Prifti: Nuk do të lejojmë paligjshmëri në aktivitetin minerar
Qeveria nuk do të lejojë paligjshmëri në aktivitetin minerar. Kështu ka deklaruar dje ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Dritan Prifti, i cili mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rikonstruksionit të ambienteve të Repartit të Inspektim-Shpëtim Miniera. Ministri Prifti vlerësoi faktin se RISHM është një ndër institucionet më të vjetra të shtetit shqiptar, pasi është krijuar që në vitin 1959 dhe vazhdon ende të ekzistojë e funksionojë në ndihmë të sektorit minerar në vend. Z. Dritan Prifti vuri theksin në misionin e rëndësishëm që ka RISHM, atë të inspektimit dhe shpëtimit, që në shumicën e rasteve është kryer me sukses gjatë incidenteve apo avarive nëpër miniera. RISHM, - tha ministri, - është i rëndësishëm dhe për qeverinë e ndaj ky institucion nuk do të preket nga reforma që qeveria do të realizojë për inspektoratet në vend. Ne jemi duke bërë në javët e fundit një reformë të të gjithë sistemit të inspektimit në Shqipëri ku është diskutuar bashkimi i shumë inspektorateve në dikastere të ndryshme. Nëse sot kemi rreth 40 inspektorate në të gjithë vendin, është diskutuar për një reformë që do të bashkojë shumë prej tyre dhe ndoshta do të mbeten rreth 14 apo 15 në të gjithë vendin. Kur kemi diskutuar me Kryeministrin në lidhje me RISHM-in, nëse ky institucion duhet të bashkohet me ndonjë inspektorat tjetër brenda METE, vullneti i Kryeministrit është që ky institucion duhet të vazhdojë të ekzistojë siç është, për rëndësinë që ka. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim me fonde, me hapje vendesh të reja pune brenda këtij institucioni, për ta kthyer atë në një institucion elitë për të gjitha institucionet e shpëtimit në vend, - u shpreh ministri. Ai nënvizoi se qeveria do të kontribuojë për të forcuar Repartin e Inspektim-Shpëtim Miniera, duke qenë se detyrat e këtij institucioni në të ardhmen mund të jenë edhe më komplekse e të vështira. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bëri të ditur se po punohet për një plan veprimi, që do të zbatohet kryesisht nga RISHM, por dhe nga institucione të tjera. Gjithashtu, ministri z. Dritan Prifti informoi se po krijohet një grup task-force, kryesisht për zonën e Bulqizës, në krye të të cilit do të jetë prefekti i qarkut dhe do të marrin pjesë përfaqësues të RISHM-it, të METE, të Zyrës së Tatimeve, Policisë së Shtetit.