E Diel, 1 Nëntor 2026

Krenaria kombëtare si fenomen në zhvillim

Krenaria si fenomen njerëzor është shumë më i përhapur në shoqëritë e mbyllura dhe në zhvillim se në ato të zhvilluara të Evropës Perëndimore. Kjo padyshim ka arsyet dhe shkaqet e veta konkrete, për të cilat besoj se vlen të flitet në shoqërinë shqiptare.

Kjo duhet parë në një vështrim relativ, i cili nuk pretendon se është i pagabueshëm, por parimisht beson se fenomeni i krenarisë kombëtare, i cili është një reflektim i së tashmes ndaj të shkuarës në varësi të së ardhmes, lind si nevojë në shoqëritë, të cilat për arsye të ndryshme e përdorin atë!

Ashtu si tek individi, i cili kërkon gjithmonë të justifikojë mosarritjet e tij personale nëpërmjet pamundësisë së mbështetjes të familjes, apo edhe shoqërisë (sipas tij në mënyrë të padrejtë) edhe këto të fundit gjejnë për të tashmen problematike justifikime në të shkuarën e tyre të padrejtë dhe të pafat, gjë e cila përgjithësisht rezulton e drejtë tek popujt e vegjël.

Këtu besoj duhet të gjendet edhe arsyeja pse popujt në zhvillim iu referohen pjesëve të caktuara të historisë së shkuar, tek e cila kapet fort krenaria kombëtare e tyre, Shqiptarët tek Ilirët, periudha e heroit kombëtar Skënderbeu, Serbët tek beteja midis Gjysmëhënës me Ortodoksisë e kështu me radhë... Gjithmonë, padyshim në varësi të një të ardhme më të mirë siç ata vetë e dëshirojnë për ta arritur!

Por, megjithatë duhet thënë se padyshim që me ardhjen e erës globaliste, e cila jo në të gjitha elementët e saj është pozitive, edhe krenaria kombëtare si fenomen njerëzor do të ndryshojë në mënyrë organike dhe do të bëhet gradualisht pjesë e së shkuarës! Gjë e cila në shoqëritë e zhvilluara perëndimore (ku të gjithë ne Ballkanasit dëshirojmë të jemi të integruar) e bëjnë me historinë e tyre dikur më kontradiktore.

Individët brenda së njëjtës shoqëri, rasti i sotëm...

Ky fenomen në mënyrë të ngjashme ndodh edhe midis individëve. Për shembull le të marrim rastin e shqiptarëve të sotëm, të cilët kanë përkatësi të ndryshme kulturore gjeografike, principalisht që lidhen me veriun dhe jugun e Shqipërisë, ku secila nga palët pretendon në mënyrë lokaliste krenare se ajo e tija është më mirë!

Në fakt sot të gjithë këto steriotipa kanë deri diku mundësinë të bashkëjetojnë në metropolin kryeqytetas dhe padyshim që këto ndasi relativizohen në maksimum aty ku është e mundur, por për fat të keq jo në “getot monderne” të tipit Bathore, ku vazhdohet të jetohet sipas kulturës dhe zakoneve prej nga vijnë.

Akoma shteti shqiptar nuk ka politika largpamëse dhe integruese për këto zona të reja të metropolit të tipit Bathore dhe këto “geto” janë konvertuar në Dibra, Tropoja, Saranda, Vlora në miniaturë, ku jetohet sipas mënyrës së vjetër ndonëse edhe në vila moderne...!

Individi shqiptar përballë individit evropian

Ndërsa të bie të bashkëbisedosh me miq të huaj, përgjithësisht secili nga ne nuk lodhet së argumentuari se shoqëria të cilës i përket ka tiparet dhe kapacitet më të mira në krahasim me ato si motrat e saj në vendet përkatëse.

Këtë gjë e kemi bërë një pjesë e mirë e jona ndërsa komunikojmë me kolegë, miq, apo edhe kur raportojmë në gjuhët evropiane, duke arsyetuar se mundësitë tona intelektuale janë limitizuar dhe keq dimensionuar për shkak të gjeopolitikës, të cilën e kanë komanduar kombet e mëdha!

Ne në mjaft raste kemi justifikuar pa fund gjendjen tonë të varfër ekonomike, por pse jo edhe kulturore për shkak të fqinjëve keqdashësh, të cilët gjithmonë na kanë përçarë për të na sunduar më vonë!

Por, deri më sot nuk kemi mundur të bindim as veten tonë përse nuk kemi autoreflektuar si duhet që të gjenim me gjuhën e përbashkët të folur që kemi, kulturën traditën edhe logjikat dhe interesat e përbashkëta në Ballkan!

Krenaria kombëtare në të ardhmen?

Padyshim që është më integruese dhe më pozitive. Mjafton këtu të konsiderojmë që rreth 1/3 e shoqërisë sonë është duke punuar dhe jetuar jashtë territorit shqiptar dhe kryesisht në Evropë nga ku marrin dhe japin.

Kush ka pasur mundësi të shoh shqiptarët emigrantë të viteve 1993–1997 dhe t’i krahasojë ata me të sotmit padyshim që vë re një ndryshim të pamenduar në vitet që po përmendim!

Sot shqiptarët pavarësisht politikave diskriminuese të vendeve përkatëse (në përgjithësi për të gjithë emigrantët dhe në veçanti për shqiptarët) ata në pjesën më të madhe të tyre gjenden të integruar dhe të mirëqenë atje.

Kjo do të ndodhë edhe në shembullin e vetë këtyre popujve mikpritës, të cilët kanë pasur shumë histori të dhimbshme emigracioni gjithashtu. Sot ngado në Evropë gjen sipërmarrës Shqiptarë të cilët punësojnë edhe vendas (personalisht kam njohur në Londër, Athinë, Romë dhe Bruksel) dhe shumica tjetër e tyre tashmë janë me dokumente të rregullta dhe në rrugën e plotë të integrimit!

Si rezultat sipas standardeve evropiane, pavarësisht pengesave të caktuara ata shumë shpejtë do të kenë në këto vende të drejtë vote, gjë e cila do të konvertohet në më shumë të drejta dhe padyshim edhe në pushtet social dhe politik të tyre.

Kjo do të bëj që ata padyshim të ndjehen pjesë integrale e këtyre vendeve dhe krenaria kombëtare apo individuale do të relativizohet akoma më shumë. Atëherë edhe shqiptarët si evropianët nuk do të kenë nevojë për mite artificiale, por do të respektojnë vetveten dhe tjetrin sipas meritave dhe një sistemi të caktuar vlerash, i cili këtu mungon akoma...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›