Ora zero e Edvin Ramës

Në intervistën e fundit mediatike, kreu i PS-së Edi Rama, i pyetur nga gazetari pse u përjashtua Kastriot Islami për thyerje disipline partiake, kur disiplina ishte bërë baltë dhe nga Arben Malaj dhe Ben Blushi. Edi Rama dha këtë përgjigje: “Është e vërtetë që në këto dy vite që pararendën Kongresin e 5 nëntorit PS-ja ka jetuar me një anomali të brendshme dhe dëshira, vullneti, por dhe bindja ime sikundër dhe e tjerëve përreth në lidership ka qenë krijimi me durim, dalëngadalë i kushteve për rikompozimin dhe për ngjitjen e asaj frakture që u krijua pas zgjedhjeve të vitit 2009. Pikërisht pasi kjo frymë u shfaq dhe pas atij votimi që ju përmendët për guvernatorin. Grupi parlamentar ka bërë një mbledhje shumë serioze dhe me bindjen që është momenti për të filluar nga një “orë zero” dhe për të lënë pas këtë vijimësi jo normale, e cila ka qenë e lidhur me arsye që nuk kanë qenë të njëjta mes nesh”. E sinqertë apo jo kjo përgjigje, Kryetari për herë të parë flet për anarkinë e brendshme të PS-së përgjatë dy viteve të fundit.
Mirëpo kreu i opozitës duhet të thoshte sinqerisht se anomalia e brendshme e PS-së vinte nga humbjet e zgjedhjeve parlamentare të 2009. Dhe se grupi parlamentar i PS-së u përça në momentin që krijimi i alibisë desh hodhi në erë mandatet e deputetëve, pas 6 muajsh bojkot të Parlamentit. Ishin dy vite që kundërshtarët e Ramës brenda PS-së flisnin për një opozitë ndryshe, larg rrugës dhe djegies së gomave, larg grevës së urisë përballë kryeministrisë dhe demonstratave të dhunshme në bulevard. Dy vitet që pararendën Kongresin e 5 nëntorit ishin vite kur u sekuestrua marrja e vendimit të statusit kandidat, ngase ky moment kërkon së paku opozitën në parlament dhe së dyti gjënë më normale votimin e ligjeve me tre të pestat, të kërkuar nga komisioni i Bashkimit Europian. Tash qytetarët e kanë të qartë se kush e ndaloi rrjedhën normale të gjerave në Shqipëri për më shumë se 24 muaj. Dhe qytetarët gjykuan haptazi me 8 maj për fajtorin dhe fitimtarin.
Sot dy vite më pas, Edi Rama është “normalizuar”. Të gjitha ofertat politike që i ishin bërë në 2009 nga mazhoranca po pranohet një e nga një. Reforma Zgjedhore dhe Avokati i popullit janë procese drejt në rrugë të mbarë, pa ekseset që kishin kërkesa e përmbysjes së pushtetit me dhunë. Pra, bilanci politik i kreut të opozitës është i vakët dhe mediokër. Dhe sot është në kërkim të rikompozimit të asaj frakture që krijoi brenda PS-së me thyerjen e nenit 28 të statutit të partisë, ku theksohen dorëheqja e kryetarit në rast humbjeje, të cilën Edi Rama nuk e respektoi kurrë. Këtë kërkon ta bëjë me fiksimin e një “ore zero” të rregullave, që nuk është gjë tjetër veçse rivendosja totale e pushtetit të tij në struktura dhe forume. Afërmendsh këtë e ka bërë me një formë jakobine duke teshtirë jashtë grupit një ndër deputetët më të vjetër të PS-së Kastriot Islami.
Sido që të jetë “ora zero” është ora 00.00 e natës misterioze në opozitën shqiptare. Errësira intelektuale që pllakosi për 2 vite është duke përfunduar. Mirëpo sytë e Edi Ramës të mësuar me natën e thellë do ta kenë të vështirë të mësohet me dritën e të vërtetës. Kjo gjë u pa dhe me pranimin e Rrugës së Kombit për të cilën kish folur sa herë kundër dhe më në fund u detyruar përgënjeshtronte veten se nuk ishte kundër. Sigurisht këtë e bëri si gjithmonë për interesa partiake dhe jo për interesa kombëtare.
...