Studimi, autizmi nuk shkaktohet nga vaksina
Disa e lidhin autizmin me moshën e nënës, të tjerët thonë se shkaktarët janë gjenetikë, ndërsa ka edhe studime që fajësojnë ndotjen e mjedisit nga toksina të ndryshme. Thimerosal është një lloj sodiumi, që përmban rreth 50% zhivë (merkur), dhe njihet në tregun farmaceutik si Merthiolate që është përdorur për ruajtjen e vaksinave. Merthiolate gjithashtu përdoret në përgatitjen e imunoglobulinave, si antivenin kundër helmimeve nga pickimet e insekteve e gjarpinjve, për produkte ndaj infeksioneve të syrit dhe hundës dhe në bojërat për tatuazh. Përdorimi i saj si një ruajtës vaksine është i diskutueshëm dhe shkallë-shkallë është duke u lënë jashtë vaksinave rutinë për fëmijët në Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe disa vende të tjera. Për dekada disa prindër, shkencëtarë e mjekë janë mbërthyer në debat mbi një lidhje të mundshme midis autizmit dhe vaksinave që përmbajnë thimerosal. Madje mijëra prindër e çuan çështjen deri në gjyq, duke thënë se te fëmijët e tyre u shfaqën shenja autizmi pas vaksinimit. Por, një gjykatë federale thotë se nuk sheh asnjë provë për një lidhje midis vaksinës dhe autizmit. Ky vendim i gjykatës ishte zhgënjyes për më shumë se 5.000 familje të cilat thonë se zhiva në thimerosal shkaktoi autizmin tek fëmijët e tyre. Autizmi është një çrregullim kompleks neurologjik që ndikon në aftësinë e personit për të komunikuar dhe ndërvepruar me të tjerët. Kostoja e trajtimit të autizmit shpesh është tepër e lartë. Sipas të dhënave nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, autizmi prek pothuajse një për qind e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara. Deri tani për autizmin nuk ka ndonjë kurë, edhe pse ekspertët thonë se terapi të caktuara dhe programe të posaçme edukative mund të zbusin sfidat që shoqërojnë këtë sëmundje.