Orebro kërkon Ramën

Valdet Rama karrierën mund ta vazhdojë në elitën e futbollit suedez. Skuadra suedeze, Orebro ka zgjuar interesim për t’i siguruar shërbimet e sulmuesit të përfaqësueses së Kosovës, i cili aktualisht është pjesë e klubit nga Bundesliga gjermane, Hannover.
Madje, udhëheqësit e Orebros tashmë veç i kanë bërë ofertë zyrtare sulmuesit kosovar. Ndërsa, tani ka mbetur që 23-vjeçari të vendosë për ta pranuar apo refuzuar këtë ofertë.
Lajmin e ka bërë të ditur një burim i gazetës Express, shumë i afërt me futbollistin. Madje, sipas këtij burimi, Rama të martën veç ka qenë për vizitë në qytetin e këtij ekipi. Aty Rama është takuar me trajnerin e Orebros dhe me zyrtarë të tjerë të kësaj skuadre.
“Valdeti ka marrë ofertë zyrtare nga Orebro dhe ka mbetur që në ditët e ardhshme të vendosë për ta pranuar apo jo ofertën. Para se ta merrë vendimin përfundimtar, Valdeti të martën ka qëndruar në Suedi, ku e ka vizituar gjatë gjithë ditës qytetin, stadiumin, për ta shikuar mundësinë se a mund të adaptohet në atë vend. Ai po ashtu është takuar edhe me trajnerin dhe zyrtarë tjerë të Orebros”, ka thënë ky burim.
Sipas këtij burimi, Rama paraprakisht kishte marrë leje nga drejtuesit e Hannoverit për ta vizituar Orebron, derisa gjasat janë shumë të mëdha që ta pranojë ofertën e drejtuesve të klubit suedez, pasi ai po kalon nëpër një periudhë të vështirë në klubin gjerman.
Rama ende nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje në këtë sezon me skuadrën e Hannoverit në Bundesligë, edhe pse është në formë të mirë. Trajneri i Hannoverit, Mirko Slomka nuk e preferon sulmuesin me prejardhje nga Mitrovica, të cilin përveç që nuk e ka inkuadruar në lojë, rrallëherë e ka ftuar edhe në 18’sh.
Kjo situatë e ka shtyrë Ramën të mendojë seriozisht për largim nga skuadra e Hannoverit, pavarësisht faktit se ka kontratë me këtë klub deri në verë të vitit 2012. Por, gjermanët janë të gatshëm që Ramën ta lirojnë para kohe nga kontrata, nëse gjen angazhim në ndonjë skuadër tjetër.
Ish-sulmuesi i Wolfsburgut në Hannover qe transferuar në vitin 2009 nga Ingolstadt 04. Nëse Rama transferohet në Orebro, aty do ta gjejë futbollistin tjetër kosovar, Denis Abdullahin.
Madje, ky numër mund të rritet, pasi sulmuesi tjetër kosovar, Kushtrim Lushtaku me sukses i ka kryer provat në këtë skuadër. Kështu, drejtuesit e Orebros, sipas mediave suedeze, veç po negociojnë rreth kushteve ekonomike me Lushtakun dhe menaxherin e tij. Sezonin e kaluar në Orebro ka luajtur edhe mesfushori tjetër kosovar, Astrit Ajdareviç.