Mbarë Bota e krishterë kremton festën e Krishtlindjes. Papa uron në shqip: Për shumë vjet Krishtlindjet!

Besimtarët e krishterë festojnë lindjen e Jezu Krishtit në çdo kishë në mbarë botën, por edhe në vendin tonë. Urimet për një ditë të tillë janë të shumta, ku nuk mungojnë dhe ato të përfaqësuesve politikë. Ndërkohë që në mesditë erdhi dhe urimi në shqip i Papa Benediktit të XVI. Papa Benedikti i 16 u ka uruar besimtarëve katolike në mbarë botën festën e Krishtlindjes. Papa ka dhënë sot mesazhin e urimeve në 65 gjuhë të botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. “Për shumë vjet Krishtlindjen!”. Në meshën e njohur si ‘Urbi et Orbi” të zhvilluar në sheshin “Shën Pjetër në Vatikan”, Papa Benedikti ka lëshuar mesazhe për paqen dhe humanizmin. Në mesazhin e tij Papa iu drejtua besimtarëve duke iu thënë se Zoti është më pranë njerëzve. “Kjo është festa e njerëzisë dhe afërsisë e zotit më shumë më njeriun. Krishtlindjet janë rruga e dritës për të ecur përpara pa dallim feje anë e mbanë botës”- ka thënë papa në mesazhin e tij. Papa ka bërë thirrje për paqe dhe shpresë në gjithë botën. “Paqja duhet të mbizotërojë mes të gjithëve”- deklaroi Papa mesazhin e tij. Papa nënvizoi se duhet të mbrohen të drejtat e njeriut. “Le të ndriçohemi të gjithë nga të gjitha nga drita e zotit”- iu drejtua Papa mijërave besimtarëve. Papa tha se nuk duhet të harrojmë ata që kanë nevojë për ne.
Mesazhet e politikës, Berisha uron për festën: Krishtlindja tjetër më afër ëndrrave tona
“Kjo ditë është akti më madhor. Urimet më të përzemërta për besimtarët!” Ky ishte mesazhi që përcolli për të gjithë besimtarët kryeministri, Sali Berisha, i cili zhvilloi një vizitë në Kishën Katolike dhe Ortodokse në ditën e kremtimit të Krishtlindjes. Në prononcimin për median, Berisha uroi që Krishtlindjet e tjera t’i gjejnë shqiptarët më të begatë, më mirë dhe më afër ëndrrave të tyre.
“Falenderojmë Zotin për ndihmën e tij të madhe që u ka dhënë shqiptarëve që të festojnë sot këtë ditë më mirë se kurrë. Krishtlindja tjetër më afër ëndrrave tona. Urim të përzemërt për të gjithë shqiptarët”- u shpreh kryeministri Berisha.
Topalli: Krishtlindja, kapërcim i së pamundurës – vitin e ardhshëm festojmë edhe më të lumtur
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka vizituar sot kishën ortodokse, ku takoi dhe uroi Kryepeshkopin Anastas Janullatos. Në fjalën e saj para mediave Topalli ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e festës së Krishtlindjes ndërsa u shpreh se kjo ditë reflekton kapërcimin e së pamundurës. “Bashkë me festën e Vitit të Ri, këto janë festat më të bukura. Po të reflektojmë dhe mendojmë se çfarë është Krishtlindja, është më shumë se çdo gjë tjetër kapërcimi i së pamundurës. Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë bërë të mundur atë që ka qenë e pamundur. Gjithë shqiptarëve urime, dhe atyre që kanë emigruar për vite si dhe ushtarëve në Afganistan”- ka theksuar Topalli.
Ndërkohë mesazhe urimi erdhën dhe nga kreu i shtetit, Bamir Topi. Gjithashtu, në kremtimet e Krishtlindjeve nuk munguan dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranën zyrtare, si ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth. Gjithashtu nuk kanë munguar dhe urimet e deputetëve të nga të dy kampet. Një mesazh të shkurtër urimi u dha dhe nga ish-kryesocialisti, Fatos Nano.
