E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i KESH-it, të interesuara kompani europiano-perëndimore



Përfaqësues të kompanive më të mëdha të energjisë elektrike nga vendet e Europës Perëndimore morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët me temë "Privatizimi i sektorit të Shpërndarjes së energjisë në Shqipëri". Kjo tryezë ishte e organizuar nga USAID-i dhe IFC-ja, dy institucione, të cilat këshillojnë dhe afrojnë konsulencën ligjore, rregullatore për privatizimin në sektorin e energjisë në Shqipëri. Në seminar merrnin pjesë përfaqësues nga kompanitë kryesore të energjisë në Europën Perëndimore, si “ENEL”, “EVN”, “E.ON”, “EnBW”, "Siemens", “CEZ”, "RWE Power", "Union Fenosa", “AES”, "E-Steimark", të cilët janë të interesuar për privatizimin e OSSH-së. Gjithashtu, merrnin pjesë drejtues të IFC-së, USAID-it, të "Pierce Advod", të ERE-s, KESH-it, si dhe donatorëve të huaj. Politikat e qeverisë shqiptare në tregun energjetik, roli i tregut në sektorin e energjisë, performaca, targetet e të ardhmes dhe proceset e ristrukturimit të KESH-it, si dhe koha e privatizimit të sektorit të energjisë, ishin disa prej çështjeve që u diskutuan në këtë takim. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, prezantoi të gjithë programin e qeverisë për privatizimin e OSSH-së, kuadrin ligjor që i ka paraprirë këtij procesi, performancën e re të KESH-it, që ka arritur rezultate pozitive gjatë vitit 2007 etj. Ministri Ruli u ndal në ligjet e reja të ndërmarra nga qeveria gjatë vitit 2007, si ai për koncesionet, për partneritetin publik dhe privat, që pritet të ketë ndikime të reja mjaft pozitive në tregun e prodhimit të energjisë në vendin tonë, etj. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Gjergj Bojaxhi paraqiti karakteristikat kryesore dhe rezultatet që ka arritur KESH-in në prag të privatizimit të OSSH-së. Ndërsa kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta, paraqiti kuadrin e ri rregullator për ligjin e ri për energjinë, modelin e ri të tregut, si dhe metodologjinë e re për tarifat e energjisë.

9 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›