Orizi, një mijë identitete për yllin e kuzhinës
Kinezët e përdorin në vend të bukës, i kushtojnë këngë, i thurin himne dhe e hedhin në shtratin martesor natën e parë të martesës si simbol i fertilitetit. Në përgjithësi, për pjesën më të madhe të Azisë, kultivimi i tij është mënyra e vetme për të mbajtur frymën gjallë, ndërsa për pjesën tjetër të botës konsiderohet si mbreti i drithërave që mund të përdoret kudo në kuzhinë, nga ëmbëlsirat te të kripurat. I lehtë, i thjeshtë, në furrë, në ëmbëlsira, këshilluar me ngulm nga dietologët, mund të gjendet dhe gatuhet nga kushdo, që nga ata që në mënyrë urgjente e shohin si shpëtimtarin e vetëm për të mbushur barkun deri te shefat e restoranteve më të mira në botë që e servirin në mijëra forma të ndryshme. Plot vitamina dhe substanca antioksiduese i kombinuar me perimet e freskëta jeshile shërben edhe si zëvendësuesi më i mirë i mishit. Megjithatë, shpeshherë misterioz dhe sensual, orizi në vitet e fundit renditet krenar në piramidën e ushqimeve më të preferuara nga të gjitha moshat. Me gjalpë apo vaj ulliri, ndonjëherë edhe i thjeshtë të gjithëve na është dashur ta provojmë që në hapat e para të jetës shijen e tij. Mjekët e shohin si zëvendësuesin më të mirë kur fëmija nuk plotëson nevojën me gji nga nëna, ose kur nëna nuk mundet dot ta ushqejë me qumështin e saj. Që pas javës së parë të jetës këshillohet lëng orizi në raportin 2 me 3 qumësht dhe 1 e treta lëng orizi, duke e mos e vrarë mendjen aspak për historinë e tij. Në të vërtetë, mendohet se fjala oriz është me origjinë indiane dhe vjen nga gjuha Tamil, që e quante arisio. Dokumentet e para të shkrimit të saj datojnë rreth 5 mijë vjet në pjesën veriore të Indisë. Që prej antikitetit vendet kryesore të kultivimit të tij janë Kina, India, Japonia, por edhe arabët, armenët dhe sirianët e njohin mirë këtë lloj drithi dhe studiojnë me kujdes mënyrat e kultivimit të tij siç dëshmohet në testet e shkruara prej mijëvjeçarësh. Kina vazhdon të renditet me krenari vendi me prodhimin më të lartë në botë, ndërsa pas tij prej vitesh renditen India, Indonezia, Bangladeshi, Vietnami dhe Tajlanda. Tre vendet eksportuese janë Tajlanda, Vietnami dhe SHBA-ja ndërsa tri importueset më të mëdha janë Indonezia, Bangladeshi dhe Brazili. Në Evropë, Italia mban vendin e parë për sa u përket fushave ku kultivohet orizi. Meqenëse Kina dhe India janë vendet me prodhimin më të lartë në botë ato janë edhe vendet ku konsumi është jashtëzakonisht i lartë. Tregtia e orizit në këto vende është gjithashtu mjaft e përhapur. Për shembull në Kamboxhia rreth 90 për qind e tokave bujqësore përdoret për prodhimin e orizit
I preferuari i vegjetarianëve
Burimet më të mira vegjetariane të vitaminave B kompleks janë perimet gjethore të gjelbra, buka e zezë, majaja ushqyese, embrioni i grurit, dhe sidomos lëkura e orizit. Po ashtu, orizi sidomos ai ngjyrë kafe përmban edhe fosfor një element i rrallë, por shumë i nevojshëm për ushqyerjen e shëndetshme. Nga studimet e bëra doli se pothuajse të gjitha ata që nuk përdorin mishin përdornin oriz të paktën një herë në ditë. Po sipas asaj që shpjegohet shkencërisht nga kombinimi i orizit me qumështin, perimet, fasulet, bizelet dhe bathët, formohen proteina të plota.
Rice is Life
Orizi prej dekadash ka zënë vend gjithmonë e më të shpeshtë në tavolinat e gjithë botë. I egër, i butë si ai që kultivohet në liqenet e Minesotës, llojet e Anishinaabeg, apo ato pakistaneze të kultivuara në Lahore. Një vend nderi, edhe për orizin aromatik të rritur në brigjet indiane të kultivuar prej shekujsh në majat e Himalajeve. Nga ana tjetër, orizi përbën dy të tretën e ushqimit të përditshëm për rreth tre miliardë njerëzish duke punësuar njëkohësisht një të tretën e tyre. Jo më kot, "International Year of Rice", që çdo vit mbush botën me debate, analiza më lidhje me pranimin e orizit si një bosht rreth të cilit rrotullohen lidhjet e ndërvarura mes agrikulturës, sigurisë së ushqimit, agrobiodiversitetit, ambientit kulturës, ekonomisë, shkencës, identitetit seksual dhe punës", kishte si moto "Rice is Life", orizi është jeta. Qëndrueshmëria, rritja e prodhimit dhe kultivimeve pa e masakruar ambientin me pesticide e OMGJ, sipas deklaratës së mijëvjeçarit të kombeve të bashkuara në vitin 2000, është sfida e re për agrokulturën, në të gjithë botën.