Festa e Krishtlindjes në vendin tonë
Mijëra besimtarë në vendin tonë festojnë sot Krishtlindjen, festën më të madhe dhe më të rëndësishme të krishterimit. Meshat kane filluar që dje në mesnatë në mjaft qytete të vendit ku besimtaret katolikë i janë bashkuar festës së madhe, kremtimit të lindjes së Krishtit, ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të sotëm, shqiptarët e besimit ortodoks ndoqën meshën dhe ndezën qirinj në Kishën Autoqefale. Me qirinj ndër duar, duke u lutur për paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, besimtarët e krishterë kanë kryer ritet fetare rreth mesnatës në një atmosferë festive. Ceremonia kryesore është zhvilluar ne Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku kanë qenë të pranishëm krahas qytetarëve të shumtë dhe politikanë. Imzot Rrok Mirdita drejtoi meshën duke u uruar besimtarëve shume dashuri dhe paqe. Mesha nisi me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla. Imzot Rrok Mirdita u bëri thirrje besimtareve të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia. Imzot Rrok Mirdita theksoi se “në Botë mungon paqja, por udha e paqes është udha e dashurisë. Në marrëdhëniet me të tjerët gjejmë veten”, u tha Imzot Rrok Mirdita, besimtarëve. Dita e Krishtlindjeve, tha kreu i Konferencës Ipeshkvnore, Rrok Mirdita, “na kujton të gjithëve se sa të nevojshme janë falja, pajtimi dhe mëshira”. Me qirinj ndër, duar duke u lutur për paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, besimtarët e krishterë kanë kryer ritet fetare rreth mesnatës në një atmosferë festive. Ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e Tij Anastas Janullatos, në meshën e mbajtur iu drejtua besimtarëve me urimin për të qenë më të dashur me njëri-tjetrin si dhe të respektojmë çdo formë njerëzore. Përgjatë ditës së sotme, pritet gjithashtu që të ketë të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit shqiptar të zhvillojnë vizita ne katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse në Tiranë, për të përcjelle urimet e tyre për besimtaret katolikë dhe ata ortodoksë. 25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore, edhe në Shqipëri, mbas viteve ’90 kur u lejua besimi fetar, krijoi traditën e saj duke u shënuar krahas festave të tjera tradicionale në kalendarin e vitit.
Atmosfera në rrethe
Shkodër
Mesha solemne në vigjilje të Krishtlindjeve u mbajt në katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër. Meshën e celebroi ipeshkvi i Shkodrës Imzot Angelo Masafra. Besimtarët uruan njeri tjetrin për më shumë mbarësi në familjet e tyre dhe më shumë vëmendje për njerëzit në nevojë.
Elbasan
Në një atmosferë tepër të veçantë janë festuar natën e kaluar Krishtlindjet në qarkun e Elbasanit. Me rastin e festës, priftërinjtë organizuan mesha në të gjitha kishat. Por mjaft emocionuese ka qenë atmosfera në kishën “Shën Piu 10”, kisha më e madhe katolike në Elbasan. Në mesnatë në këtë kishë u organizua mesha e madhe me pjesëmarrjen e rreth 500 besimtarëve, tej kapacitetit të saj dhe qindra të tjerë prisnin jashtë. Pas meshës besimtarët kanë ndezur qirinj e kanë uruar njëri-tjetrin për lindjen e Krishtit. Festa ka vazhdua deri në orët e mëngjesit në rrugë, lokale, e pranë familjeve.
Durrës
Qindra besimtarë ortodoksë nga mbarë Durrësi kanë kremtuar në Kishën Ortodokse të qytetit Krishtlindjen. Festimet kanë nisur që në mesnatë, ku është kremtuar lindja e Krishtit, për të vijuar besimtaret e krishterë u lutën dhe u falën në katedralen e “Shën Palit”. Me rastin e Krishtlindjes qytetarët shkëmbyen mesazhe paqeje në emër të kësaj dite duke zhvilluar dhe lutjen e tyre.
Korçë
Besimtarët ortodokse të qytetit të Korçës kanë kremtuar lindjen e Krishtit. Qindra besimtarë të qytetit kanë ndjekur meshën tradicionale në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, e cila u drejtua nga metropoliti i Korçës. Ai përcolli për besimtarët e rajonit të Korçës urimin për më shumë harmoni dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin.
