E Shtunë, 31 Tetor 2026

Organizon zgjedhjen e kriminelit të preferuar

Nga Express më 27 prill 2011 në ora 18:30

Të gjithë e njohin si sherifi më i ashpër i Amerikës, për vrazhdësinë e tij ndaj të burgosurve dhe deklaratat shokuese në Arizona. Por kohët e fundit, fama e Joe Arpaio, sherif i qarkut Maricopa, ka marrë dhenë, falë një iniciative që ka përçarë opinionin publik amerikan.

Arpaio publikon periodikisht në websajtin e qarkut fotografitë e personave të arrestuar dhe i kërkoi banorëve të votojnë foton e ditës. Por sondazhi inter-aktiv, i ideuar prej tij ka tërhequr shumë dhe me shpejtësi bashkëqytetarët e tij, të cilët vizitojnë tashmë çdo ditë faqen për të votuar kriminelin e preferuar.

Siç raportojnë mediat amerikane, imazhet që duket se tërheqin më shumë vëmendje janë ato të të burgosurve të çrregullt, me fytyra të pazakonta dhe ndonjëherë unike. Poshtë fotografive shfaqen edhe data e arrestimit të tyre bashkë me emër e mbiemër.

Por ajo që nuk u ka pëlqyer shumë shoqatave të të drejtave të njeriut, është fakti abuzues se në websajt publikohen edhe fotografi apo të dhënat e personave që ende nuk janë dënuar.

Por nga ana e tij, Joe Arpaio, i cili rizgjidhet gjithnjë, që nga viti 1992, në postin e sherifit të qarkut dhe që kontrollon mbi 10 mijë të burgosur në burgun e Maricopa, nuk i jep rëndësi kritikave, por vazhdon me filozofinë e tij të tolerancës zero ndaj krimit.

“Dua që njerëzit të shohin nëse fqinji i tyre është arrestuar”, thotë sherifi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›