E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëri i Dashurisë!

Poezi nga Arben Duka

Po të thirri zë i dashurisë,

dëgjoje dhe ndiqe nga pas,

po të thirri zë i dashurisë,

bëje të shenjtë atë çast!

Po të thirri zë i dashurisë,

i vetmi zë i vërtetë,

dëgjoje vetëm dëgjoje,

dhe rend pas Tija në jetë!

Po të thirri zë i dashurisë,

do jesh njeriu me fat,

dëgjoje dhe ndiqe nga mbrapa,

se jeta nuk është aq e gjatë!

Po të thirri zë i dashurisë,

të tjerët janë zëra prej Kotit,

i kthjellët si tingull kambane,

i shenjtë si zëri i Zotit!

Po të thirri zë i dashurisë,

mos i ik-mos iu fshih-mos iu tret,

se kambane shenjtë e asaj zemre,

veç njëherë të kumbon në jetë!

Po të thirri zë i dashurisë,

kudo që të jesh ti përgjigju,

dhe akull i ngrirë të jesh,

ti ndizu-ti ndizu dhe digju!

Po të thirri zë i dashurisë,

mos ik, asnjëherë mos i ik,

ai të thërret veç njëherë,

magjinë e tij mos e fik!

Po të thirri zë i dashurisë

mos i trego, asnjeriu

dhe veten përjetë do ta ndjesh

si para Zotit, Moisiu

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›