Oratorë të diktaturës dhe ata të demokracisë
Nga sa di, nuk është një temë e trajtuar më vete. Por ka interes të një natyre të veçantë vetëm për vendin tonë, i cili ka tipare që nuk gjenden në vendet e komunitetit europian, por as në vendet pluraliste, përtej kësaj bashkësie. Le të tregohet një vend i vetëm pluralist, në të cilin të kërkohet, me këmbëngulje inatçore, ringritja e një monumenti të një diktatori stalinist! Dhe ku? Jo në një muze të veçantë, ku kureshtarët të shohin, bashkë me krimet e përbindshme të komunizmit, edhe demonstrime të një kulti të individit të shfrenuar, paçka se ky kult ishte kritikuar, në kohën e tij, nga prekursorët e një superideologjie jonjerëzore, që u përhap vetëm për një kohë të caktuar por, - sipas Indro Montanelit dhe analistëve të tjerë seriozë, - do të ishte thjeshtësisht e përkohshme (kjo farë ideologjie) dhe nuk do t’i qëndronte së ardhmes së njerëzimit. Marksi u kritikua rëndshëm për dy premisa kryesore: për ekonominë e centralizuar dhe për diktaturën e proletariatit.
Analistët antimarksistë kishin pasur të drejtë. Sipas tyre, të gjitha vendet e diktaturave komuniste, nuk do të përballoheshin dot me vendet kapitaliste të zhvilluara dhe nuk do të mundeshin t’i përgjigjeshin me sukses kompeticionit me kapitalizmin që, hap pas hapi, korrigjonte gabimet e tij. Ky plasticitet në ekonominë e tregut, e vuri në kushte dukshëm të epërme ekonominë kapitaliste të konkurrencës së lirë, në krahasim me ekonominë e ngurtësuar të kolektivizimit shabllon të fshatarësisë, me kolkoze e me sovkoze, apo me kooperativa bujqësore, në të gjitha vendet e sferës komuniste. Plotësisht të dështuara u paraqitën edhe fabrikat e uzinat me të ardhura të varfra, sepse shumica dërmuese punonin për atë copë rrogë, duke mos pasur stimulin e punishteve të tyre private, ku inovacioni ishte në qendër të vëmendjes, e jo i zëvendësuar nga stakhanovizmi, si në BS. Erdhi një kohë që një mendjehollë si Krushovi, deklaroi sinqerisht në SHBA: - “Një punëtor këtu, në Amerikë, paguhet më shumë sesa unë, në BS!”. Ja çdo të thotë që katastrofa ekonomike e fshatarëve të mbulohet me propagandën e diktaturës së proletariatit dhe gjendjes së mjerueshme të proletariatit i rroftë epiteti hipokrit “hegjemon”! (Në vendin tonë, të parët që ia mbathën nëpër anijet në vendet e “mjerimit” kapitalist, qenë bash këta ‘hegjemonë’ domethënë “të epërm”!
***
Po marrim, për krahasim, 7 gojëtarë të diktaturës dhe 7 gojëtarë të demokracisë: Lenini, Stalini, Trocki, Enveri, Kamenievi, Hitleri, Musolini... (për diktaturat) dhe Çërçilli, Ruzvelti, Kordell Halli, De Goli, De Gasperi, Shumani, Adenaueri...(për demokracitë). Të parët janë oratorë me zë kumbues, me gjestikulacione të theksuara, me fraza kërcënuese. Shkaku është thënë para asteriskëve (para disa radhëve), sepse e ndiejnë mungesën e pluralizmit, janë përfaqësues të totalitarizmit (komunist apo nazifashist) dhe kërkojnë të afirmohen si të plotfuqishëm në UN-in e tyre, pra të jetësojnë kultin e individit. Janë të paepur edhe në dështim, të cilin bëjnë sikur nuk e shohin kur ai bëhet i tejdukshëm, - siç e thamë më sipër. Stalini e dinte mirë se fshatarët po vdisnin nga uria. Ia kishte thënë edhe Nadiezhda, e cila ishte në takime me njerëzit e thjeshtë të pazareve, të stacioneve të trenave dhe të parqeve, nën hije. Por kjo e vërtetë e tërbonte bashkëshortin despot të Nadiezhdës, i cili kërkonte nga e shoqja emrat e “armiqve” që flisnin kundër regjimit! Ajo i thoshte se ishin kalimtarë të rastit...s’i dinte emrat. Ai tërbohej dhe filloi ta terrorizonte bashkëshorten gjersa ajo vrau veten. E njëjta gjë ndodhi edhe me Stalinin e vogël, Enverin. Kol. Sali Ormëni, anëtar i K.Q. dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, bëri një gjest të pazakontë si deputet, në tetor të vitit 1950, kur hapi depozitat e grumbullimit të drithërave dhe ua dha fshatarëve një pjesë të tyre, që ishin rezervuar për farë. Në kohën kur buçiste propaganda e “bollëkut”! Vendimi: Të vritej Ormëni, por të shpallet se vrau veten! Dhe mbeti edhe sot e kësaj dite me eshtra të pazbuluara. U shpall Martir i Demokracisë në vitin 1995.
