E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastrioti si kurban i radhës

25-12-2011 / Nga Bardh Frangu

Goditja politike që lideri i Partisë Socialiste i bëri deputetit Kastriot Islami, u bë një ngjarje politike e dorës së parë. Reagimet ishin të shumta nga nivele të ndryshme. Reagoi edhe babai i socialistëve Dritëro Agolli, si dhe ideologu i tyre Fatos Nano. Reaguan edhe qytetarët nga anë të ndryshme, duke e dënuar këtë akt.

Në fakt u bë e qartë se ky akt i Ramës ishte konform logjikës së tij të prodhimit të viktimave, përkatësisht kurbaneve, logjikë të cilën e ka futur edhe brenda kopertinave të një libri, të cilin ka kohë e shëtitë nëpër të gjitha hapësirat shqiptare. Lideri socialist në udhën e tij të rebelimit, të cilën e karakterizuan barrikadat, bllokimet, bojkoti e greva e deputetëve, si humbës i madh, më në fund iu kthye oborrit të partisë së tij për ta pastruar nga ata që nuk ishin pajtuar që gjithë Shqipërinë ta shndërronte në një kurban të ambicieve të tij politike.

I pari në shënjestër nuk mund të mos ishte Kastriot Islami, kryetari i parë i Parlamentit të parë pluralist të Shqipërisë dhe njëri nga reformatorët kryesorë të PS-së, kësaj trashëgimtareje të PPSH-së, personi i cili në mënyrë konsekuente kishte tërhequr vërejtjen për marrëzitë politike të Ramës. Për më keq, Islami është politikani më i përkushtuar shqiptar për integrimet evropiane të Shqipërisë dhe si i tillë politikani më i respektuar në institucionet e BE-së.

Me këtë goditje Rama ka dëshmuar se në luftën e ashpër brenda partisë, si në çdo luftë tjetër, së pari duhet të vritet e vërteta. Në këtë mënyrë ai goditi Islamin për të vrarë të vërtetën politike të PS-së. Kjo gjë është lehtësisht e dukshme. Rama, pas gjithë atij rebelimi që ndërtojë një ngërç të turpshëm dhe shumë të dëmshëm për vendin, u kthye aty ku kërkonte të kthehej deputeti Kastriot Islami. Rama më në fund u bind se e vërteta ishte në anën e Islamit, prandaj duhej vrarë atë për të fituar luftën brenda partisë dhe për të forcuar pozitat e tij autoritare.

Fjala kurban rrjedh nga fjala turke që ka kuptimin e viktimës. Rama në udhën e tij të rebelimit i bëri katër viktima (kurbane) gjatë ngjarjes së 21 janarit dhe shumë viktima tjera që pësuan gjatë bllokimit të udhëve. Në fakt Rama në këtë mënyrë bëri kurban edhe vetë Shqipërinë duke penguar integrimet e saj evropiane, përkatësisht duke e lënë atë pa marrjen e statusit kandidat. Edhe goditja e Islamit është një goditje kundër këtyre integrimeve. Për më keq Kastriot Islami është vetëm një nga kurbanet e radhës.

Po çka në fakt duhet të mësojmë ne nga veprimet e këtij tipi egocentrik dhe me ambicie të sëmura për pushtet? Edhe njëherë na u bë e qartë se partitë tona politike janë të ndërtuara sipas modelit autoritar, ku kryetarët ndjehen si pronarë të tyre. Në një gjendje të tillë duket krejt e pamundur të zhvillohen konceptet për një demokratizim të brendshëm. Kjo gjë mbase ka të bëj edhe me kulturën tonë politike dhe nivelin e saj. Liderët partiakë kërkojnë lidhje formale dhe pajtueshmëri absolute me partinë, karakteristikë kjo e kulturës politike provinciale. Në këtë mënyrë partitë nuk kanë më shumë se kuptimin e luftës për fitimin e votave dhe të pushtetit, duke anashkaluar interesin publik, madje në rastin më të keq edhe duke e tjetërsuar atë.

Vërtet kishte momente prekëse në fjalën e deputetit Islami para kolegëve të tij, vetëm pak çaste para se të ndodhte goditja diferencuese dhe e turpshme e Ramës. Islami tha se nuk mund të mos ndiqte gjurmët e familjarëve të tij, të cilët ishin ndjekur dhe persekutuar 30 vite më parë shkaku i së vërtetës, madje po nga paraardhësit e Ramës. Ky fakt e bënte më prekës dhe shumë më goditës aktin e kryesocialistit. Kjo gjë dëshmonte se ky subjekt politik nuk mund të shkarkohet lehtë nga veprimet mbështetur në reminishencat e së kaluarës.

Brenda kësaj partie me një elektorat që ende ruan kujtime të mira për diktatorin Hoxha, zor është të instalohet logjika pluraliste që do të nënkuptonte unitetin në dallime të ideve dhe koncepteve. Nëse deputeti Kastriot Islami ka pasur guximin të kërkojë diellin e tij edhe nën hijen e Ramës, i cili, për hir të së vërtetës duhet thënë se ka hijen e madhe, mbase aq të madhe sa mbulon gjysmën e Shqipërisë, duhet të prodhojë një gjest admirimi dhe motivimi për politikanët, të cilët besojnë se politika pa moral është një porno politikë, mu si trupi i Ramës i shfaqur në plazhet nudiste. 

Marrë me shkurtime nga e përditshmja e Prishtinës “Express”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›