E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patrick Moore: Leksioni i Kosovës për Serbinë

Nuk njoh vend tjetër në botë, si Kosova, ku pakica sa 5 për qind e popullatës të ketë 10 vende në Parlamentin me 120 deputetë

Më 22 korrik, Serbia përjetoi një disfatë tjetër. Nga fillimi i viteve ‘90 nisi dhe humbi katër luftëra: në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. 

Por, disfata kësaj radhe ndodhi në zyrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, si përgjigje për një çështje që vetë Serbia e kishte iniciuar. 

Fillimisht Serbia zgjodhi vendin e betejës (Hagën), pastaj kësaj çështjeje i dha rëndësi të madhe politike e juridike dhe përfundimisht pësoi disfatë.

Argumentet e saj juridike kundër pavarësisë së Kosovës tash janë të vdekura. Para shkurtit të vitit 2008, po këta liderë të Serbisë kishin vënë theksin te disa argumente të tjera që po ashtu kanë vdekur – ata kishin parashikuar se në Kosovë do të ketë kryengritje dhe jo stabilitet. 

Dhe trazirat e vetme erdhën nga serbët. Trazirat erdhën nga bandat në veri të Mitrovicës, nga udhëheqja e korruptuar në Banja Llukë që bllokon reformat kushtetuese në Bosnjë dhe nga udhëheqja e Beogradit që refuzon t’i lërë kosovarët të ndërtojnë të ardhmen e tyre. 

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, u kushtoi shumë para taksapaguesve serbë, duke fluturuar nëpër gjithë globin për të bërë probleme për kosovarët. 

Duke pasuar vendimin e GJND-së, Beogradi zyrtar tashmë duket se ka dështuar edhe në argumentin e tretë, sipas të cilit nuk është e drejtë që kosovarët “të marrin të gjitha” dhe serbët “asgjë”. 

Kanë harruar se plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës përmbajnë shumë gjëra për serbët. Nuk njoh vend tjetër në botë ku pakica që përbën 5 për qind të popullatës të ketë të garantuar 10 vende në Parlamentin me 120 deputetë. 

Dhe kuptohet, ne gjithashtu mbajmë mend një rregull politike nga antika, sipas së cilës popujt që fillojnë dhe humbasin luftëra duhet të presin të humbasin edhe territore. 

është koha që Beogradi të ndërpresë praktikën e shfrytëzimit të Kosovës për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme, në vend që të luftojë krimin, korrupsionin dhe varfërinë. 

Serbia duhet të kërkojë integrimet europiane dhe të pushojë së qeni burim i jostabilitetit në Ballkan. 

Ashtu siç i tha zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në bisedën telefonike, Beogradi duhet të punojë “në frymë konstruktive për të zgjidhur çështjet praktike me Kosovën dhe të avancojë jetën e popullit në Kosovë, Serbi dhe rajon”.
Vendimi i GJND-së ishte mësim edhe për të tjerët që tentuan ta ndalnin Kosovën të ndërtonte të ardhmen e vet në paqe. 

Zëdhënësi i Stejt Departamentit e ftoi Europën të bashkohet pas së ardhmes së përbashkët, ndërsa disa orë më vonë Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Clinton, tha se “Kosova është shtet i pavarur, ndërsa territori i saj i paprekshëm”. 


Hagë: Ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, pas vendimit të GJND-së. I ftojmë të gjitha vendet të lëvizin përtej çështjes së statusit të Kosovës dhe të angazhohen në formë konstruktive në mbështetje të paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Ne i ftojmë të gjitha vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Mesazh shumë i qartë. është apel i drejtpërdrejtë i vendeve që kanë refuzuar ta njohin Kosovën për shkak të problemeve të brendshme, siç janë Spanja, Rumania, Sllovakia, Qipro dhe aleati i besuar i Serbisë, Greqia.

GJND-ja e ka bërë të qartë se rasti i Kosovës ishte special dhe nuk ka asnjë kuptim të krahasohet me Kataloninë, Transilvaninë, Sllovakinë e jugut, Qipron Veriore ose të tjera. Ka ardhur koha për Spanjën dhe të tjerët që t’i zgjidhin problemet e tyre të brendshme, pa u bërë barrë e Kosovës. 

Kuptohet, askush nuk mund të presë që diktaturat autoritare siç janë Rusia dhe Kina të mësojnë nga GJND-ja dhe rrjedhimisht reagimet negative nga Moska dhe Pekini nuk paraqesin befasi.

Për fat të keq, edhe ndonjë demokraci europiane, siç është Sllovakia, duket e pavullnetshme për të mësuar leksionin. 

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Mikulash Xhurinda, thotë se vendimi i GJND-së “nuk ka ndryshuara asgjë” për Sllovakinë. Asgjë!? GJND-ja shpartalloi gjithë argumentimin juridik të Serbisë! 

Mbase është koha që zonja Klinton dhe kolegë të tjerë të saj ta kujtojnë zotin Xhurinda, se qeveria e tij duhet të zgjidhë problemin me hungarezët, por jo në formën që kosovarët të paguajnë çmimin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›