Organizim i çorganizuar mirëNga Sadedin ÇelikuDitët e fundit veriu i Shqipërisë, Lezha e Shkodra, po përjetojnë një dramë të vërtetë, që nuk e kishin përjetuar kurrë në këtë mënyrë. Pikërisht këto dy qytete kanë kaluar një situatë të ngjashme, tërme
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Organizim i çorganizuar mirëNga Sadedin ÇelikuDitët e fundit veriu i Shqipërisë, Lezha e Shkodra, po përjetojnë një dramë të vërtetë, që nuk e kishin përjetuar kurrë në këtë mënyrë.
Pikërisht këto dy qytete kanë kaluar një situatë të ngjashme, tërmetin e fuqishëm më 15 prill 1979, dëmet e të cilit u riparuan brenda pak muajsh.
Natyrisht që sistemi i kaluar nuk kishte struktura të posaçme në raste fatkeqësish, por çuditërisht gjithçka funksiononte shumë mirë dhe solidariteti ishte edhe më njerëzor.
Në zonat e dëmtuara, veçanërisht në Shkodër, sipas burimeve zyrtare, janë dëmtuar mbi 2500 shtëpi dhe qindra shtëpi janë nën ujë, evakuuar mbi 5000 njerëz dhe mbi 10 mijë hektarë tokë e punueshme është përmbytur.
Sigurisht që në të tilla raste nuk mungon solidariteti njerëzor dhe përkrahja ndaj banorëve të dëmtuar.
Janë për t’u falënderuar ndihmat monetare e materiale të ofruara nga qeveritë e Kosovës, Italisë, Maqedonisë, Greqisë, nga NATO, nga bashkitë e mëdha të Shqipërisë, nga kompanitë celulare, bankat etj.
Ajo që të bën përshtypje është se Drejtoria e Emergjencës Civile, e krijuar me ligjin nr. 8756, datë 26.03.2001, duhet të përmirësohet urgjent, të mbështetet e fuqizohet me fonde nga shteti dhe me materiale të domosdoshme për të përballuar të tilla situata.
Është turp për Shqipërinë të mos kemi rezerva të mallrave të shportës, çadra, gomone dhe pajisje të tjera që kthejnë në normalitet jetën e njerëzve të prekur nga fatkeqësitë dhe të presim nga vendet fqinje. Në tregjet tona u panë çizme me dyfishin e çmimit, sepse u rrit pjaca.
Pse, kaq shtet i varfër jemi ne?
Paaftësia e shtetit, e qeverisë u pa në Gërdec, kur u hutua gjithë qeveria dhe u desh shumë kohë që pasojat të eliminohen (dikur funksiononte rezerva e shtetit, që kishte, përveç mallrave të shportës, edhe veshmbathje, njerëz të trajnuar për këto raste).
Afërsisht çdo vit jemi goditur nga 4-5 tërmete dhe një herë në 25 vjet jemi goditur me tërmete 9 ballë. Çdo vit Lezha është përmbytur dhe asnjëherë nuk është nxjerrë përgjegjësi për mosfunksionimin e hidrovoreve apo për miliona dollarë që kanë ngrënë argjinaturat, dhe tashmë na paraqitet e njëjta situatë.
U panë këto ditë zotërinjtë Basha, Ruli, Prifti e ndonjë tjetër tek dilnin në debate televizive për të bindur opinionin publik se ata e kanë bërë detyrën dhe janë pa faj. Por krejt ndryshe, ne vumë re një çorganizim të çuditshëm, ku të krijohej përshtypja se shikoje shfaqje e dokumentarë. Çfarë bëjnë zyrat e emergjencës civile të rrethit? Po ajo e përgjithshme? Asgjë.
Fatkeqësitë e ndodhura rresht si tërmeti në Peshkopi, shpërthimi i Gërdecit dhe tani përmbytjet në Lezhë e Shkodër duhet të na motivojnë për të ngritur një strukturë të krijuar enkas për këto raste, sepse Shqipëria nuk është vend me imunitet.
Njerëzit që do duhet të punojnë në ato struktura, duhet të jenë të aftë të përballojnë këto situata. Ligji i Emergjencës Civile në fuqi i ngjan viteve 1980, ku çdo gjë e kishte kryetari, shtabi, komisionet, anëtarët etj. Në këtë ligj ndër të tjera thuhet: “...parashikon e përcakton sistemin e planifikimit, parandalimit dhe linjën e drejtimit për përballimin e emergjencave”. Pra, siç e shikojmë, as që bëhet fjale për parandalim dhe as ndalim. Edhe neni që bën fjalë për mbrojtjen nga zjarri duhet përmirësuar, sepse edhe në këtë sektor kemi dobësi.
Si përfundim, çorganizimi i vënë re në situatën e tanishme është dhe produkt i legjislacionit, që tashmë nuk është funksional dhe me efektivitet. Organizimi nuk bëhet vetiu, çdokush duhet të dijë të drejtat e detyrat e tij institucionale, se vetëm kështu do të mund të përballojmë me sukses këto situata.
Ishalla nuk kemi më!