E Diel, 1 Nëntor 2026

Përtej fatkeqësisë Nga Ajet DelajAshtu si vetë jeta, edhe fatkeqësitë janë bashkudhëtare të njerëzimit dhe padyshim gjatë tërë historisë së jetës njerëzore jemi përpjekur dhe përgatitur që fatkeqësitë të shmangen sa të jetë e mundur, e kur ato kanë q

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Përtej fatkeqësisë Nga Ajet DelajAshtu si vetë jeta, edhe fatkeqësitë janë bashkudhëtare të njerëzimit dhe padyshim gjatë tërë historisë së jetës njerëzore jemi përpjekur dhe përgatitur që fatkeqësitë të shmangen sa të jetë e mundur, e kur ato kanë qenë të pashmangshme, jemi përgatitur që t’i përballojmë me kosto sa më të ulët.
Sa i përket çështjes së shmangies e përballimit të fatkeqësive natyrore apo njerëzore, ka të bëjë shumë shkalla e organizimit të shoqërisë, pra vetë emancipimi i saj, çka nënkupton shkallën e organizimit të shtetit e reagimin e tij, jo vetëm në përballimin e situatave emergjente, por punën e përditshme të tij për t’i shmangur e përballuar situatat emergjente.
Shoqëria, shteti, duhet të punojnë e mendojnë që dita e zezë mund të vijë. Shoqëritë e emancipuara e shtetet e tyre të organizuara kanë përgatitur një duzinë ligjesh, të mbështetura nga struktura efikase për të parandaluar apo ulur koston e fatkeqësive njerëzore apo natyrore, në funksion të ruajtjes së jetës së njerëzve e pasurisë së tyre private e shoqërore, e në fund të fundit pagimin e plotë në vlerë të humbjeve të pësuara, me synimin final normalizimin sa më parë të jetë e mundur të jetës së individit apo komunitetit.
Në parantezë dhe në funksion të rëndësisë së pazëvendësueshme të njeriut, në funksion të përshtatjes së natyrës në funksion të jetës së tij, dëshiroj të theksoj diçka rreth tokës së bekuar amerikane, që nuk ka qenë e tillë në vitin 1621, kur 110 anglezët e parë zbritën në brigjet lindore të kontinentit amerikan, ku vetëm dimrin e parë vdiqën 55, e po të mos kishin qenë indigjenët vendas, do kishin vdekur të gjithë.
Mrekullia amerikane është bërë me një vizion të qartë e punë kolosale të shtetarëve e kombit amerikan në dy shekujt e fundit, dhe pa frikë mund të them se asnjë pjesë e territorit amerikan nuk është më e pasur për sa i përket vlerave dhe larmisë për atë çfarë ka dhënë Zoti sesa territori i kombit tonë, por fatkeqësisht na kanë munguar liderët vizionarë, që jo vetëm të kenë dëshirën për të ndërtuar shtet, por edhe të dinë ta bëjnë atë punë.
Shqiptarët duhet ta kenë të qartë se çelësi i kapërcimit të të gjitha vështirësive e fatkeqësive për shoqëritë e lira, mbetet konkurrenca e vlerave, ideve e burimeve njerëzore, materiale e monetare, me synimin e qartë që shoqërisë t’i ofrohet mundësia që gjithnjë të zgjedhë cilësoren në shërbim të interesit të saj.
Në një sistem kapitalist e në shoqëri të lira, një ndër strukturat më efikase në ruajtjen, perfeksionimin e zbatimin e rregullave dhe ligjeve që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e të tëra aktiviteteve njerëzore mbetet sistemi i siguracioneve, që funksionojnë në bazë të ligjeve të shtetit, por operojnë sipas rregullave të tregut të lirë në fushën financiare.
Që të kuptohemi, shteti ka krijuar strukturën ligjore, ku nuk lejon asnjë lloj aktiviteti privat apo shtetëror të pasiguruar, e vlera e siguracioneve përcaktohet nga konkurrenca e lirë e kompanive të siguracioneve në tregun kombëtar e global.
Kompanitë e siguracioneve, duke synuar që të paguajnë sa më pak të jetë e mundur dëmshpërblime për aksidentet apo dëmet e shkaktuara, kërkojnë zbatimin me korrektesë të rregullave të sigurimit teknik e profesional të të gjitha aktiviteteve private e shoqërore, e në raport me zbatimin e krijimin e këtyre kushteve kërkojnë prim të ndryshëm sigurimi.
