E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Luftë për pushtet te Siemensi

31-07-2013 / Gazeta 55

Nga largimi i shefit të Siemensit Lëscher edhe kryetari i bordit mbikqyrës Cromme ndodhet nën trysni. Mbrojtësit e aksionerëve e kundërshtojnë atë dhe kolegët, si ish-shefi i Deustche Bank, Ackermann, rebelohen. Vendimi kundër Peter Lëscher është i padenjë për një korporatë globale, citojnë mediat thënie të disa anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Siemens-it. Fjala është për një "aksion të beftë", apo për një "puç" kundër Lëscher. Ndryshimi që do të bëhet në krye të Siemensit ka çuar në një përçarje të thellë në mes të shefit të bordit mbikqyrës Gerhard Cromme dhe zëvendësit të tij, ish-shefit të Deutsche Bank, Josef Ackermann. Ky kundërshtoi të shtunën e kaluar me forcë rekomandimin e presidiumit të bordit mbikqyrës për heqjen e shefit të Siemens-it Lëscher dhe pasardhësin e mundshëm Joe Kaeser, njofton "Spiegel Online", duke cituar persona që e njohin situatën. Koncerni Siemens njoftoi të shtunën se bordi mbikëqyrës do të zgjedhë të mërkurën një shef të ri kryesie. Shanset më të mira për këtë post i ka ish përgjegjësi kryesor për financat, Joe Kaeser. Siç njofton "Spiegel-Online" Cromme fillimisht kishte planifikuar, që fundjavën e kaluar të arrinte një konsensus për largimin e Lëscherit. Por Ackermann kishte kundërshtuar. Ai dhe dy anëtarë të tjerë në bordin mbikqyrës e vlerësuan largimin e papritur të Lëscherit "të padenjë", citon faqja e lajmeve persona pranë Ackermannit. Prandaj ndoshta të mërkurën ata do të refuzojnë të votojnë për Kaeser. Spekullohet edhe se Ackermann duhet të ketë vetë ambicie për postin e shefit të bordit mbikqyrës. Më tej, duke iu referuar qarqeve të koncernit, thuhet se në vend të Kaeser Ackermann favorizon ndër të tjerë ish-shefin e Siemensit, Klaus Kleinfeld, si drejtues të lartë të koncernit. Një zëdhënës i Ackermannit mohoi njoftimet dhe tha, se ish-shefi i Deutsche Bank nuk ka vendosur akoma, se si do të votojë për zgjedhjen e një kryesie të re të bordit mbikëqyrës. Presioni ndaj 55-vjeçarit Lëscher u shtua edhe më shumë, pasi të enjten e kaluar atij iu desh të revokojë objektivin e synuar të të ardhurave prej dymbëdhjetë për qind deri në vitin 2014. Fillimisht Lëscher kishte refuzuar dorëheqjen duke e ndërlidhur atë më largimin e Cromme-s. Të hënën ai pastaj u tërhoq. "Unë jam i interesuar vetëm për të mirën e Siemensit dhe të 370.000 punonjësve të Siemensit, të cilët janë me të drejtë krenarë për kompaninë e tyre", tha ai për gazetën "Bild". Tashmë po negociohet për një ndarje në ujdi, u tha në rrethet e koncernit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›