Berisha-Faith: Shqipëria, ndryshime rrënjësore vitet e fundit
Kryeministri Sali Berisha ka takuar gjithashtu dje përfaqësuesin e BE-se dhe Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Piter Faith. Faith u shpreh i impresionuar për ndryshimet e bëra në Shqipëri, që nga vizita e tij e fundit, në vendin tonë.
Ai vlerësoi kontributin e Kryeministrit Berisha në zhvillimin e vendit, dhe u shpreh se është shumë i rëndësishëm fakti se Shqipëria ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol stabilizues në rajon.
Zoti Faith përgëzoi për projektet madhore të realizuara në vend, me impakt të rëndësishëm, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, si në rastin e rrugës Durrës –Kukës.
Shefi i Zyrës Civile dhe Ndërkombëtare, zoti Piter Faith u shpreh se nga dita në ditë, Kosova po zhvillohet, institucionet e saj po konsolidohen dhe se po punohet për njohjen e pavarësisë, për stabilitetin dhe progresin e vazhdueshëm te vendit. Në këtë kontekst, Zoti Faith theksoi se Zyra Civile ndërkombëtare po punon ngushtësisht në përkrahje të institucioneve kosovare, në drejtimin të afrimit të Kosovës drejt BE-së.
Gjithashtu zoti Faith u shpreh Zyra ndërkombëtare civile është duke punuar për njohjen më të madhe të Kosovës, për pranimin e saj, në institucionet ndërkombëtare dhe konsolidimin e Kosovës, si shtet i pavarur.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falënderoi Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, zotin Piter Faith, për vizitën e tij në Shqipëri dhe shprehu falënderimet e tij, për kontributin që Zyra Civile Ndërkombëtare ka dhëne për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
Kryeministri theksoi se tashmë u vërtetua se pavarësia e Kosovës ishte shumë e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin ne Ballkan. Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se Kosova duhet të punojë në vazhdimësi, për njohjen e pavarësisë, edhe pse tashmë pavarësia është e pakthyeshme.
Topalli-Feith: Shqipëria, lobim të shkëlqyer për njohjen e pavarësisë së Kosovës/Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli i dërguari i BE për Kosovën, Peter Faith tha se Shqipëria po bën lobim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur mirënjohjen për gjithë mbështetjen e vazhdueshme të parlamentit dhe qeverisë së Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit tha se vlerësojmë punën e institucioneve të Kosovës dhe i shprehu zotin Faith vlerësimin për punën dhe kontributin e tij personal dhe të dhe misionit të BE-së në Kosovë, si një kontribut shumë i rëndësishëm. Faith dhe Kryetarja e Kuvendit ndanë vlerësimin se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe se, nga Shqipëria ashtu si edhe nga miqtë Europianë po bëhen të gjitha përpjekjet për rritjen e numrit të vendeve që njohin shtetin e ri. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit tha Shqipëria është në momente kur pret heqjen e vizave. Parlamenti ka miratuar të gjitha ligjet që janë pjesë e detyrimeve. Duke u ndalur në reformat e bëra në Shqipëri, kryetarja e Kuvendit tha se procedurat online dhe dixhitalizimi, ka bërë që lufta ndaj korrupsionit të jetë efikase dhe Shqipëria të ngjitet në klasifikimin e Transparency International.