Nëse për të njëjtin aktivitet një kompani, në shkelje të rregullave e ligjeve në fuqi, ka pasur disa aksidente e lëndime, kompania e sigurimeve kërkon natyrshëm më shumë pará për siguracionet, e në rastin më të keq, kur ushtruesi i aktivitetit apo biznesit nuk arrin që të gjejë kompani që të sigurohet, atëherë është i detyruar të ndërpresë aktivitetin, pasi shteti nuk i rinovon licencën e aktivitetit.
Siguracioni i automjeteve këtu në Amerikë është në varësi të rekordit që ke në drejtimin e automjetit dhe shkon deri në heqjen e përkohshme e të përhershme të së drejtës së drejtimit të automjetit, e natyrshëm siguracioni i makinës rritet ndjeshëm në raport me përkeqësimin e rekordit.
Inspektorati i Shtetit dhe inspektorët e kompanive të sigurimeve, jo vetëm bashkëpunojnë në funksion të respektimit të ligjit në sektorin e ndërtimeve, por të ndjekin në ndërtimin e shtëpisë private që në hapjen e themeleve e gjatë tërë procesit të ndërtimit të saj sipas kushteve teknike e qëndresës kundër zjarrit.
Sigurimi i shtëpive, rezidencave private, publike apo shtetërore është i detyruar me ligj e natyrisht kompanitë e siguracioneve paguajnë në vlera reale dëmin e shkaktuar nga fatkeqësitë.
Çfarë e bën vital e funksional sistemin perëndimor është se inspektori i shtetit e ka shefin, kurse inspektori i siguracioneve ka shefin e tij privat, gjë që garanton mirëfunksionimin e rregullave e ligjeve në fuqi.
Në këtë mënyrë sistemi i siguracioneve në vendet perëndimore ndikon në mirëfunksionimin e rregullave e ligjit duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëfunksionimin e shtetit, duke i lënë shtetit gjatë emergjencave civile vetëm reagimin e parë me çadra, ujë e ushqime, pasi zhdëmtimin e dëmit e normalizimin e jetës e marrin përsipër me ligj kompanitë e sigurimeve.
Ndonjëri mund të thotë se sistemi i siguracioneve kërkon pará të madhe dhe ne jemi vend i vogël dhe i varfër, por për këtë mund të them se sistemi i siguracioneve funksionon mbi bazën e rregullave të tregut të lirë, bazuar mbi vlerën e tregut të mallit të siguruar.
Kryeministri i sotëm, i djeshëm e pardjeshëm, e deri te kryeministri komunist i 1979 deklarojnë njëlloj se “do ju dëmshpërblejmë deri në qindarkën e fundit nga buxheti”, kur buxheti normalisht ka vetëm taksat e asnjë lloj primi siguracionesh aktiviteti apo pasurie. Ku do i marrë qeveria paratë për kompensimet?
Meqë Shqipëria është një territor sizmik, çfarë do të bëjë qeveria në kushtet e një katastrofe sizmike, kur qorrazi ka lejuar për njëzet vjet sektorin e ndërtimeve jashtë çdo kriteri teknik e ligjor?
Premtimet demagogjike të pagesës së dëmit të shkaktuar nga fatkeqësi natyrore apo njerëzore nga buxheti i shtetit janë praktikë e filozofi komuniste dhe ky premtim bëhet me aq shpejtësi sa gjithnjë mendja të shkon se halli qëndron te mbulimi i masave preventive e parandaluese, të munguara nga strukturat e shtetit nga maja në fund.
Mënyra më e mirë e parandalimit dhe përballimit të fatkeqësive natyrore apo njerëzore është ndërtimi i sistemit kapitalist me të tëra strukturat e tij përbërëse si me eficienti e produktivi i provuar gjer tani në Perëndimin e zhvilluar.
Fatkeqësitë natyrore apo njerëzore duhet të shërbejnë si shtysa të fuqishme për tërë shoqërinë për të marrë masa efikase në parandalimin e përballimin e fatkeqësive natyrore e njerëzore e jo siç ka ndodhur rëndom në vitet e fundit, ku në vend të masave energjike për ristrukturimet apo ndërrimet e qeverive e ndryshimin e situatave, kemi zgjedhur braktisjen e atdheut duke rrezikuar dhe dhënë jetën nën breshëritë e plumbave në malet e Greqisë apo në ujërat e Adriatikut.
Jeta është luftë e atë e fitojnë guximtarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›