E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet në Gjykatën e Tiranës, çdo gjyqtar me sekretare të re

Rotacion sekretaresh në Gjykatën e Tiranës me qëllim dhënien fund të “afeksioneve” mes tyre dhe gjyqtarëve me të cilët punonin. Fundi i pushimeve dhe fillimi i punës i ka gjetur gjyqtarët me sekretare të reja në zyrë. Gjyqtarëve do t’u takojë të mësohen të punojnë tashmë me sekretaret, me të cilat kanë punuar më parë me kolegët e tyre. Në Gjykatën e Tiranës shtatori do të mbahet mend si muaji i ndryshimeve, duke filluar që ditën e parë të punës. Madje, ndryshimet tashmë nuk janë vetëm fjalë, por janë konkretizuar qysh dje me vepra. Të paktën pjesa më e madhe e gjyqtarëve në Gjykatën e Tiranës nuk kanë pasur në zyrat e tyre sekretaret e përhershme, por ato që kanë punuar me kolegët e tyre. Nuk është një vendim i marrë nga kreu i gjykatës, por as me kërkesë të vetë gjyqtarëve. Kjo është masa më e re e ndërmarrë në këtë gjykatë nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka vendosur që t’i japë fund “afeksionit” të tepërt mes gjyqtarëve dhe sekretareve të tyre. Fakti, përveçse ishte i dukshëm, është konfirmuar për gazetën edhe nga gjyqtarë dhe sekretare. Një fakt i tillë është bërë i ditur dy muaj më parë, sapo në Gjykatën e Tiranës ka mbërritur rezultati i një inspektimi të bërë gjatë muajit maj në këtë gjykatë, ku është vëzhguar puna e gjyqtarëve, sekretareve të tyre, marrëdhëniet mes tyre, si dhe zbatimi i detyrave të lëna nga kreu i institucionit të drejtësisë dy muaj më parë, gjatë një takimi që ka pasur me to. Por, theksojnë burimet nga kjo gjykatë, ndryshimet e zyrave ku do punojnë nuk ka qenë e vetmja e re e këtij raporti për to, pasi nga ana tjetër, inspektorët kanë konstatuar se disa sekretare për shkak të afeksionit nuk kanë zbatuar si duhet detyrat e lëna, duke detyruar Ministrinë e Drejtësisë të propozojë masa disiplinore. Ndryshimet do të përfshijnë gjithë sekretaret, përveç punonjëseve të kryesekretarisë.

Masat

Shtatori nuk do të jetë vetëm muaji i ndryshimit të zyrave për sekretaret, por edhe i penalizmit të disave prej tyre. Sipas burimeve nga gjykata, shkak i penalizmit me masa disiplinore ka qenë moszbatimi siç duhet i detyrave të lëna nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, lidhur me raportimin e punës së tyre dhe gjyqtarëve me të cilët punojnë dhe hedhjen korrekte të të dhënave në internet. Kështu, gjatë inspektimit të bërë dy muaj më parë ka rezultuar se disa sekretare nuk kanë raportuar siç duhet ose kanë publikuar të dhënat në internet abuzivisht, me qëllim mbrojtjen e punës së gjyqtarëve me të cilët punojnë. Për këtë qëllim, disa prej sekretareve do të penalizohen nga kancelari, pas raportit të dërguar nga Ministria e Drejtësisë, madje me masa konkrete disiplinore për to.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›