E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi mbështet Rexhepin për kritikat ndaj EULEX-it

Nga Express më 27 prill 2011 në ora 18:02

(E plotësuar) Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka mohuar të ketë përplasje mes institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, ndërkohë që ka dalë në mbrojtje të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili verbalisht ka nisur ‘betejën’ me misionin evropian në Kosovë, për ç’gjë është kritikuar nga zëvendësshefi i EULEX-it, Endi Sparks, i cili ka thënë se do të kërkojë raport nga Rexhepi, pse ‘Kosova nuk i sheh hajr EULEX-it’.

Kuçi ka thënë të mërkurën se nuk dëshiron të merret me deklaratat individuale, por ka theksuar se ministri Rexhepi nuk e ka kritikuar EULEX-in për punë, por për mospunë.

“Unë nuk merrem me deklarata individuale, por ajo që mund të them është se edhe ministri Rexhepi, edhe unë dhe të tjerët, dëshirojmë rend dhe ligj dhe këtu dëshirojmë të kemi bashkëpunimin me EULEX-in. Nuk po e kritikon zoti Rexhepi EULEX-in, pse po punon, por pse s’po punon. Edhe mua ka dikush të drejtë të më kritikojë në këtë drejtim. Ndërsa me zotin Sparks besoj se ka raporte korrekte edhe zoti Rexhepi edhe të tjerët”, ka thënë Kuçi.

I pyetur pse po e pengon EULEX-in angazhimi i institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, ai ka thënë se përgjigje për këtë do të jepte në praninë edhe të EULEX-it, përderisa ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë jetë këmbëngulëse për ‘drejtimin e kurrizit pa e thyer’, që nënkupton bashkëpunimin me EULEX-in, por gjithnjë duke pasur parasysh obligimin ndaj qytetarëve dhe tërësisë territoriale të vendit.

“Mendoj që këtë pyetje duhet të na bëni kur jemi bashkë, edhe ne edhe EULEX-i. Unë do ta jap përgjigjen adekuate. Por do të them se Qeveria e Kosovës ka qenë e durueshme ka qenë e kujdesshme. E kam thënë njëherë por po e përsëris, se ne kemi dashur që ta drejtojmë kurrizin pa e thyer. Dhe kjo ka nënkuptuar bashkëpunimin me EULEX-in. Ne bashkëpunojmë me EULEX-in, me KFOR-in dhe të tjerët, për aq sa ne vendosim rend dhe ligj atje. Nëse rendi dhe ligji, dikush i bën kalkulimet politike më të mëdha se ne, ne kemi obligim edhe para të gjithëve, por kemi obligim para qytetarëve dhe tërësisë territoriale të vendit tonë”, është shprehur Kuçi.

Sparkes i hidhëruar me Rexhepin

Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes, tha sot se do të kërkojë sqarim nga ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, i cili në deklaratat e tij e ka vlerësuar jo efikase punën e zyrtarëve të misionit evropian për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Ai gjatë një konference të përbashkët për media të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, ka thënë se do të kërkojë takim të menjëhershëm me ministrin Rexhepi, në mënyrë që të dijë se cila është arsyeja, e cila e ka shtyrë këtë të fundit të dalë me vlerësime të tilla.

“Mendoj se këtë pyetje do t’ua bëja juve. A mendoni se kësisoj është gjendja? A mendoni se njerëzit kanë të drejtë të mendojnë kështu. Nëse është kështu atëherë nuk ka asnjë qëllim që ne të jemi këtu. Unë do ta takoj zotëri Rexhepin së shpejti dhe do të kërkoj nga ai shpjegim për fjalët e tij”, ka thënë Sparks.

Duke folur rreth skandalit “Leo”, numri dy i EULEX-it ka theksuar se ka qenë në dijeni për veprimet e tilla, porse raste të tilla të brendshme nuk duhet të rrjedhin në opinion pasi sipas tij deklaratat e tilla e dëmtojnë imazhin e EULEX-it karshi qytetarëve.

“Unë kam reaguar menjëherë dhe ne kemi krijuar hetimin tonë të brendshëm dhe për këtë kërkohet kohë. Çështja “Leo” nuk është dashur të bëhet publike dhe dikush e kishte rrjedh në media, mbase dikush nga ata të cilët e kishin ndërmend ta dëmtojnë EULEX-in para syve të popullatës”, ka vlerësuar ai.

Për më tepër, ambasadori Sparkes ka pohuar se EULEX-i asnjëherë nuk i ka “mbyllur sytë” dhe se hetimet ndaj rasteve të tilla gjithnjë janë marrë shumë seriozisht nga ana e tij dhe shefit të këtij misioni.

Ruajtjen e fshehtësisë së punës, Sparkes e ka arsyetuar me faktin se qytetarëve të Kosovës nuk duhet t’u “servohen” gjëra, të cilat do të krijonin opinion negativ për punën, të cilin është duke e zhvilluar EULEX-i në vendosjen e rendit dhe të ligjit në Kosovë.

“Jo, dikush e ka rrjedh informacionin në media derisa ai ka qenë një hetim i brendshëm. Ne sikur çdo organizatë tjetër nuk dëshirojmë që gjërat të rrjedhin në media, por meqë ka dalë në media, ne po e bëjmë të qartë se çfarë po ndodh. Por, unë do të dëshiroja që ta shfrytëzoj këtë rast me ju dhe me gazetarët tjerë të pranishëm që thjesht ta them një gjë të qartë. Ka shumë çka që po flitet në mënyrë negative në media për EULEX-in aktualisht. Ne i kuptojmë këtë negativitet dhe unë mund ta vë veten time në lëkurën e një qytetari të rëndomtë të Kosovës dhe provoj të ndjehem sikurse ata”, ka thënë Sparkes.

ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi të martën në një prononcim të tij dhënë njërës nga gazetat ditore, ka thënë se në të gjitha rastet, misioni i BE-së nuk ka reaguar siç obligohet me mandatin. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›