E Diel, 1 Nëntor 2026

Videoja Meta-Prifti, ish-deputeti Tola: Shpenzimet për HEC-in, 700 mijë euro

SHKRUAN: Leonard Bakillari 13-12-2011 13:28

Përfundon faza e dëshmive në procesin për video-përgjimin Meta-Prifti. Pesë dëshmitarët e fundit rrëzojnë deklarimet e Priftit për 700 mijë eurot e përmendura në video

Tiranë Gjykata e Lartë i dha fund dëgjimit të dëshmive në procesin gjyqësor ndaj ish-zv/kryeministrit Ilir Meta, duke kaluar në fazën e marrjes së provave nga palët. Gjatë seancës së djeshme dëshmuan 5 dëshmitarë, ku njëri prej tyre tha se kompania që përfaqësonte kishte shpenzuar 700 mijë euro për projektin e HEC-it ku kishte konkurruar. Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ymer Tola, që sipas deklarimit në gjyq është aktualisht i papunë, tregoi para gjykatës arsyen e bashkimit të kompanive, vendimet e gjykatës dhe garën për të fituar koncesionin e HEC-it të Shushicës në Elbasan. “Disa pjesëtarë të familjes sime, konkretisht djali dhe nëna kanë qenë pjesë e bashkimit të përkohshëm të kompanive “Vëllezërit Tola”. Kompania ka marrë pjesë në garë dhe ka fituar me 12 pikë më shumë se vendi i dytë. Në kohën kur shoqëria priste të shpallej fituese, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave me vendim të APP-së ka vendosur skualifikimin e kompanisë për shkak të konfliktit të interesit”, - ka deklaruar dëshmitari. I pyetur nga prokurori nëse e njihte shtetasin Agim Rrapaj dhe cila ka qenë arsyeja, pse ky person ka qenë pjesë e bashkimit të përkohshëm të shoqërive, Tola tha se e njihte dhe është një nga specialistët më të mirë të ekonomisë. “Është një nga specialistët më të mirë të ekonomisë. Kemi punuar bashkë në Ministrinë e Bujqësisë. Ai mund të siguronte financimet e nevojshme për projektin, investimi për të cilin shkonte në 70 milionë euro. Pasi u krijua bashkimi i përkohshëm i kompanive, Agim Rrapaj u ftua nga ana jonë si ekspert dhe djalin e tij e morëm si administrator të bashkimit të përkohshëm. Agimi ka qenë personi që ka ndjekur gjithë çështjen, kjo ka qenë detyra e tij dhe për këtë është paguar”, - tha dëshmitari. I pyetur për konfliktin gjyqësor dhe shumën e parave që ishte shpenzuar nga kompania “Vëllezërit Tola” apo bashkimi i përkohshëm i shoqërive, dëshmitari tha se vendimin për skualifikimin nga gara të kompanisë në fjalë e kishte marrë Agjencia e Prokurimit Publik dhe si e tillë, ajo ishte paditur në gjykatë. “Konflikti gjyqësor ka qenë me APP-në, pasi ky institucion kishte urdhëruar METE-n të skualifikonte nga gara kompaninë “Vëllezërit Tola”. Por ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit, me vendim të formës së prerë”, - deklaroi Tola. Sipas tij, shpenzimet e kompanisë deri në atë fazë të investimit kanë shkuar në shumën e 700 mijë eurove. “Nuk kam shifër të saktë për shpenzimet dhe pagesat e bëra nga ana e kompanive që ishin pjesë e bashkimit të përkohshëm. Në një mbledhje që u bë në mars të vitit 2010, ku unë kam qenë i pranishëm, është deklaruar një shifër prej 700 mijë eurosh si shpenzime. Këto shpenzime kanë qenë për paga, sigurime shoqërore e shëndetësore, studime, ku vetëm një studim shkonte rreth 2 mijë faqe projekti”, - tha dëshmitari. Pas tij, gjykata thirri për të dëshmuar Skënder Tolën, një nga aksionerët e kompanisë “Vëllezërit Tola”. Dëshmitari tha se kompania ku ai ishte aksioner kishte shpenzuar një shumë prej 160 mijë eurosh për këtë investim. Dëshmitarët e fundit të procesit ishin përfaqësuesit e kompanive “Elba” dhe “Arti” sh.p.k. Emin Topçiu dhe Arqile Papuçiu thanë se kompanitë që ata përfaqësonin do të angazhoheshin në këtë sipërmarrje nëse fitohej gara për HEC-in.

700

Mijë euro është shuma e shpenzuar për projektin e HEC-it, që nga faza fillestare. Deklarimi ka ardhur në gjyq nga ish-deputeti i PS-së, Ymer Tola, aksioner në shoqërinë “Vëllezërit Tola”. Ai shtoi më tej se kjo shumë është shpenzuar në paga, sigurime, studime dhe projektin e HEC-it të Shushicës

Rrëzohet dëshmia e përfaqësuesit të hungarezëve

E vetmja dëshmi, ku përfaqësuesi i akuzës kërkoi të kundërshtohen thëniet e dëshmitarit, ishte ajo e Andi Dedes, i cili përfaqësonte me prokurë tri kompanitë hungareze, të cilat ishin 20 për qind aksionere në bashkimin e përkohshëm të kompanive. Dedja tha se biznesmenët hungarezë ishin miq të familjes së tij dhe për shkak të shkurtimit të shpenzimeve, me biletat e udhëtimit dhe shpenzimet e qëndrimit në Shqipëri, e kishin autorizuar si përfaqësues të kompanive të tyre në Tiranë. “Tri kompanitë e përfaqësuara prej meje në total kishin 20 për qind të aksioneve. Nuk kam dijeni sa ka qenë investimi dhe shpenzimet e këtyre kompanive, apo bashkimit të përkohshëm të kompanive ‘Vëllezërit Tola’”, - tha dëshmitari. Por kjo dëshmi u kundërshtua nga prokurori, pasi gjatë deklarimeve që kishte dhënë në prokurori Dedja ka thënë: “Këto shoqëri nuk kanë shpenzuar asnjë lek për këtë projekt deri në këtë moment”. Kërkesa e prokurorisë u pranua edhe nga gjykata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›