E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Hetim cdo pretendimi me fakte të opozitës

Kryeministri takon ministrin e Jashtëm të Hungarisë

Hungaria ka bindjen e thellë se Parlamenti është vendi i vetëm ku palët duhet të debatojnë në demokraci dhe se opozita shqiptare duhet të jetë pjesëmarrëse në sallën e Parlamentit rregullisht dhe jo ta bojkotojë atë. Ky qëndrim iu shpreh dje Kryeministrit Sali Berisha nga ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, z. Balázs. Ata u ndalën në zhvillimet politike më të fundit në vend dhe në situatën e krijuar pas bojkotit të opozitës. Kryeministri Berisha bëri një përshkrim të situatës politike në vend, duke vënë theksin tek propozimet për kompromis që mazhoranca i ka ofruar opozitës, të cilat përfshijnë hetimin dhe hapjen e kutive nga prokuroria mbi bazë të provave, shqyrtim bilateral të çdo çështjeje, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin, si dhe pranimin e të gjitha amendamenteve të propozuara nga opozita, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe KiE-së, duke respektuar parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare. Gjithashtu, Kryeministri Berisha e njohu z. Balázs edhe me ofertën e fundit të bërë nga mazhoranca për opozitën për angazhimin e 100 prokurorëve për hetimin e çdo lloj pretendimi të bazuar në fakte dhe dokumente dhe se qeveria shqiptare ofron të gjithë mbështetjen financiare për punën e këtyre prokurorëve. Duke iu referuar bojkotit të institucioneve demokratike nga ana e opozitës, ministri i Jashtëm hungarez, Balázs, u shpreh: Hungaria ka bindjen e thellë se Parlamenti është vendi i vetëm ku palët duhet të debatojnë në demokraci dhe se opozita shqiptare duhet të jetë pjesëmarrëse në sallën e Parlamentit rregullisht dhe jo ta bojkotojë atë dhe të jetë diku gjetkë, sepse Parlamenti është shtylla themelore e demokracisë. Në përfundim të këtij takimi, ministri i Jashtëm hungarez u shpreh se një tjetër objektivi i qartë i qeverisë hungareze, përmes hapave konkretë, është thellimi i bashkëpunimit ekonomik në fusha me interes të përbashkët, si në energji, në infrastrukturë, në turizëm etj. Ministri Balázs u shpreh se Hungaria mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe do të jetë një zë i fuqishëm dhe një avokat i Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm. Ne, - tha ministri i Jashtëm Balázs, - do ti transmetojmë mesazhet tona të kësaj mbështetjeje të integrimit të Shqipërisë në BE, drejt Brukselit, duke qenë kështu një nga miqtë dhe avokatët tuaj më të vendosur në këtë drejtim. Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm hungarez u ndalën gjerësisht dhe në procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, proces për të cilin Kryeministri Berisha u shpreh se duhet të gjykohet mbi performancën e vendit të tij në plotësimin e kritereve teknike të kërkuara për tu përmbushur dhe qeveria shqiptare është e vendosur plotësisht për të thelluar më tej reformat e rëndësishme që kanë sjellë një transformim rrënjësor të vendit, si dhe për të vazhduar me vendosmëri luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm Balázs u shpreh se Hungaria mbështet fuqishëm liberalizimin e vizave për shqiptarët dhe se do të jetë përkrah Shqipërisë me të gjithë ndihmën dhe mbështetjen e saj për përshpejtimin e këtij procesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›