E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orë letrare në Ljubljanë

Me rastin e katërvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Shoqata e miqësisë shqiptaro-sllovene ‘Dardania’ në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve të Sllovenisë organizoi në Ljubljanë një mbrëmje letrare të titulluar ‘Mbrëmja e Rifat Kukajt’.

Në ambientet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Sllovenisë, ku ishin të ftuar shkrimtarë, artistë, intelektualë dhe albanologë, u kujtua vepra dhe jeta e shkrimtarit të njohur kosovar Rifat Kukaj. Fillimisht pjesëmarrëseve iu drejtua kryetari i shoqatës së miqësisë shqiptaro–sllovene Dr. Agron Millaku, i cili i informoi të pranishmit për synimet e shoqatës për ta promovuar, ruajtur dhe kultivuar identitetin shqiptar në Republikën e Sllovenisë si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në mes dy kulturave në të ardhmen.

Më pas foli kryetari i shoqatës së shkrimtarëve slloven, Veno Taufer, i cili tha se është shumë i mallëngjyer pasi qe ky manifestim po ia kujton kohën kur në ketë objekt kishte pasur rast ta njihte edhe presidentin e ndjerë Ibrahim Rugovën dhe shkrimtarë të tjerë si Rifat Kukaj, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli etj. Ai përgëzoi për iniciativën e mirë dhe ofroi mundësi të bashkëpunimit, duke ngritur edhe idenë e përkthimit të veprave të autorëve të njohur shqiptarë në gjuhën sllovene dhe anasjelltas.

Mbrëmjen e nderoi edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë Sandër Kovaçi. Më pas gazetari dhe albanologu Drago Flis në gjuhën sllovene dhe shqipe shpalosi krijimtarinë e begatë të Rifat Kukajt, duke vënë theksin në romanin ‘Lepuri me pesë këmbë’, i cili është i përkthyer në gjuhën sllovene si dhe fitues i çmimit letrar ‘Oto Zupancic’ në Lubjanë. Albanologu slloven evokoi edhe disa detaje të takimeve të tij me Kukajn. Ai ndër të tjera shtoi se ishte i impresionuar nga zemërgjerësia e tij po edhe e shkrimtarëve shqiptarë të cilët nuk e kanë të vështirë që librat e tyre edhe t’i dhurojnë, veti të cilën ai e përshkroi si e artë dhe e cila dallon, siç potencoi ai, nga shkrimtarët sllovenë.

Poezinë dhe prozën e shkrimtarit R. Kukaj tek të pranishmit e sollën në të dy gjuhët Shqipe Millaku dhe Meta Lokar si dhe u lexuan poezi të shkrimtares sllovene Neza Maurer, e cila ishte përkthyer nga krijuesi ynë Rifat Kukaj. Ndërsa në debatin për dialogun ndërkulturor folën edhe studiues tjerë si Marijanca Ajsa Vizintin, Ramadan Marmullaku dhe shkrimtarë të tjerë të cilët shprehën domosdonë e njohjes dhe respektimit të kulturave të të dy vendeve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›