Opsione për zgjidhjen e krizës së gjakut
Para disa ditësh, shëndetësia shqiptare u përball me krizën e radhës, atë të mungesës së gjakut për transfuzion. Drejtuesit e shëndetësisë dhe familjarët e pacientëve (kryesisht fëmijë të prekur nga talasemia ose drepanocitoza) treguan edhe njëherë për median që sasitë e disponueshme të gjakut arrijnë të përballojnë vetëm një pjesë të nevojave duke rrezikuar kësisoj shëndetin e nevojtarëve të vegjël. Si shkak i krizës u identifikua pamjaftueshmëria e dhuruesve jo vetëm vullnetarë, por edhe me pagesë, si dhe iu bë thirrje qytetarëve për dhurim të indit të çmuar.
Në fakt rënia e numrit të dhurimeve të gjakut është vetëm njëra anë e problemit; ana tjetër lidhet me rritjen e nevojës për gjak. Si rezultat i skemave të reja të mjekimit të talasemisë, jetëgjatësia e pacientëve është rritur ndjeshëm duke e kthyer sëmundjen dikur fatale në një sëmundje kronike me dekurs prej disa dekadash. Fatkeqësisht, nuk janë hedhur hapat e duhur në drejtim të parandalimit të lindjes së fëmijëve talasemikë nëpërmjet depistimit të bartësve, këshillimit gjenetik dhe diagnozës intra-uterine. Si pasojë, çdo vit në Shqipëri lindin dhjetëra fëmijë të prekur nga talasemia, çka do të thotë disa dhjetëra klientë të rinj të shërbimit të transfuzionit të gjakut. Problemi bëhet i vetë evidentueshëm – nevoja për gjak rritet nga viti në vit, ndërsa sasitë e dhuruara dhe të blera sa vjen dhe ulen. Kjo situatë gjeneron vetëm kriza të cilat riakutizojnë një problem tashmë kronik të sistemit tonë shëndetësor.
Import apo...
Përkundrejt kundërshtive të mjaft prej specialistëve të fushës, para pak vitesh Ministria e Shëndetësisë propozoi dhe Parlamenti miratoi një ligj që lejon importin e gjakut. Nuk dihet sa efektiv ka qenë ligji për importimin e nënprodukteve të gjakut, por, me shumë gjasa, ai nuk ka ndihmuar në importimin e asnjë njësie të vetme gjaku. Kjo për vështirësitë që ka importimi i gjakut nga vendet të cilat japin garanci për sigurinë e tij dhe për çmimin tepër të lartë që shkon deri në 150 euro për njësi. Madje vështirësia në sigurimin e gjakut nga vendet e besueshme është më e madhe sesa vetë çmimi i lartë.
Në këto kushte rrjedh natyrshëm opsioni i parë për zgjidhjen e krizës së gjakut, të cilin duhet ta kishin shfrytëzuar prej kohësh drejtuesit e shëndetësisë. Në vend që të mendohej për import të gjakut kundrejt çmimit 150 euro për njësi, duhej tentuar blerja në vend e gjakut kundrejt (le të supozojmë) një çmimi prej 100 euro. Në se personat që dje kanë shitur gjak një herë në tre muaj nuk tërhiqen më prej çmimit disa dhjetëra euro për njësi, ata dhe shumë dhurues të tjerë potencialë me pagesë do të tërhiqen nga çmimi i ri. Bazuar në logjikën thjesht ekonomike çmim-ofertë-kërkesë, kjo do të shoqërohej me rritje të ndjeshme të njësive të blera.
Përveç përfitimit në çmim (diferenca “çmim i gjakut të importuar” minus “çmim i ri i gjakut vendas”), ka edhe përfitime të karakterit shëndetësor si garantimi në laboratorët tanë për sigurinë e gjakut dhe koha e shkurtër nga blerja deri tek përdorimi. Për të mos rënduar financat e shtetit, kjo masë mund të aplikohet vetëm për periudha të caktuara kohe, si p.sh. gjatë verës kur mungesa e operacioneve të planifikuara dhe pushimet verore bëjnë që dhurimet të arrijnë kuotën minimale.
