E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët kasnecët të Edi Ramës te Ligjet tentojnë të prishin konsensusin e arritur

16-11-2011 / Gazeta 55

Komisioni Parlamentar i Ligjeve diskuton mbi disa ndryshime në Kodin Rrugor

Deputetët kasnecë të Edi Ramës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve tentojnë të prishin konsensusin e një dite më parë. Qëndrimi i deputetëve socialistë dje në Komisionin e Ligjeve, ndërsa binte ndesh me konsensusin e arritur një ditë më parë, nga partitë parlamentare, përbënte në vetvete edhe një standard tjetër, të ndryshëm nga qëndrimi i kolegëve të tyre, në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, i cili miratoi dje me konsensus disa ndryshime në Kodin Detar, Kodin Ajror dhe Kodin Hekurudhor, të cilat kërkojnë 3/5 e votave në Parlament.
Dje, në Komisionin e Ligjeve nisi shqyrtimi i drafteve që kërkojnë shumicë të cilësuar votash. Kjo do ishte edhe prova e parë e funksionimit të marrëveshjes së arritur një ditë më parë mes PD-së dhe PS-së.
Në mbledhjen e djeshme Komisioni i Ligjeve diskutoi mbi disa ndryshime në Kodin Rrugor, ndërsa deputetët e PS-së kërkuan që për këtë projekt ligj të pyeten edhe ekspertët e Ministrisë së Transporteve. Në mbledhjen e djeshme socialistët e kushtëzuan miratimin e tij duke kërkuar që të dëgjoheshin më parë dhe grupet e interesit, si dhe tri ndryshimet në Kodin Rrugor të përmblidhen në një vetëm. Nga ana tjetër, deputetët e Partisë Socialiste në komision propozuan që për këto ligje të ndiqet një procedurë e veçantë, pasi miratimi i tyre nuk duhet të jetë thjesht ngritje kartonësh, por duhet të zhvillohet një proces sa më i plotë dhe në respekt të vendimeve të marra një ditë më parë në Konferencën e Kryetarëve.
Mazhoranca në këtë komision nuk e ka pranuar propozimin e PS, sipas të cilës shqyrtimi i ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave në parlament të kalojnë sipas një procedure të veçantë.
Kërkesa e Xhafajt është lexuar ndryshe nga kreu i komisionit Ilir Rusmali, i cili vuri në dyshim marrëveshjen e arritur mes palëve. “Konferenca e Kryetarëve me unanimitet hodhi poshtë tentativën për t’i imponuar Kuvendit procedurat përjashtimore. Le t’i qëndrojmë marrëveshjesh së bërë”,  tha Rusmali, kryetari i Komisionit të Ligjeve.
Deputetët e Partisë Demokratike në komision u shprehën optimistë për arritjen e marrëveshjes me palën tjetër, për sa i përket ligjeve me 3/5, duke theksuar se besojnë te vullneti i palëve.
Kreu i këtij Komisioni, Ilir Rusmali deklaroi se ky projektligj për ndryshimin në Kodin Rrugor është miratuar me votë unanime më herët.
Deputeti i majtë, Fatmir Xhafa tha se shqyrtimi i kodeve, është i nxituar. Ai tha t’i mbledhim tre ndryshimet e Kodit Rrugor në një. Deputeti socialist Fatmir Xhafa, kërkoi që për këto projektligje të ketë një relator nga të dyja palët. Por për kreun e komisionit të ligjeve Ilir Rusmali, kërkesa për relator nuk është proceduriale.
“Të caktohet një relator seance por jo relator për projektin”, është shprehur Rusmali, duke kërkuar më mirë shtyrjen për shqyrtimin e draftit se sa ndryshimin e procedurave. Një ditë më parë Konferenca e kryetarëve e grupeve parlamentare, mes të tjerash arriti konsensus për axhendën e ligjeve me shumicë të cilësuar, duke vendosur rishqyrtimin e tyre me kalendarë trejavore dhe në përputhje me rregulloren parlamentare. Kështu për kalendarin e parë trejavor, 14 nëntor-7 dhjetor 2011, do të rishqyrtohen në komisione kodi hekurudhor, kodi ajror, kodi detar si dhe kodi rrugor. Ndërkohë, projektligjet e tjera të mbartura për rishqyrtim dhe miratim, do të përfshihen në programin e ri të punës së Kuvendit për sesionin e ardhshëm parlamentar, me synim që shqyrtimi dhe miratimi i tyre të përfundojë brenda muajit mars 2012.
Ndërkaq Komisioni i Ligjeve, ka vendosur që shqyrtimi i Kodit Rrugor të vijojë të hënën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›