Origjinal
Alban Skenderaj erdhi me “Ende ka shpresë”. Ai disa herë ka qenë në qendër të vëmendjes por tani është më ndryshe, sepse kitara e tij tingëllon më origjinale në albumin e tij.
Me një stil pop-rock, Albani javën që lamë pas lansoi albumin me titull “Ende ka shpresë”, duet me Miriam Canin, (ishte një këngë shumë e përfolur në Shqipëri, sepse nuk kishte fituar në Festivalin e RTSH’së, duke u renditur e dyta) kurse tani, Albani në një intervistë për gazetën MAPO ka thënë se ai ndihet shumë i lumtur me promovimin e albumit në shumë qytete në Kosovë dhe Shqipëri.
“Ishte shumë i lodhshëm (promovimi) për faktin që datat ishin shumë afër njëra-tjetrës, por dhe çlodhës për faktin që ishte një kënaqësi tepër e madhe të bëja një turne të gjithën timen, një nga dëshirat e mia më të mëdha për promovimin e këtij albumi’, ka thënë Albani në këtë intervistë.
Ai ka cilësuar se me këtë album është kthyer i freskët artistikisht duke i dhënë atij energji të re për të ardhmen, pasi këngët janë krijime origjinale të tij dhe bashkëpunëtorëve.
“Ky album flet për gjithçka që është pjesë e jetës, me të mirat e të këqijat e saj. Është shumë me këmbë në tokë. Mendoj që të gjithë mund të gjejnë në një mënyrë apo një tjetër veten aty, por në fund, në përgjithësi mbetet një album shpresëdhënës, si vetë titulli i tij”.
Ndërkaq, në lidhje me emërimin e albumit “Ende ka shpresë”, ku ai ka zgjedhur që ta emërtojë albumin me këngën që e këndon më të fejuarën dhe këngëtaren Miriam Cani, Albani ka thënë se pavarësisht faktit që kënga nuk kishte fituar në festivalin e RTSH’së, është titull i çiftit dhe një këngë që ata e kanë shumë për zemër.
“Titulli i duetit tonë përfshin më së miri në tërësi natyrën e këtij albumi, plus faktit që është një këngë që unë e kam me të vërtetë për zemër”.
Këngëtari, që jeton prej vitesh në Gjermani dhe po tenton që të arrijë famë edhe atje, thotë se vështirësitë janë relative.”Është shuuumë më e vështirë se në Shqipëri, kjo pa dyshim (qesh), por varet dhe nga sa ambicie dhe fat ke. Mbi të gjitha, duhet të jesh i gatshëm të sakrifikosh pothuajse gjithçka për karrierën!”, thotë ai. Ndërkaq, për martesën ai thotë se është shumë interesante, por ai është i lumtur me Miriam Canin.
Albumi “Ende ka shpresë” është albumi i tretë i Albanit dhe veçantia e tij është se në Kosovë atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes së IPKO’s. Albumi ka 14 këngë, në mesin e tyre edhe këngë në gjuhën angleze dhe italiane.