midis maxhorancës dhe opozitës dy ditë më parë më produktiven e arritur ndonjëherë.
Palët ranë dakord të ngrenë një komision të posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore, Reformës së Kuvendit dhe agjendën për ligjet me shumicë të cilësuar. Kreu i deputetëve të PD-së sqaron se marrëveshja u arrit mbi bazën e parimeve dhe jo në bazë të ofertave për ndarje pushteti.
“Kjo është një marrëveshje tërësisht parimore, e cila nuk prek asnjë qelizë të pushtetit. Pra, nuk ka asgjë që dhurohet në tavolinë, është një marrëveshje tërësisht principiale e arritur mes palëve. Me sa duket, opozita shqiptare është kthyer me këmbë në tokë”, theksoi Patozi.
Sipas vendimit të miratuar me konsensusin e dy palëve komisioni për reformën zgjedhore ka për detyrë hartimin e amendamenteve sipas rekomandimeve të raporteve të OSBE–ODHIR-i për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2011. Anëtarësia e Komisionit formohet me pjesëmarrjen e partive parlamentare, me përbërje të barabartë mes shumicës e pakicës, sipas përbërjes së përcaktuar në këtë vendim. Përbërja e Komisionit është: PD 2 anëtarë, LSI, PR dhe PDIU nga 1 anëtar secila; opozita: PS 4 anëtarë dhe PBDNJ 1 anëtar.