Opozita, si pengesë e aspiratave të integrimit të Shqipërisë
Partia Socialiste sot dominohet më së shumti nga pasardhës të nomenklaturës komuniste. Emrat e tyre janë të njohur për opinionin publik pasi, ashtu siç kanë dominuar dhe orientuar aktivitetin politik të regjimit hoxhist, të njëjtën gjë po bëjnë edhe sot e kësaj dite, duke keq-orientuar partinë e transformuar nga PPSH në PSSH. Instrumentalizimi i sjelljes politike opozitare në funksion të bllokimit të aspiratave të integrimit me qëllim largimin e Shqipërisë nga perëndimi, nuk është një ndodhi surprizë veç faktit që në vazhdimësi PS ka synuar të pengojë me çfarëdolloj formash dhe mekanizmash që ka në dorë, bërjen e reformave.
Prej 3 vitesh Shqipëria pret të marrë statusin e vendit kandidat. Por më parë duhet të bindë kancelaritë perëndimore rreth zbatimit të 12 rekomandimeve të cilat në rastin konkret duan vullnet politik dhe zotim të qeverisë për të qenë e gatshme drejt hedhjes së hapit madhor nga hartimi i ligjit zgjedhor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimi i sistemit të drejtësisë etj,. Angazhimi institucional i mazhorancës nuk ka munguar pasi ishte kjo qeveria që iu drejtua Brukselit 3 vjet më parë, duke dorëzuar kërkesën për statusin. Por, ajo që i mungonte Shqipërisë ishte një opozitë bashkëpunuese dhe frytdhënëse në përmirësimin e kuadrit ligjor në tërësi për reformat e kërkuara.
Përveç miratimit konsensualisht të reformës zgjedhore, draft i cili kaloi në parlament me shumicën e anëtarëve të Kuvendit (127 vota), nga ana tjetër ligji për Gjykatën e Lartë mbeti në sirtarët e Kuvendit në pritje të vetëndërgjegjësimit të opozitës. Po ashtu, miratimi i disa ligjeve me 3/5 nga muaji Shkurt i këtij viti, përfshirë edhe Gjykatën Administrative, të cilat kaluan edhe me votat e opozitës, nuk është sërish esenca e një opozite bashkëpunuese, për sa kohë jo më larg se 3 javë më parë e shndërroi në “Kalë Beteje” heqjen e imunitetit.
Gjithsesi, sesioni i ri parlamentar pritet që sërish në krye të axhendës të ketë diskutimet rreth imunitetit, ku nuk parashikohet mundësia referendare e tij, ku do jetë vota e qytetarëve përcaktuese nëse këshillit të miliarderëve të PS do i hiqet apo jo mburoja e imunitetit.