Protestojnë për siguri
Pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi mbrëmjen e së martës në fabrikën e Ferronikelit, jeta e banorëve atje është në rrezik edhe më të madh. Puna pa standarde që po bëhet në këtë fabrikë, po ua rrezikon jetën e tyre nga ditë në ditë. Aq më tepër kur kjo ndërmarrje është e privatizuar me spin-off special dhe e ka për obligim t’ua sigurojë punëtorëve kushtet e punës.
Për më tepër, banorët nga frika se tash do të shpërthejë edhe furra tjetër, e cila është edhe më e shkatërruar, po protestojnë që tri ditë radhazi, duke i bllokuar madje hyrjet dhe daljet e fabrikës. Atyre iu kanë dalë në mbështetje edhe zyrtarë të Komunës së Drenasit.
Por, të shtunën, derisa ekipi i “Express” ishte në vendin e ngjarjes, ka qenë e pamundur të merret përgjigje për këtë gjendje nga pronarët e fabrikës.
Muhamet Morina, anëtar i Këshillit organizues të protestës, tregon për “Express se nga informatat që kanë marr nga inxhinierët siguria e banorëve të kësaj ane është shumë e vogël. Ai thotë se eksplodimi i furrës kishte ndodhur nga mbingarkesa,e kjo sipas tij, po vazhdon edhe në furrën tjetër. E rrugët në këtë anë thotë se i kanë bllokuar që tre ditë radhazi, pasi që kërkesat e tyre për siguri dhe rekomandimet e Komunës nuk janë duke u marrë parasysh. Derisa kërkesat e tyre nuk do të realizohen, do të vazhdojnë me protesta edhe në ditët e ardhshme.
“Ne po kërkojmë që të kemi ajër të pastër, ambient të qetë, punëtorët që janë brenda dhe banorët e kësaj ane të kenë jetën e siguruar”, tha Morina për gazetën.
Sipas tij, mungesa e izolimit të kësaj hapësire, mosfunksionimi i filtrave gjatë natës dhe grimcat që dalin nga puna në këtë fabrikë, janë problemet kryesore që tash e sa kohë po e kërcënojnë jetën e banorëve të kësaj rrethine. Ai tregon se edhe shëndeti i tyre është në rrezik. Por, kërkesat e tyre deri më tani as që janë përfillur nga menaxhmenti. “Menaxhmneti na lejon të hymë brenda vetëm pa media, e ne nuk po duam kështu sepse duam që të mësohet se në çfarë tmerri punohet aty”, thotë Morina. Në mbrëmje ai tregon se ngarkesa e punës po shtohet më shumë. Përveç kësaj, ai thotë se edhe furra tjetër që është në funksion përbën rrezik edhe më të madh se nga ajo që shpërtheu tre ditë më parë.
Naim Qorri, banor i kësaj lagjeje, tregon për gazetën se shpërthimi i furrës ka shkaktuar dëme të mëdha në shtëpinë e tij. Por, kjo thotë se nuk është asgjë, duke parë se jeta e tyre tani po rrezikohet edhe më shumë nga funksionimi i furrës tjetër. “Familjen e kam në shtëpi dhe nuk dimë as nga të shkojmë. Jeta jonë është në rrezik të madh edhe prej furrës tjetër, e cila është edhe më e shkatërruar se ajo që shpërtheu”, thotë ai.
E për shtëpinë e shkatërruar nga shpërthimi thotë se do të kërkojë dëmshpërblim nga pronarët e Ferronikelit.
Protestuesve iu kishin bashkuar edhe këshilltarë komunalë.
Ismail Dibrani, këshilltar në Komunën e Drenasit, tha se do të përkrahin banorët në të gjitha kërkesat e tyre. Ai tregon se në një seancë të jashtëzakonshme i kanë nxjerrë rekomandimet e komunës, të cilat sipas tij, duhet të përfillen nga udhëheqësit e kësaj fabrike, në mënyrë që të sigurohet jeta e njerëzve të këtij qyteti. “Janë një varg rekomandimesh që i kemi nxjerrë, sidomos siguria e jetës së punëtorëve aty dhe e banorëve përreth janë pikat kyçe të rekomandimeve tona”, thotë Dibrani.
E sipas asaj që u është thënë nga ekspertët, këtu në rast një shpërthimi tjetër mund të përfshihet i tërë qyteti. Tani për tani , Dibrani tregon se punëtorët nuk guxojnë të flasin për rrezikun e madh që e kanë në punë nga vjetërsia e mjeteve.”Sipas informacioneve që kemi nga punëtorët, ata janë shumë të rrezikuar pasi që furrat që janë në funksion janë të çara e shumë të vjetra”, tha Dibrani.
Komuna kërkon angazhimin e Ministrisë së Ambientit për të marrë masa ndaj mungesës së standardeve në këtë fabrikë, të cilat edhe më tej po e rrezikojnë jetën e banorëve.
Drejtori gjeneral i ‘Ferronikelit’, Ioannis Gaitanos, pas shpërthimit të së martës kishte thënë se kjo avari e vogël teknike në njërën nga furrat ishte shkaktuar nga një kapsulë termike, e cila nga defekti nuk kishte dhënë sinjalin për rrezikshmërinë. Nga ky shpërthim, sipas drejtorit Gaitanos, kanë pësuar lëndime 4 punëtorë, dy prej tyre që kanë qenë më afër shpërthimit dhe dy të tjerë janë lënduar gjatë evakuimit.