E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita vazhdon bojkotin e Kuvendit, PD: Fosilet e komunizmit flasin me gjuhën e parimeve demokratike

Mazhoranca dënon bllokimin e rrugëve nga ekstremistët socialistë


Partia Socialiste s’ka marrë pjesë as dje në seancën plenare të radhës. Bojkoti i vendosur para dy javësh, krahas nisjes së protestave dhe grevës së urisë, riktheu në krye të axhendës politike të Edi Ramës, shpërfilljen e legjislativit, vendin e debatit dhe dialogut. Në këto kushte, i tmerruar nga përballja e vërtetë e palëve, Edvini ka si synim parësor të optikës politike të fshihet pas ‘shkurreve’ të absurditetit të tij dhe turmës së hutuar të ndjekësve servilë. Kësisoj, nuk ka asnjë shpjegim tjetër për sjelljen dhe lëvizjen e Edi Ramës, jashtë çdo funksioni institucional, pavarësisht se vendi ka të tjera pretendime, siç është liberalizimi i vizave dhe marrja e statusit kandidat. është e paprecedentë, që krahu më i rëndësishëm politik i opozitës, t’i kundërvihet qeverisë dhe institucioneve të saj, me disa kërkesa tymnaja të rëndomta dhe jashtë kontekstit ligjor. Fatkeqësisht krizën personale Edvinit, nuk ia kuron dot mazhoranca, protestuesit, grevistët dhe as komuniteti ndërkombëtar, i cili prej kohësh e ka flakur lidershipin e opozitës, duke mos njohur funksionalitetin e lëvizjeve politike. Në fjalën e tyre në Kuvend, deputetët Edi Paloka dhe Sokol Olldashi deklaruan se protesta dhe greva e urisë së Edi Ramës, është imorale. “Dalin e deklarojnë se po bëjmë dush poshtë zyrës së Sali Berishës. Nuk e di a ka ndonjë burrë në Shqipëri që ta shohë gruan e tij në televizor duke thënë ‘po bëj dush poshtë zyrës së Sali Berishës’ edhe të ndihet i lumtur”- tha deputeti dhe ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Ndërsa deputeti Paloka tërhoqi vërejtje se grevistët turistë nuk është fort për t’u qarë hallin, pasi hanë ushqehen rregullisht. Sipas tij, në një kohë që Kuvendi mban seancën e radhës, fosilet e komunizmit, Skënder Gjinushi dhe Namik Dokle, flasin në bulevard për ideale dhe parime demokratike. “S’është për tu qarë hallin grevistëve dhe grevisteve turistë. Nga krahu tjetër dy fosile të komunizmit nuk folën aq ëmbël sa po sillemi ne me grevën. Skënder Gjinushi dhe Namik Doke, dy nga fosilet e komunizmit, flasin në emër në parimeve dhe akuzojnë shumicën se nuk e do demokracinë dhe se nuk jemi aq tolerantë sa duhet”- u shpreh Edi Paloka. Ai vuri në dukje gjithashtu se lëvizjet e Edi Ramës, nënkuptojnë tentativë të pastër për marrje të pushtetit me dhunë.


Mazhoranca dënon bllokimin e rrugëve nga ekstremistët socialistë Shumica parlamentare reagoi ashpër dje ndaj sulmeve guerile të simpatizantëve të Edvinit, ndaj akseve kombëtare në mbarë vendin. Deputeti i selisë blu për qarkun Korçë, Edmond Spaho tha se ngjarja e dy ditëve më parë në qytetin juglindor, është mirëfillti veprimi më rrugaçëror i PS-së dhe njerëzve të Edi Ramës. “Ajo që e dallon ngjarjen e Korçës është sjellja prej rrugaçësh e deputetëve të PS që e udhëhiqnin atë. Me qëndrime ‘hidh gurin dhe fshih dorën’ duke u fshehur pas një imuniteti parlamentar dhe me fjalë fyese e sharje banale në adresë të policisë dhe drejtuesve të saj ata u përpoqën të provokojnë forcat e saj për të luajtur më pas rolin e viktimës”- u shpreh deputeti Edmond Spaho. Deputeti demokrat vuri në dukje se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është të sajojë përshtjellim në mbarë vendin, duke provokuar nervat e qytetarëve shqiptarë, përmes bllokimit të akseve kombëtare. Spaho e konsideroi sjelljen e opozitës përmes protestave dhe grevës, si indice për marrjen e pushtetit me dhunë, siç edhe ka paralajmëruar Edi Rama, për mosbindje civile.


Gerti Bogdani: Kriza e një shqiptari të vetëm po cenon aspiratën e integrimit Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani e nisi fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, duke deklaruar se kriza e pretenduar është vetëm tek një njeri i vetëm, Edvin Rama. Bogdani tha se përmes protestave dhe grevës, Rama përpiqet të errësojë ëndrrën evropiane të shqiptarëve, përpiqet të mbajë në këmbë murin e izolimit të Shqipërisë me botën e jashtme. “Kriza personale e një shqiptari të vetëm, nuk bllokon thjesht qarkullimin në Tiranë apo gjetiu, nuk dëmton thjesht jetën e përditshme të çdo qytetari të Tiranës, por përpiqet të cenojë çështjen e shqiptarëve mbarë, procesin e integrimit, përpiqet të errësoje ëndrrën europiane të shqiptarëve, përpiqet të mbajë në këmbë murin e izolimit dhe të pengojë liberalizimin e vizave, përpiqet të hedhë baltë mbi imazhin e vendit të tij. Por, fatmirësisht, është e qartë për cilindo që ka sy të shohë, që këto veprime të papërgjshme, mbeten thjesht përpjekje, sepse fati i një kombi nuk mund të cenohet nga një njeri i vetëm, rruga e nisur nuk mund të pengohet nga një individ i vetëm, e ardhmja e shqiptarëve nuk mund të errësohet nga papërgjeshmëria e një shqiptari të vetëm”- u shpreh deputeti demokrat, Gerti Bogdani. Ai vuri në dukje se Shqipëria sot është në rrugën e duhur drejt familjes se madhe Europiane, në ndërtimin e së cilës, siç historia dëshmon, shqiptarët kanë dhënë kontributin e tyre ndër shekuj.


Lefter Maliqi: Ngjela, fotokopje e shëmtuar e Marko Panellës, Ndoka një i pa shkollë I ashpër në qëndrimin e tij ishte edhe deputeti i PD-së për qarkun e Beratit, Lefter Maliqi, i cili nga foltorja e Kuvendit, sulmoi drejtpërdrejt ish pjesëtarët e së djathtës Spartak Ngjela dhe Nard Ndoka, duke e quajtur të parin si mosmirënjohës dhe kopje të shëmtuar të radikalistit biseksual Marko Panella, ndërsa të dytin, thjesht një të pashkollë. Maliqi akuzoi edhe Preç Zogajn, edhe ky një ish deputet i Partisë Demokratike, si mos mirënjohës i kësaj force politike, ndërsa aktualisht mbështet kokën te gjethja e Ramës. “Ngjela, fotokopja e shëmtuar e Marko Panellës erdhi tek PD-ja, mosmirënjohës. Tani mbështet kokën tek gjethja e Ramës. Marrim Preç Zogajn, ka vetë deklaruar se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit se ka qenë i vogël. Përsëri edhe ai me gjethen e Ramës. Marrim Ndokën, i gjashti i heronjve të Vigut. Ata 5 nga Shkodra se atyre të 5 u vjen anash ai se ishin trima dhe kaluar trimave... po i pashkollë”- u shpreh deputeti Lefter Maliqi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›