Legalizimet, brenda 2008-s përfundon procesi për 200 mijë ndërtime
Fundi i këtij viti do të shënojë legalizimin e shumë ndërtimeve. Poseduesit e ndërtesave do të zotërojnë ato me leje dhe të regjistruara. Ministri Olldashi ka siguruar dje të gjithë ata që presin të legalizojnë ndërtimet e tyre, se brenda vitit 2008 do të legalizohen një numër i konsiderueshëm ndërtimesh pa leje. “Deri në fund të këtij viti do të mbyllet procesi i legalizimit për 200 mijë ndërtime”, - tha dje ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, në analizën 7-mujore të punës së ministrisë. Sipas tij, janë përgatitur dosjet individuale për 100 mijë ndërtime dhe brenda javës së parë të shtatorit partia e parë do të shkojë për miratim në Këshillin e Ministrave. "Objektivi është që deri në fund të vitit procesi i legalizimit të mbyllet për rreth 200 mijë ndërtime", - theksoi kreu i MPPTT-së.