Kosovë, Imzot Dodë Gjergji: Përmes Jezu Krishtit, Zoti solli mesazhin për paqe dhe dashuri
Mesha e Krishtlindjeve në katedralen e Prishtinës
Sikundër në mbarë botën, edhe në Kosovë të krishterët katolikë festojnë Krishtlindjet. Ceremonia kryesore në Kosovë u mbajt në katedralen e kryeqytetit. Imzot Dodë Gjergji do ta përcjellë mesazhin e Krishtlindjeve në Rezidencën Ipeshkvnore do të organizojë pritje solemne për autoritetet fetare, diplomatike, shoqërore dhe kulturore, të cilat veprojnë në Kosovë. Ndërkaq, Ditën e Krishtlindjes, Imzot Dodë Gjergji udhëheq meshën në Katedralen e Prizrenit, e cila fillon në orën 11. Besimtarët e krishterë i ka uruar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. “Në këtë ditë të lume, rreth sofrave plot, të kujtojmë të gjithë martirët, ata që u shkrinë për popullin e atdheun, që dhanë më të shtrenjtën, që ne sot ta gëzojmë lirinë e të jetojmë me dinjitet në trojet tona”, thuhet, ndër të tjera, në telegram e presidentes Jahjaga. Ipeshkvinë dhe qytetarët e besimit katolik i ka uruar me rastin e Krishtlindjeve edhe kryeministri Thaçi.
Prizren
Në meshën e ditës së Krishtlindjeve të mbajtur, të dielën, në katedralen e Zonjës Ndihmëtare në Prizren, Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji ka uruar njerëzimin që të marrë frymën e fjalës së Zotit dhe nëpërmjet saj të gëzoj dhuratat që ai i ka dërguar përmes lindjes së Krishtit. Sipas tij, thelbi i këtyre dhuratave bazohet në jetesën në paqe e dashuri, në mirëkuptim me njëri tjetrin, por më me rëndësi në qetësi me ndërgjegjen.
“Me gjithë afshin e zemrës dëshiroj që i tërë njerëzimi sot të merr frymën e kësaj fjale dhe dhuratat që na janë dhënë nëpërmjet Jezu Krishtit. Dhurata e parë që na dhurohet nëpërmjet Jezu Krishtit është që të jetojmë në paqe dhe në dashuri, në pajtim dhe në mirëkuptim me njëri tjetrin, sepse kjo është paqja e përkryer që na e ka dhurua Zoti”- ka thënë ipeshkvi Gjergji teksa ka drejtuar ceremoninë fetare të Krishtlindjeve para besimtarëve të shumtë katolikë.
Mirëpo ai ka përkujtuar se nuk duhet jetuar paqen vetëm në kuptimin njerëzor, por edhe në kuptimin e krishterë, që nënkupton angazhimin për lirinë shpirtërore. “Kuptimi i krishterë i fjalës paqe është sakrifica e të drejtave për të mbrojtur të vërtetën dhe për të jetuar në lirinë e shpirtit”, ka deklaruar Gjergji, duke sqaruar më tej se paqja politike e tokësore është e nevojshme, porse jo edhe e mjaftueshme, ngase ajo duhet të dominoj në zemrat dhe mendjet e njerëzve.
“Zoti dëshiron që njeriu të jeton i pajtuar me ndërgjegjen e vet... Zoti dëshiron që nëpërmjet Jezu Krishtit të na jep këtë paqe, që të jetojmë në paqe me ndërgjegjen tonë dhe me vetveten”, ka porositur kreu i Kishës Katolike të Kosovës. Në të njëjtën kohë ai ka përkujtuar se paqja e personit, të cilën e sjell Krishti, nuk mund të merret, të vidhet, të korruptohet as të shpërbëhet, sepse “paqja e brendshme e njeriut është fuqia më e madhe që ai posedon”. “Dëshiroj t’ju them gjithë atyre që sot në mënyrë hileqare dëshirojnë të ndryshojnë historinë tonë, se ata mund të ndryshojnë çfarë të donë në libra, po nuk mund të ndryshojnë natyrën e Kishës, nuk mund ta ndryshojnë dëshminë tonë dhe nuk mund kurrë ta ndryshojnë vuajtjen dhe përpjekjet e Kishës për ta mbrojtur të vërtetën e kombit dhe pasurinë që ajo në vetvete e ka bartur duke bërë histori dhe duke qenë pjesë e kësaj historie”, është shprehur ai. Pavarësisht nga kjo, ai ka pohuar se ky institucion fetar do të vazhdoj që të jetë protagonist i dashurisë mes njerëzve dhe shembullit të përvojës së mirë për bashkëpunim.
Zbogar, uron Krishtlindjet në shqip
Ministri në largim i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zhbogar ka falënderuar të gjithë që e kanë uruar për postin e tij më të ri, më të rëndësishmin në karrierë si Përfaqësues i BE-së në Kosovë. Në profilin e tij zyrtar të Twitter, Zhbogar u ka uruar në sllovenisht të gjithëve festat e fund vitit, për ta përmbyllur në shqip me urimin: Urime Festat!, transmeton Indeksonline. Ai pritet të nisë vitin e ardhshëm detyrën e tij zyrtare.
...