E Diel, 1 Nëntor 2026

Ora e përgjimit, debat mes prokurorit e avokatëve

Hapet faza e administrimit të provave në gjyqin për video-përgjimin Meta-Prifti. Avokatët kundërshtojnë orën dhe DVD-të

Tiranë Përfundimi i dëshmive i hapi rrugën dje një faze tjetër të rëndësishme të procesit, siç janë provat materiale apo shkresore. Palët debatuan për provat që do të administroheshin nga gjykatat, edhe pse prokurori pranoi që në seancën e djeshme nuk ishte përgatitur për këtë fazë të procesit. Sipas prokurorit, ora-kamera duhet të pranohet dhe administrohet si provë nga gjykata, pasi ajo është ora që ka kryer regjistrimin, pavarësisht se në të nuk gjenden gjurmë të videos Meta-Prifti. Kjo kërkesë u kundërshtua nga avokatët mbrojtës, të cilët thanë se ora nuk duhet të merrej si provë, pasi vetë prokurori ka kërkuar që ajo të mos i nënshtrohej ekspertizës sepse në të nuk gjenden gjurmë të regjistrimit. Gjithashtu, debat pati edhe për CD-të që prokuroria ka dorëzuar në gjykatë, të cilat nuk duhet të merren të gjitha si prova, pasi një pjesë e tyre janë të filtruara nga eksperti amerikan, akti i të cilit tashmë është shpallur i pavlefshëm. Prokurori kërkoi të merren në cilësinë e provës dy DVD-të, ku është videoja e papastruar, por kjo kërkesë u kundërshtua sërish nga avokatët mbrojtës. Pas debatit, prokurori hoqi dorë, duke kërkuar nga gjykata të mos merren si provë DVD-të. Seanca e djeshme u shty me qëllim radhitjen e provave të prokurorisë, të cilët pritet të prezantohen të premten para Gjykatës së Lartë. Procesi për video-përgjimin Meta-Prifti ka pasur shpesh debate mbi provat, të cilat janë kundërshtuar vazhdimisht nga avokatët e ish-zv/kryeministrit. Fillimisht, avokatët kundërshtuan dy ekspertizat e huaja të kërkuara nga prokuroria, për shkak të procedurave të parregullta, ndërsa debati është përqendruar më tej tek ora me të cilën pretendohet se është kryer regjistrimi e në të cilën ekspertët shqiptarë nuk gjetën asnjë gjurmë të video-përgjimit në të. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›