Dhurimi vullnetar
Ndonëse kanë kaluar vite me rezultate aspak të kënaqshme, në veprimtarinë promovuese të dhurimit të gjakut nuk po kapërcehen klishetë tradicionale. Dhurimet publike nga ana e deputetëve, zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, studentëve dhe ushtarakëve, posterat dhe fletëpalosjet, leksionet në shkolla, artikujt promocionalë dhe problematikë në media dhe veprimtari të tjera të ngjashme janë shumë pak për të bërë të mundur sigurimin e gjakut prej dhurimit vullnetar.
Ajo çka duhet kuptuar së pari, është përse-ja e “shurdhërisë” publike ndaj daulles së alarmit të drejtuesve të shëndetësisë dhe nevojtarëve për gjak. Dhurimi i gjakut është parë deri tani thjesht si një akt bamirësie dhe shprehje e ndërgjegjes sociale. Në fakt, ai duhet parë në një këndvështrim shumë më bashkëkohor – atë të një aleance midis dhuruesve të gjakut dhe sistemit shëndetësor. Kjo aleancë nuk është arritur të krijohet në Shqipëri për një arsye tepër të thjeshtë. Qytetari që e konsideron sistemin shëndetësor kaotik, të korruptuar dhe jo të besueshëm, nuk e ndjen obligimin moral për të kontribuar vullnetarisht as edhe në përmirësimin e këtij aspekti kaq të rëndësishëm të sistemit.
Rrugëzgjidhjet edhe në këtë rast janë të larmishme dhe variojnë nga shfrytëzimi i plotë i kapacitetit promovues të rrjetit të qendrave të dhurimit të gjakut (si p.sh. duke e lidhur shpërblimin e punonjësve me numrin e njësive të gjakut të grumbulluara), autonomizimi ose privatizimi i rrjetit të promocionit (pse jo edhe i rrjetit të qendrave të dhurimit të gjakut) dhe motivimi i dhuruesve vullnetarë duke i afruar atyre përfitime konkrete nga statusi i dhuruesit.
Parandalimi parësor
Gjithsesi, fokusi i ndërhyrjeve për të racionalizuar përdorimin e gjakut duhet të mbetet parandalimi parësor i talasemisë me synim që të lindin sa më pak ose aspak fëmijë të prekur nga ky problem i rëndë shëndetësor. Një program i tillë nuk ka nevojë të hartohet nga hiçi, sepse vendet mesdhetare si Qipro, Izraeli dhe rajoni i Sardenjës në Itali kanë ideuar dhe zbatuar programe efikase për çrrënjosjen e talasemisë, çka ka bërë që në këto vende praktikisht të mos lindin më talasemikë të rinj.
Prej vitesh, drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë presin një projekt të huaj që të financojë programin e plotë të eliminimit të talasemisë. Në një kohë kur mendimi teknik vendas dhe i huaj ka argumentuar domosdoshmërinë imperative të fillimit të këtij programi, pritja është e pajustifikuar. Nga njëra anë, drejtuesit e sistemit të shëndetësisë duhen përgëzuar për bujarinë në alokimin e fondeve që bëjnë të mundur sigurimin e preparateve jetëshpëtuese për fëmijët e prekur tashmë nga talasemia. Nga ana tjetër, nuk kuptohet aspak se ç’i ka penguar ata të alokolojnë një fond më të vogël (sipas disa llogaritjeve paraprake rreth një milion dollarë në vit) për të futur në rrugën e zgjidhjes programin e çrrënjosjes së talasemisë. Kosto efektiviteti i një programi të tillë nuk do shumë mund për tu kuptuar. Mjafton që, si rezultat i tij, të lindin çdo vit dhjetë apo njëzet fëmijë talasemikë më pak dhe përfitimet sociale e financiare e tejkalojnë disa fish investimin fillestar. Çdo koment i mëtejshëm është i panevojshëm.
Përfundim
Kriza nga mungesa e gjakut tashmë është instaluar në sistemin tonë shëndetësor. Në mungesë të ideve të reja, larg shablloneve, për të tejkaluar vështirësinë e promocionit dhe, mbi të gjitha, në mungesë të parandalimit parësor të problemeve shëndetësore që rrisin nevojën për gjak, zgjidhja e krizës është e pamundur. Fatmirësisht, opsionet për rrugëzgjidhje ekzistojnë. Nevojitet vetëm kreativitet dhe iniciativë për zbatimin e tyre në praktikë.