Duke vazhduar krahasimet, u tregua përse diktatorët janë më zëshpatë, ulëritës me gjeste të tepruara. Ata e kuptojnë se duan të bëjnë të vërtetë mashtrimin. Janë propagandistë të të fshehtave. Dhe synojnë të indoktrinojnë dëgjuesit. Të bëjnë shpëlarje të trurit të dëgjuesve, përmes rritjes së personalitetit të tyre diktatorial. Ndër sovjetikët, Lenini dhe Trocki ishin më ekspresivë. Veçanërisht ky i fundit. Kjo zgjonte një xhelozi dhe smirë djallëzore te Stalini i cili, nuk kishte zërin e përshtatshëm për një orator tribunash. Prandaj më tepër ishte një veprimtar kulisash. Sekretari i Byrosë, Boris Bazhanovi, e kishte zënë një ditë, me kokën ulur nën tryezë, nga e cila ndiqte bisedat telefonike në atë pozicion, në një central të veçantë spiunimi. Ndonëse Bazhanovi kishte të drejtë hyrje-dalje pa trokitur, u largua befasisht, sikur kishte harruar t’i sillte një dokument. Përndryshe do të kishte pësuar fatin e specialistit të K.Q. çek të telefonave. Do të ekzekutohej pa lënë gjurmë. Bazhanovi u arratis menjëherë në perëndim dhe vepra e tij është cituar në bibliografinë e Simon Sebag Montefiores.
Për sa u përket Hitlerit dhe Musolinit, ata që të dy kishin zë buçitës. I pari mundohej të përfitonte nga gojëtaria e Musolinit. Hitleri ishte euforik dhe mbresëlënës dhe kishte mundur të mbante pezull e më gajret një numër të madh të indoktrinuarish prej tij, edhe në gjendjen kur aleatët po u afroheshin Berlinit! Priste bombën atomike dhe i afronte ditët e përdorimit të saj, ndonëse ajo ditë ishte e largët...Musolini ishte ndër oratorët e shquar të totalitarizmit të zi, sepse dëgjohej me kërshëri për koordinimin e zërit me gjestet dhe për spontanitetin e fjalëve të renditura, duke qenë i shkathët që të mos krijonte kakofoni. Vijmë tek E. Hoxha. Sekretari I Qarkut të Elbasanit, Kadri Hoxha, e kishte gjetur në pyjet e Labinotit duke bërtitur e sajuar fjalime. Zëri nuk i mungonte. Ai iu përgjigj vërejtjes së Kadriut- se kishte fshatarë aty afër që e dëgjonin që fliste me veten,- se jemi duke ardhur në fuqi dhe duhet të mësojmë të flasim nëpër tribuna. Foto Bala, që e njihte thellësisht në Shqipëri, në Francë dhe në Belgjikë, dëshmon se u habit që fliste aq rrjedhshëm, ndërsa në rini sikur belbëzonte disi. Madje, shoqja gjimnaziste e Enverit, Sabiha Kasimati, s’e kishte për gjë që ta ironizonte si patëkeq, për këtë defekt të tij të rinisë së hershme. Por fjalimet e Enverit ishin tejet agresive dhe kishin një mungesë tjetër më të rëndësishme: inkoherencën: Njëherë e ngrinte në stratosferë figurën e Abaz Kupit. Nuk vononte që, të njëjtën figurë, ta ulte e ta poshtëronte e ta bënte baltë. Po kështu me Mustafa Gjinishin. Madje edhe me Miladin Popoviçin, kur duhej të mbante versioni e ri, sipas Velimir Stojniçit. Kështu edhe me Mehmetin, që e vuri në rangun e numrit 2; dhe pastaj e quajti poliagjent. Me Titon, me Mao Ce Dunin, të njëjtin qëndrim kundërthënës.. Kështu që njerëzit e dëgjonin veresie. Por mjerë ai që nuk shtirej se e dëgjonte me vërejtje! Aq më tepër po të thoshte ndonjë fjalë, si këto që po shkruajmë, në pijetore, nën efektin e ... rakisë!
