Ingmar Bergman, dorë për dorë me Ingridin
E martë, 11 tetor 1994
Ingridi kthehet nga vizita mjekësore. Thotë se ka një tumor malinj në stomak, e si pasojë duhet t‘i heqin të gjithë stomakun. Është e kotë të sforcohem të shkruaj për përfundimin, i cili thellë meje po më trondit si një tërmet i fortë. Gjithashtu është e kotë të provoj ta heq nga vetja këtë peshë të rëndë, sepse e di që nuk do të mundem. Është e pamundur që pas këtij lajmi tronditës të mbash lotët, megjithatë duhet të përmbahem, duhet të jem mbështetje për Ingridin. Duhet të zgjedhim një mënyrë që të funksionojë, mendoj se edhe Ingridi është një mendje me mua. Ndërkohë ngrihem dhe shkoj në dhomën tjetër.
E diel, 16 tetor
Jam disi më i lehtësuar. Ingridi po bën një gjumë të rehatshëm, pa ëndrra dhe kjo është një mrekulli. Përsëris herë pas here fjalën "pushim", por në fakt, nuk ka asgjë të tillë. Më duket se Ingridi po kalon një periudhë të thellë ndryshimi, i cili ka përfshirë gjithë qenien e saj. Është një cikël që vazhdon, ndoshta një proces rilindjeje që mund t‘i bëjë mirë. Gjithçka e mora sikur të ishte gjëja më e natyrshme në botë. Tani duhet t‘i kthej Ingridit diçka nga ajo që më ka dhënë më parë.
E diel, 30 tetor
Kemi kaluar një natë shumë të qetë. Ingridi erdhi tek unë në gjashtë e gjysmë dhe bëmë një sy gjumë bashkë, duke qenë se në mëngjes nuk kishim ndonjë punë të rëndësishme për të bërë. Në orën 9:00, Ingridi po bënte një gjumë të qetë, duke marrë frymë lehtë. Radioja transmetonte një koncert violinash. Ajo më mbante për dore, ndoshta për t‘u ndier më e sigurtë. Drita ishte e zbehtë dhe u ktheva që ta shihja më qartë. Në atë moment ndjeva një dhimbje që nuk e kisha ndier kurrë më parë. Me pak fjalë, kjo është ajo që pashë: unë dhe Ingridi nuk do të zgjohemi më përkrah njëri-tjetrit. Po shihja ëndërr sikur u zgjova dhe si zakonisht në dhomë ishte një muzg gri. Doja të ndizja dritën, por nuk kishte korrent. Nuk ishte një situatë e frikshme, megjithatë fillova sërish të thërrisja Ingridin për pesë ose gjashtë herë gjithnjë e më i shqetësuar. Më pas u hap dera dhe ajo hyri brenda me dy jastëkë nën krahë, ashtu siç bën zakonisht dhe u hodh në shtrat. Në një mënyrë apo në një tjetër e kisha kuptuar se bëhej fjalë për një mrekulli dhe e përqafova, duke u përpjekur t‘i thosha se sa shumë e doja, por të gjitha fjalët ishin boshe.
E mërkurë, 2 nëntor
Mendoj: Ingridi është ende gjallë, në të gjitha kuptimet. Ajo ekziston. Ah sikur të mund të lirohesha nga gjithë ky dëshpërim fëmijëror që thërret me zë të lartë "unë, unë, unë". Nëse do të bëhesha më i vërtetë në dashurinë time, atëherë do të isha më i vlefshëm.
E hënë, 7 nëntor
Tridhjetë ditët e para kanë qenë ndryshe nga eksperienca tjetër që kam jetuar. Është si një kohë e vështirë apo gjendje lufte. Mund të çohen deri në fund të gjitha detyrat e ditës. Madje mund të ndjesh një lloj përpikmërie ekstra, shoqëruar me pak dështim. Ingridi është gjithmonë, gjithmonë shumë e pranishme. Është pranë, me shikimin, fytyrën, gjithçka tjetër. Të gjitha këto që po shkruaj janë fjalë për të qetësuar dhimbjen.
E mërkurë, 9 nëntor
Përgjigja: kur erdha tek Ingridi në orën 2:00, më komunikoi diçka që unë e dija, pa qenë nevoja të ma shprehte doktori. Pavarësisht mjekimeve, tumori nuk ishte zhdukur ende, kështu që asaj do t‘i duhet të fillojë kimioterapinë. Qëndrojmë për një kohë të gjatë të përqafuar me njëri-tjetrin. Ajo më ka ende mua, ndërsa unë kam vetëm atë. E falënderoj Zotin që Ingridi ekziston. Është e njëjta Ingrid që kam njohur dhe më parë, me një vullnet të jashtëzakonshëm. Çdo gjë mund të ndodhë, çdo gjë pritet. Nuk po flasim, vazhdojmë të rrimë të përqafuar. Besoj se Ingridi do të shërohet.
