PRINDËR APO PADRONË?
Kohët e fundit Shqipëria po vuan një nga viruset më të rënda të shoqërive në trazicion, që fatkeqësisht ka prekur pjesën më delikate e të pambrojtur të shoqërisë shqiptare. Janë pikërisht fëmijët objekt i këtij virusi që po fabrikon familja shqiptare. Pikërisht këtë ndjesi kaq të hidhur e shikon kudo në rrugët e kryeqytetit dhe bëhet akoma më e dhimbshme teksa ti shkon për të pushuar në fundjavë në plazhet e mbipopulluara.
Kudo ti shikon fëmijë me qese kartoni te mbushura me cigare, çakmakë, fara, kikirikë, fëmijë me termuse frigoriferikë të mbushur me pije të ftohta, fëmijë që të ofrojnë dhe të shesin gjëra të ndryshme duke t’u lutur për ti blerë me motivin e vetëm që të mbajnë familjen. Ata janë shumë të vegjël dhe kontingjenti i këtyre fëmijëve është nga mosha 6-14 vjeç dhe mund të shprehemi lirisht, se këta vogëlushe në këtë moshë janë bërë shitës profesionistë ose ndryshe mund ti quajmë tregtare të vegjël; këto viktima të heshtura me portrete fëmijënore të vrara që të ngjallin dashuri dhe mëshirë njëkohësisht.
Fëmijët janë qeniet njerëzore më të dobëta, krijesat më të pafajshme dhe më të pambrojtura, janë pasuria më e madhe e njeriut dhe asgjë nuk vlen dhe nuk vjen para këtij kapitali te çmuar, por në Shqipëri fatkeqësisht na shfaqet një realitet tejet i hidhur e tronditës.
Po të fokusohemi në shfrytëzimin e “industrisë së fëmijëve të rrugës” si në punësimin sezonal ashtu dhe të plotë, statistikat dhe faktet do të ishin shokuese. Punësimi dhe abuzimi i fëmijëve është një fenomen që ndeshet rëndom në shoqërinë shqiptare. Ky fenomen është bërë shumë shqetësues pasi është rritur ndjeshëm numri i fëmijëve që braktisin shkollën dhe punojnë për të fituar bukën e gojës.
Ky fenomen është shfaqur pas viteve ‘90 në Shqipëri, duke gjetur një terren të përshtatshëm duke filluar që nga mungesa e legjislacionit e deri te varfëria e tejskajshme e më shumë se 70% të popullsisë. Industria e fëmijëve të rrugës dhe e trafikut te fëmijëve u bë burim fitimi si për prindërit ashtu për trafikantët dhe është një problem shumë serioz, i cili ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në axhendën e shumë organizatave kombëtare, ndërkombëtare si dhe organizatave qeveritare, por që ka rezultuar pa sukses, pasi nuk është gjetur gjuha e përbashkët ligjore për ndëshkimin e këtij fenomeni.
Nuk mjaftojnë deklaratat, këshillat, direktivat politike, rekomandimet, për të mbrojtur “të drejtat e fëmijëve”, por duhet të sanksionohet me forcën e ligjit mbrojtja e fëmijëve duke u konsideruar çdo lloj dhune, abuzimi, keqtrajtimi, shfrytëzimi si krim të rëndë të patolerueshëm.
Fëmijë të dhunuar, të keqtrajtuar dhe të pambrojtur është kjo situata që shoqëron këto krijesa të pafajshme në shoqërinë shqiptare, e cila përbën një problem serioz dhe meriton vëmendjen në nivelin më të lartë nga autoritet shtetërore. Në ditët e sotme familja po humbet rolin e saj, është pikërisht familja ajo strehëz prindërore që po abuzon me edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve, është ajo që është vënë në rolin e tutorit e te padronit dhe dhunon të drejtat e tyre. Dhuna në familje është një pabesi dhe përkthehet në një realitet të dhimbshëm, ku është ligjore të qëllosh fëmijën tënd, ta keqtrajtosh, ta shfrytëzosh, madje ta kthesh në një lypës ordiner nën parullën “Jam jetim. Ju lutem më ndihmoni”. Nuk arrij të perceptoj, se si një prind mund të kthehet në padronin dhe tutorin e krijesës të saj më të bukur e të pafajshme, se si mund të abuzojë me të dhe ta përdorë si burim fitimi.
Vallë ç’meritojnë këta prindër!?... E vetmja gjë që mund të justifikonte këtë papërgjegjshmëri prindërorë është heqja me ligj e së drejtës prindërore, një ndëshkim sa moral dhe ligjor.
Fëmijë që rriten para kohe, fëmijë që nuk luajnë, nuk gëzohen dhe nuk argëtohen me lodrat e ëndrrat fëmijënore, fëmijë që rriten me brenga e halle, fëmijë të pashkolluar e analfabetë, kjo është fatura që po paguan shoqëria jonë mbi të cilën po hedh rrënjë e ardhmja e shoqërisë shqiptare.
Dhe ç’duhet të bëjmë ne si shoqëri, si shtet, ç’bëjnë institucionet për të luftuar këtë plagë shoqërore, apo gjithmonë faji dhe përgjegjësia do të përfliten në një rreth vicioz, ku fjala dhe refreni i përditshëm më i lakuar është shteti dhe qeveria.
Po, a është e drejtë që gjithmonë të gjejmë fajtor shtetin-qeverinë!?
Po, në të vërtetë ç’bëjmë ne si njerëz, ç’bëjmë ne si prindër, ekzistojnë norma e rregulla, të cilat nuk kanë nevojë të shkruhen, nuk kanë nevojë të ligjërohen, pasi është një obligim i pashkruar i ligjit të natyrës që të detyron të mbrosh krijesën e gjakun tënd, këtë fryt e dhuratë të mrekullueshme të Zotit.
Edukimi dhe mbrojtja e fëmijëve është çelësi magjik për të ardhmen e fëmijës por ka vlerë te pallogaritshme për të ardhmen e shoqërisë, jemi ne ata që duhet të investojmë për ndërtimin e një ambienti mbrojtës për fëmijët tanë duke krijuar një sistem imunitar të mbrojtur nga çdo lloj dhune e abuzimi.
Nëse duam të ndërtojmë një të ardhme të shëndoshë, duhet të ndërmarrim një sipërmarrje titanike duke investuar të gjithë kapitalin njerëzor për të mirëmenaxhuar dhe mirëkujdesur për brezin e ri që po rritet, ku shteti, qeveria, shoqëria të gjithë aktorët duhet të bashkohen për të mbrojtur fëmijët tanë të mrekullueshëm, pasi ata janë e tashmja dhe e ardhmja jonë.