Ora e Tokës, shqipëria i bashkohet black out-it për 60 minuta
Sot në orën 20 e 30, Shqipëria do ti bashkohet aktivitetit global më të madh mjedisor "Earth Hour duke fikur dritat për një orë. Siç është bërë traditë prej katër vitesh në mbarë globin, e shtuna e fundit e marsit do ti japë botës mesazhin e mbrojtjes së mjedisit.
Ky është viti i dytë i organizimit të aktivitetit "Ora e Tokës" në Shqipëri. Nga viti i parë i eventit e deri tek i katërti, kjo iniciativë ka njohur rritje nga 1 milion njerëz në Sidnei në 2007, në 1 miliard në gjithë botën në 2009-n. Sivjet, synimi i EH është që të ketë mbi 1 miliard pjesëmarrës: 1 në çdo 6 banorë të planetit. Kemi konfirmimin e qytetit të Tiranës dhe Vlorës që kanë marrë kështu statusin "Earth Hour City 2010". Po ashtu shpresojmë ende në pjesëmarrjen e Shkodrës, Fierit, Elbasanit, Korçës, Durrësit etj. Vitin që shkoi në botë u fik për 1 orë ndriçimi i kullës Eiffel, Koloseut, Syrit të Londrës, urës Bruklin, stadiumit "Foleja e Zogut", Portës së Brandenburgut, statujës e Jezu Krishtit në Rio de Zhaneiro etj. Ora e Tokës përfaqëson një thirrje globale për veprim ndaj çdo individi, çdo biznesi dhe çdo lloj komuniteti kudo në botë për të fikur dritat, për një orë. Ora e Tokës është iniciativa ndoshta më masive sensibilizuese që është zbatuar ndonjëherë në planet. Kjo iniciativë ka filluar nga WWF me qytetin e Sidneit në vitin 2007 dhe u konkludua me 4000 qytete dhe 1 miliard njerëz në vitin 2009.