E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushteti paralel dhe sovraniteti i dyfishtë

25-12-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Beogradi nuk prodhon dot ide të reja politike në përballje me ndërkombëtarët, interesat e veta  dhe  pavarësinë e Kosovës si realitet i madh ballkanik, pranim domethënës europian dhe njohje e gjerë botërore. Të gjitha  çfarë deklarohen nga Serbia janë retorikë,  veprim praktik të ashpër ka vetëm një - pushteti paralele serb i organizuar nëpër gjithë territorin e shtetit të ri. Kjo pengesë serioze, nuk është gjetje  serbe:  Beogradi po zbaton  kundër Kosovës po atë formë  të pushtetit paralel  që  populli shqiptar pati ndërtuar kundër shtetit të Serbisë, nga viti 1989 e deri më 1999, përreth 11 vjet. Serbia,  me gojën e zyrtarëve të saj të ndryshëm, është përgjigjur kështu:  Po u bëjmë ju, atë që na patët bërë ne! Pushteti paralel serb ka rreth 13 vjet që zgjat, nën durimin e qeverive të Prishtinës dhe “as i lejuar e as i ndaluar” nga ndërkombëtarët, deri te shqiptimet gjatë këtij viti për domosdoshmërinë e shpërbërjes së tyre. 

Por nuk është e njëjta gjë: e para, strukturat paralele shqiptare, nën pushtim, ishin për t’u çliruar vendi nga Serbia, ndërsa strukturat paralele serbe  janë për ripushtim të vendit nga Serbia; e dyta, strukturat paralele të shqiptarëve në Kosovën e pushtuar qenë një gjetje politike organike; strukturat paralele serbe nuk mbijetojnë si të tilla nga vetvetja, sepse ato janë krijuar nga jashtë - prej Beogradit, dhe mbahen me mbështetje gjithfarëshe nga  jashtë - prej Serbisë.

Kjo pengesë tashmë është kthyer në dhimbje koke edhe për Bashkimin Europian, nga  zëri i fortë i Gjermanisë, u përcoll m’u në Beograd, nga vet kancelarja Angela Merkel: Shkatërroni pushtetin paralel! Qysh nga fundi i verës, kur  kjo kërkesë u shqiptua si kusht i mundshëm për ecurinë e integrimit europian të Serbisë, Beogradi  nuk bëri stepje, por foli dhe veproi: ai u shpreh i pakënaqur veçanërisht nga kërkesa gjermane dhe në veri të Kosovës i shtyu ngjarjet deri në plagosje të forcave gjermane në KFOR. Gjermania ushtarët e saj i ka të çmuar, ndaj nga fundi i dhjetorit, kancelarja Angela Merkel  shkoi në Kosovë, për t’i vizituar ata, dhe prej atje e kujtoi fqinjin verior: “… Serbia në Kosovë të mos ketë struktura paralele”.  Nuk qe për t’u habitur që, po atë ditë, presidenti  Boris Tadiç, hodhi një përgjigje, të nxjerrë nga endjet gjeografike, duke thënë se, “Ekziston modeli irlandez, ku pavarësisht se Republika e Irlandës nuk e njeh ndarjen e integritetit territorial (me Irlandën e Veriut), është anëtare e BE-së”, duke mëtuar që të pranohet në BE në këto rrethana siç është, si dhe të shtrohet nga e para çështja e zgjidhjes, për një  sovranitet të dyfishtë të Kosovës. Kjo kundërpërgjigje ndaj Gjermanisë dhe Bashkimit Europian, si dhe teza e sovranitetit të dyfishtë, tregojnë përpjekjet e pandalura të Serbisë, për t’u futur në BE pa pengesën Kosovë dhe nga brenda BE-së për ta penguar më fort Kosovën; si dhe copëtimin e Kosovës m’u në palcën e saj, duke ndarë sovranitetin përmes ngritjes së pushtetit paralel në sovranitet të dyfishtë, ose qeverisjen e Kosovës, edhe nga Prishtina, edhe nga Beogradi, dhe duke mos e quajtur këtë kthim të Serbisë atje,  si ajo e para vitit 2000, siç e cilësoi Tadiç.

Kjo është nga idetë më të çmendura, pasi shpreh përpjekjen e Serbisë për t’u kthyer në bashkëqeverisëse aty ku ajo ka qenë pushtuese. Kjo është aq e parrokshme nga shqiptarët siç do të dukej, sikur Serbia t’i bënte thirrje NATO-s, të zhbënte bombardimin e parë mbi të dhe të ndërmerrte një bombardim mbi  Kosovën, për të kthyer Beogradin në koloninë e dikurshme. Është për të mos u besuar kurajoja serbe, se si do të mund të nëpërkëmbnin shqiptarët me sovranitetin e dyfishtë.

Nga kjo ndërkryerje  për pushtim e Serbisë nëpërmjet një pakice më se pakicë, shpërbërja e pushtetit paralel duket se po i kthehet edhe në një kusht për integrimin. Pakica serbe, një pakicë mjaftë pakicë, me Pakon Ahtisaari është ngjitur thik përpjetë, deri në majën e të drejtave të barabarta me shumicën absolute të shqiptarëve, një shembull që të dytin zor se ia gjen në mbarë Bashkimin Europian. Sovraniteti i dyfishtë që kërkon Beogradi nuk është tjetër gjë veçse ngritja e pushtetit paralel në Kosovë, nga de facto në de jure; pranim i Beogradit në qeverisjen e Kosovës, dhe ndarjen e Kosovës, nga prerje fizike të territorit, në territor  të ndarë me bashkëqeverisje.

Kjo është një ide e krisur, e dyta më e çmendur, pas synimi të spastrimin me luftë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›