Orikum, alarm për bombë në një gjimnaz

Një alarm i rremë për bombë në gjimnazin "Hasan Pulo" ka terrorizuar nxënësit e kësaj shkolle në Orikum të Vlorës.
Ka qenë pastruesja e shkollës së mesme të përgjithshme, ajo e cila ka pikasur një pako të dyshimtë brenda oborrit, përpara derës kryesore të godinës, duke sjellë edhe pezullimin e procesit mësimor. Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme, ndërsa menjëherë është lajmëruar policia, të cilët kanë marrë masat për largimin e kësaj pakoje.
Pas mbërritjes së eskpertëve të policisë, është mësuar se objekti i dyshimtë ishte një tub i lyer me bojë, i cili ngjante me kallëpe dinamiti. Mendohet që ngjarja ishte thjesht një "shaka" e nxënësve për të shmangur zhvillimin e mësimit, megjithatë hetimet vazhdojnë për zbardhjen e rrethanave.