Katërfishohen gjobat e shkeljeve rrugore
Qeveria kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë disa ndryshime në Kodin Rrugor, që parashikojnë katërfishimin e gjithë gjobave për kundërvajtësit. Nëse edhe Kuvendi i Shqipërisë do të kalojë ndryshimet në Kodin Rrugor, atëherë drejtuesit e mjeteve duhet të mendohen mirë para se të kryejnë ndonjë shkelje në qarkullim. Megjithatë, për të kryer këto ndryshime duhen 3/5 e Kuvendit të Shqipërisë dhe nuk dihet nëse opozita do t’i pranojë këto ndryshime në kurriz të gjithë drejtuesve të mjeteve, apo do i kundërshtojë ato.
Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave, në mbështetje të neneve 81, pika 1 dhe 100 e Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, propozon projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998, ‘Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Në këtë projektligj, bie në sy se ndryshimet në Kodin Rrugor kanë të bëjnë vetëm me rritjen e gjobave ndaj shkeljeve të qarkullimit rrugor. Sipas të dhënave, kjo masë është propozuar nga ministri i Brendshëm, për shkak të parandalimit të aksidenteve rrugore, me qëllim që drejtuesit e mjeteve, nga frika e gjobave të jenë më të kujdesshëm. Kështu, në të gjitha nenet e projektligjit parashikohet katërfishimi i gjobave. Sipas të dhënave, çdo gjobë për të gjitha shkeljet në qarkullimin rrugor shumëfishohet njëlloj, duke nisur që nga mjetet motorike private, publike dhe deri tek ato të tonazhit të lartë. Nëse një drejtues mjeti është gjobitur minimalisht me pesëqind lekë për një shkelje rrugore, tashmë ai do të gjobitet me katërmijë lekë.
Qeveria, e cila kishte marrë në shqyrtim propozimin e ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, ka vendosur që ta kalojë këtë projektligj në Parlament dhe fjala e fundit u mbetet deputetëve që ta miratojnë ose jo, pavarësisht se dëmi më i madh ekonomik u shkaktohet drejtuesve të mjeteve. Por këto janë ndryshime që do të bëhen në Kodin Rrugor. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pikërisht në nenin 81 të saj, deklarohet se ndryshimi i kodeve dhe miratimi i tyre bëhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit.
Aktualisht, mazhoranca, e cila ka zgjedhur edhe qeverinë aktuale, nuk i ka tre të pestat e votave, kështu që kërkohet edhe ndihma e opozitës. Tashmë, ndryshimi i Kodit Rrugor mund të bëhet vetëm nëse opozita do të braktisë seancën, ose do të votojë pro këtij projektligji. Nëse opozita voton kundër, atëherë këto ndryshime në Kodin Rrugor nuk do të realizohen dhe gjobat ndaj drejtuesve të mjeteve do të mbeten të njëjta. Siç dihet procedura, nëse ky projektligj kalon në Kuvendin e Shqipërisë, atëherë fjala e fundit i mbetet Presidentit të Republikës dhe pas botimit në Fletoren Zyrtare nis menjëherë zbatimi i Kodit të ri Rrugor.
#