Duke folur për atë shtatëshen e gojëtarëve demokratë, ata kanë një tipar të përbashkët: Flasin qetësisht, pa duar e këmbë, duke vënë arsyetimin në krye të rendit. Dinë të të dëgjojnë dhe të respektojnë kohën në panelet televizive. Çërçilli, megjithatë, dallohet për ndonjë ironi të butë, për ndonjë shaka jo të tepruar, për ndonjë batutë që ka lidhje me njohjet e tij të shumta. Dhe mundohet të mos e bëjë këtë për erudicion. Vetëm De Goli ishte paksa i Un-it: - “Moi, De Gaulle!”. Megjithatë dinte të ruante ekuilibrat dhe të respektonte të tjerët. Ishte pluralist i bindur dhe jepte dorëheqjen, në rastet kur duhej ta bënte këtë. De Gasperi fitoi simpatinë ndërkombëtare me fjalën e tij të urtë e të matur dhe me mbrojtjen historike që i bëri krahinave verilindore italiane nga babëzia e Titos. Edhe Shumani dhe Adenaueri ishin vizionarë, së bashku me Alçide De Gasperin dhe jetësuan BE-në, me fjalën e tyre bindëse.
***
Tani vijmë te dy politikanët tanë, Edi Rama dhe Spartak Ngjela. Ata stonojnë në të folurit e tyre, se flasin sikur nuk jetojnë në një vend pluralist. Marrim në shqyrtim kryeministrin e ardhshëm. Është e pamundur që ai të zotërojë duart, në radhë të parë, por edhe këmbët, duke bërë luhatje lart-poshtë. Me duart, të bashkuara gisht më gisht, bën lëvizjen e pandulit të sahatit, majtas-djathtas... Shpesh kjo shoqërohet edhe me përdredhjen e trupit, për shoqërim të duarve. Gjatë të gjithë fushatës zgjedhore, si nuk i tha goja, së paku një herë të vetme, “z. Berisha”. Qoftë edhe për reciprocitet. Se doktori, kurdoherë, për të ndjekur etikën, ndaj kundërshtarit dhe jo ndaj ‘armikut’ e cilësonte kurdoherë me fjalën “zoti” përpara. E kujtoi veten politikan të madh, me oratorinë e tij që i përngjan përfaqësuesve të diktaturës, jo të vendeve pluraliste. Përfundimisht, ndonëse dr. Berisha e mbajti premtimin për zgjedhje të lira e të ndershme (dhe tani është i pakontestuar në këtë premtim), Edi Rama ka marrë vetëm votat e tij (me një marzh plus-minus 0,6 %), gjë që dëshmon se ajo “na e vodhën votat” doli një blof që u bë një lajtmotiv monoton, në përsëritje të pambarueshme, por edhe agresive. Tani, në çdo rishqyrtim, na del PS-ja e Ramës që i ka zhvatur votat PD-së dhe jo anasjellas! S. Ngjela e tha, dhe kafshoi gjuhën, një herë të vetme, se atij ia kishte vjedhur votat Rama, për kandidaturat për kryetar bashkie. Por si ia bëri hallall ky person, atij që ia kishte vjedhur votat në vetë të parë dhe tani na del në krye të zelltarëve më fanatikë, me fjalët e padrejtpeshuara se edhe me 13.000 të vrarë ia vlente që të merrnin pushtetin?! Më parë nxirrte nga goja edhe çudira të tjera: Brenda katër ditëve do ta marrim pushtetin! Por ja që ato pak ditë kalonin shpejt, mor zoti “shok” në shërbim të majtizmit, e ti a nuk na del një anarkist i çartur në këto mënyra?
Dhe mëton jo pak, por ministrinë e Drejtësisë. Por a është parë një shtet pluralist në botë që një anarkist, domethënë një mosnjohës i ligjeve, të japë drejtësi? Megalomanët rrallë janë të pajtueshëm me njëri-tjetrin. Në këtë rast, kryeministri i ardhshëm kishte të tjerë, më të denjë se ai, për postin e ministrit të Drejtësisë. Dhe iu propozua një vend sekondar. Pra, Ngjelës ‘ia vodhën sërish votën’, në njëfarë kuptimi. Dhe ky nuk e pranoi atë vend dytësor! Puna e tij.
Por tani le të vijmë te “Oratoria”. Edhe ky flet me duar e me këmbë, me zgurdullim sysh dhe me varje buzësh, që bashkëbiseduesi në panel të kuptojë se nuk e pranon mendimin e tij; me zgjatje e përsëritje, e përsëritje e zgjatje, e me anekdota personalitetesh që e çojnë në cajtnot të vazhdueshëm. A nuk e kupton se bëhet një figurë anakronike që s’i takon pluralizmit?