E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet shtëpia e gurtë 300-vjeçare, në rrezik jeta e banorëve

Shtëpia karakteristike me moshë rreth 300-vjeçare, “Monument Kulture” i Kategorisë së Parë, për shkak të amortizimit dhe mungesës së investimeve restauruese është kthyer në gërmadhë

Gjirokastër-Shirat e rrëmbyeshme që kanë përfshirë ditën e hënë zonën e Gjirokastrës kanë shkaktuar edhe shembjen e një banese të gurtë, të braktisur prej vitesh në pjesën muzeale të qytetit. Reshjet e shiut kanë shembur muret e gurta të shtëpisë së braktisur të Kokobobove në lagjen ‘Palorto’, duke rrezikuar jetën e banorëve që jetojnë pranë saj.

Ngjarja

Shtëpia karakteristike me moshë rreth 300-vjeçare, “Monument Kulture” i Kategorisë së Parë, për shkak të amortizimit dhe mungesës së investimeve restauruese është kthyer në një gërmadhë të vërtetë. Banorët e kësaj zone thonë se rrëzimi gjatë stinës së dimrit i trarëve dhe çatisë karakteristike me pllaka guri, mureve etj., e ka shndërruar këtë banesë në një kërcënim për jetën e banorëve që jetojnë pranë saj. Ndërkohë, shirat e rrëmbyeshme të ditës së hënë kanë shembur përfundimisht edhe fasadën e gurtë të shtëpisë duke rrafshuar shtëpinë e Kokobobove. Megjithëse banesa e gurtë e Kokobobove ka qenë një ndër shtëpitë e gurta më të veçanta në qytetin e Gjirokastrës, sërish mungesa e investimeve restauruese ka rrënuar jo vetëm vlerat e saj arkitektonike dhe ndërtimore, por në gjendjen ku ndodhet aktualisht rrezikon edhe jetën e banorëve. Shembja e vazhdueshme e shtëpisë së gurtë ka vënë në rrezik si jetën e komshinjve, ashtu edhe atë të kalimtarëve që lëvizin në këtë zonë të lagjes ‘Palorto’.

Rreziku

20 familjet që kanë shtëpitë e tyre pranë mureve të gurta të kësaj banese, vazhdimisht iu janë drejtuar organizmave shtetërore duke kërkuar ndërhyrje për shmangien e ndonjë ngjarjeje të rëndë, të shkaktuar nga rrëzimi i mureve të gurta. Dhosi Margariti, banor i lagjes ‘Palorto’, thotë se gjatë këtyre ditëve me shira të rrëmbyeshme rreziku i shembjes së mureve të gurta të kësaj banese është gjithmonë i pranishëm. “Ne si banorë të lagjes kërkojmë që të ndërhyhet, pasi kështu siç është lënë pas dore kjo shtëpi ka humbur të gjitha vlerat dhe shkëlqimin e dikurshëm, ndërkohë që është kthyer në rrezik për njerëzit”, - thotë ai. Shtëpia e Kokobobove është pjesë e listës së 12 banesave karakteristike të cilësuara “rrezik shembjeje” nga specialistët e monumenteve të kulturës. Sipas përfaqësuesve të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, projekti për restaurimin e kësaj banese tashmë është miratuar dhe pritet financimi për zbatimin konkret të tij. Vendosja në jetë e projektit restaurues jo vetëm që do të kthente në identitet këtë banesë me vlera të rralla historike dhe arkitektonike, por do të shmangte edhe rrezikun që krijon ajo për banorët e tjerë të lagjes ‘Palorto’ në qytetin e Gjirokastrës.

Bledar Shehu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›