Shkatërrohen dhe vidhen skulpturat
Dhjetë skulpturat e realizuara një muaj më parë në lagjen “Kala” të qytetit të Beratit, të vendosura po aty, janë shkatërruar krejtësisht. Veprat e realizuara në dru dhe gur, të ekspozuara po në këtë lagje janë dëmtuar dhe vjedhur. Të krijuara në kuadër të veprimtarive “Italia dhe Shqipëria, dy popuj, një det, një miqësi”, u vendosën në lagjen “Kala”, ku edhe do të qëndronin me qëllim tërheqjen e turistëve. Tashmë këto vepra nuk ekzistojnë më. Banorët e lagjes simbol të këtij qyteti, lagjes “Kala”, shprehen se një javë pas ekspozimit këto vepra nisën të shkatërroheshin, të digjeshin, prisheshin gjatë natës, duke u shkatërruar përfundimisht. Në lagjen “Kala” asgjë nuk ka mbetur prej këtyre veprave të veçanta të krijuara nga artistët italianë dhe ata shqiptarë. Ajo çka ka mbetur prej këtyre skulpturave janë vetëm disa pjesë prej druri të djegura dhe të hedhura shkujdesur nëpër lagje. Për realizimin e këtij bashkëpunimi mes artistëve të dy popujve, ambasada italiane mundësoi investimin për akomodimin e artistëve italianë e atyre shqiptarë, si dhe materialet për realizimin e punimeve.
#