E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa te kurbetçarët

Trajnerët e përfaqësueseve të Kosovës në futboll, basketboll dhe hendboll llogarisin shumë në sportistët që luajnë nëpër shtete të ndryshme evropiane. Sipas tyre, lojtarët nga diaspora janë dukshëm më të mirë në shumë aspekte sesa ata që luajnë në Kosovë. Nga Valon Konushevci më 16 shkurt 2011 në ora 14:44

Përzgjedhësit e përfaqësueseve të Kosovës në futboll, basketboll dhe hendboll bazën e skuadrës gjithmonë synojnë ta ndërtojnë me lojtarë të cilët aktivizohen nëpër liga të shteteve të huaja.

Selektorët kosovarë besojnë se përfaqësueset në futboll, basketboll, hendboll, por edhe në disa sporte të tjera do të jenë shumë më të forta nëse në to inkuadrohen sportistët nga diaspora.

Trajneri i skuadrës kosovare në futboll, Albert Bunjaku, thotë se futbollistët nga diaspora janë shumë më të zhvilluar pasi luajnë nëpër liga shumë më të forta se Superliga e Kosovës.

“Realisht, kualiteti i ligës së Kosovës nuk është as sa i ligave të regjionit, e lëre më me ligat e tjera evropiane. Për mua si elektor, nuk ka lojtarë të Kosovës dhe lojtarë që gjenden jashtë Kosovës. Për mua të gjithë janë të njëjtë – lojtarë kosovarë. Por, unë e bëj dallimin te lojtarët e mirë dhe shumë të mirë. Andaj, lojtarët më të mirë do të luajnë për përfaqësuesen”, thotë Bunjaku, i cili është i bindur se brenda një viti skuadra kosovare do të bëhet jashtëzakonisht e fortë.

“Duhet të jemi realë, sepse lojtarët që luajnë nëpër liga të tjera evropiane janë më mirë të përgatitur në shumë aspekte. Por, ne jemi duke krijuar konkurrencë dhe çdo futbollist duhet ta ketë të qartë se e pret një konkurrencë e fortë për të hyrë në përfaqësuese. Brenda një viti ne do ta bëjmë një ekip shumë të fortë dhe jemi në rrugë të mirë”, tha Bunjaku.

Njëjtë është shprehur edhe selektori i përfaqësueses së hendbollit, Alfred Llazari, i cili po ashtu llogarit shumë në shërbimet e lojtarëve kosovarë që luajnë jashtë vendit.

“Në Kosovë kemi shumë talentë, por nuk punohet nëpër klube me ta, sepse kriza financiare e ka bërë të veten. Shkaku i krizës financiare as në përfaqësuese nuk po mund të punojmë si duhet. Kur i kemi pak para tubohemi, kur s’kemi, nuk tubohemi”, tha Llazari.

Ai kujtoi se lojtarët në të cilët llogarit për të ardhmen punojnë jashtëzakonisht shumë në klubet përkatëse të shteteve të tjera. “Do të jemi të detyruar t’i ftojmë lojtarët kosovarë të cilët gjenden jashtë vendit, sepse ata me klubet e tyre stërvitin rregullisht dhe nëpër klubet e tyre bëhet punë profesionale. Ata janë shumë më të përgatitur”, pohoi ai.

Ndërkohë, edhe selektori i përfaqësueses së basketbollit, Arben Krasniqi ka bërë të ditur se llogarit shumë në lojtarët kosovarë që gjenden nëpër shtete të huaja. Madje, Krasniqi në bashkëpunim me drejtorin e kësaj përfaqësueseje, Habim Ademin tashmë e kanë nisur procesin për t’i ftuar në skuadër rreth 15 basketbollistë nga mërgata.

“Besoj se do ta ndërtojmë një përfaqësuese të fortë, me gjithë këta basketbollistë kosovarë që aktualisht gjenden jashtë vendit në kombinim edhe me këta që i kemi në Kosovë. Në përfaqësuesen tonë do të inkuadrohen lojtarët më meritorë. Përfaqësuesja jonë do jetë një ekip i mirë, konkurrent i përfaqësueseve të tjera të shteteve të rajonit”, ka thënë Ademi, në një intervistë për Express të hënën.

Jo vetëm Kosova llogarit në lojtarët kosovarë që luajnë jashtë vendit. Sidomos në futboll, shumë përfaqësueses të huaja kanë në radhët e tyre lojtarë me prejardhje nga Kosova.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›