E diel, 20 nëntor
Ingridi sheh shumë ëndrra, madje tepër të çuditshme. Kështu, pasdite pa ëndërr sikur ishte në Ilsholmen (Suedi) dhe shihte barkën e vjetër të babait t‘i kalonte shumë pranë; në bord ishin i ati, nëna, tezja Märtae Lars-Ove, e cila menjëherë filloi t‘i fliste për çështje praktike. Është një ëndërr e lehtë për t‘u kuptuar. Në mëngjes, Ingridi ëndërronte sikur notonte në pishinën e Faro-së me një fëmijë të vogël, ishte shumë e lumtur. (Një ëndërr tjetër shumë e thjeshtë për t‘u shpjeguar). A sikur të vdisja më parë se ajo... Ëndrra për të qenë përjetësisht me të po venitet dalëngadalë.
E diel, 27 nëntor
Do t‘i numëroj ditët deri sa të afrohet pak nga pak çasti i tmerrshëm dhe jeta do të fillojë të marrë një rrjedhë normale. Dikush në një film (Shadowlands) tha: "Dhimbja na ndjek jashtë dhomës së fëmijëve". Ato fjalë më kanë mbetur në mendje.
E diel, 11 dhjetor
Dua që intuita ime të më thotë diçka në këtë konfuzion. Pas meje mbetet një britmë unike. Nuk arrij ta dëgjoj këtë britmë. Dua të marr vendin e Ingridit. Mendimi ndoshta më tremb paksa, por është një dëshirë e pamundur.
E diel, 26 shkurt
Ingridi dhe Ingmari janë dy njerëz të cilët kanë dy role komplet të ndryshme. Ingmari e kupton vetëm pjesërisht rolin e
Ingridit, gjë e cila krijon distancë dhe konfuzion, të paktën tek Ingmari. Gjithsesi, detyra e Ingridit është përcaktuar në mënyrë të prerë: sëmundja dhe lufta kundër saj. Dhimbja është pothuajse konstante. Si do ta kapërcejmë këtë situatë.
E enjte, 9 mars
Operacioni i dytë. Profesor Sundblad bëri ç‘ishte e mundur, ashtu siç na kishte premtuar dhe u shpreh se ndërhyrja ishte shumë e komplikuar, që nuk kishte qenë e mundur të hiqte një masë të madhe tumorale. Edhe pse Ingridi mund të përballonte operacionin, gjendja ishte e pashpresë. Na tha se do të jetonte edhe për pak muaj. Nuk ishte shumë i sigurt, nuk mund të thoshte asgjë me siguri.
E diel, 12 mars
Më është akumuluar shumë stres dhe mërzitje. Nuk e di se çfarë do të bëj. Nuk di se çfarë të bëj me të "keqen". Ndoshta tani jam mes dhimbjes, vuajtjes dhe mjerimit. Ajo që mbetet është edhe më e tmerrshmja. Nuk e di ende, por e imagjinoj. Megjithatë diçka është e sigurt: do ta shtrëngoj dorën e saj deri në sekondën e fundit.
E enjte, 16 mars
Sot më ka pushtuar një frymëzim i madh që më ka nxjerrë disi nga gjendje e keqe: kam menduar që unë dhe Ingridi duhet të vdesim së bashku në shtratin tonë në Faro. Bashkë dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Do të ishte një ngushëllim për të dy. Ndoshta në thënien e fundit jam paksa i pashpirt, por duhet të pranoj atë që po ndodh.
E hënë, 1 maj
Si çdo mbrëmje, edhe sonte, Ingridi është mirë. Madje bëri dhe një shëtitje në këtë ditë të bukur pranverore. Në ndryshim nga unë, Ingridi duket e qetë dhe jo shumë e lodhur. Më vjen mirë që ajo ndihet dhe është mirë. Më erdhi në mendje të shkoja në kishë dhe të ndizja një qiri. Kisha ishte e boshatisur dhe brenda saj mbizotëronte një qetësi absolute.
E enjte, 11 maj
Tani, Ingridi do të fillojë terapinë e dhimbjes. Mendoj se nuk ka të keqe më të madhe se kjo. Ingridi po fle. Papritur zgjohet dhe fillon të më buzëqeshë, ndoshta për të më kërkuar falje, sepse e kishte zënë gjumi. Fytyra e saj ka ndryshuar shumë, por dorën e ka të butë si gjithmonë. Kemi në dispozicion shumë pak sekonda për të qëndruar bashkë. Mendoj se dalëngadalë po i afrohet fundi...
E enjte, 18 maj
Kur hyra në dhomë, Ingridi po flinte, por papritur u ngrit shumë e shqetësuar. Infermierja i bëri menjëherë një qetësues të fortë. Deri në ato momente i kisha shtrënguar dorën, më pas fillova t‘ia ledhatoja dhe t‘ia puthja me shumë dashuri, t‘i thërrisja me pseudonime ledhatuese. Për një çast m‘u duk sikur po shihnim njëri-tjetrin, më pas në vend pllakosi heshtja. Kjo ishte lamtumira jonë.