E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ornela MUSABELLIU



Lojë dashurie

Rrëmujshëm e nis ditën duke menduar për TY! Ti je gjithkund dhe gjithësia hesht përpara teje! Honet e thella të mendimit janë situr përpara figurës tënde lakuriqe. Përpara meje, kuptohet! Je, dhe kaq.
Të nisa një ditë, teksa avujt e ngrohtë të dashurisë rrekeshin të mbërrinin aty, ku ti kishe hedhur dritën plot shpresë. Të nisa, por si një lojë, ku askush dhe asgjë nuk mund të bëhej pjesë. Vetëm ne të dy. Por, ah, si shkreptinë sytë e tu, kur nuk dinin të palosnin qepallat nga dhimbja. Nuk ishe mësuar me këtë dhimbje, ndonëse shpirti yt gromësinte nga figurat e mëparshme të kotësisë.
Isha aty, por ti udhëtove larg atë çast. Mijëra trumcakë të trembur të pushtuan qenien dhe angështia hodhi rrënjë. Ishte lojë, por ti nuk kuptove. Dergjeshe mes përpëlitjesh ende në fillimzgripi. Fundi ishte aq pranë dhe, ah, sa e dëshirove! Me sytë e mekur e duart pa dridhje, pa jetë, mendja përpilonte mijëra pse-të. Jargavani i harlisur prej dashurisë po thahej e ti nuk mund ta ujisje e të kujdeseshe më si më parë.
Tashmë, dy botët ishin të tuat: ag e perëndim. Lëngu i jetës u derdh jashtë, si një lule e sapokëputur në dëshpërim. U nise krenar drejt perëndimit! E ç’ishte agu për ty? ǒtë duhej ai më, kur mëngjeset e flladitura nuk të përkëdhelnin fytyrën me duart e dashurisë, kur kënga jote, në një mesazh shisheje shprese, nuk do të udhëtonte më drejt meje, kur ajri s’kishte më aromën e trupit tim? ǒtë duhej, vallë?
Ishe dashuruar me një rreze drite dhe, tashmë, dhembshuria shihte drejt trajtës pa kuptim. Të ishte e vërtetë? Të transformohej ajo qenie e vogël, por aq e dashur, në një figurë kotësie e dhembshurie, ku shigjetonin kruspullosjet e delirit? Mund të ndodhte?
Dhe më pas besove se Zoti nuk ishte me ty. Besove se ëndrrat e bukura kanë gjithmonë një fund, ashtu siç të qëllonte rëndom të dëgjoje prej të tjerëve, gati çdo ditë. Mendimi, që zinte fillin e mëngjesit me atë qenie hyjnore, tashmë lindte dhe ngrysej njësoj. Ajo figurë hyjnie po thërrmohej përditë nga pak, përgjatë rrugës tënde drejt perëndimit. Derisa....
I dashur! Jeta nuk ka kuptim, nëse dita nuk nis rrëmujshëm duke menduar për ty, e gjithësia t’heshtë përpara teje.

Ajo dhe Zoti
Falënderimi që i bëri Zotit iu duk pa kuptim. Kërkoi me mendje një zgjidhje për ta kthyer mbrapsht, pasi i dukej absurde ta falënderonte Krijuesin e gjithësisë për diçka, që atij nuk do t’i pëlqente. Për diçka që e zbriste poshtë, në tokë dhe e barazonte me qeniet njerëzore. A mundej vallë ta adhuronte të Gjithëpushtetshmin dhe t’i përulej në shenjë mirënjohjeje për krijimin e asaj gruaje, që i kish mbushur shpirtin e jetën plot dhe që e donte më shumë se vetë Atë? A mund t’ia falte këtë gjë? A mund të toleronte në përvijimin e adhurimit, që nga hyjnorja kalonte me hapa të lehtë por të sigurt, në një zemër, shpirt, sy e trup njerëzor?
E në fakt, për të ajo nuk i përkiste kësaj bote. Kish zbritur nga një tjetër dimension dhe, si rastësisht, kish veshur petkat e të vdekshmëve. Ajo ishte zemër, shpirt, ëndërr e gjallë, mbarsur me të vërtetat e tija, me ato të vërteta që i kish kërkuar gjithë jetën, por vetëm tani i ishin shfaqur si me magji në trajtën më të plotë, në trajtën e asaj gruaje, e vetmja që ekzistonte mbi këtë dhè. Kish ndier dhe prekur fuqishëm ndjesitë e papërsëritshme të saj dhe jeta kish filluar të përvijonte përnjëmend. Kuptoi se më parë nuk kish jetuar, nuk kish puthur e provuar drithërimat e gulçimet e shpirtit, që tashmë feksnin nën dritën mahnitëse të dashurisë hyjnore. Ajo ishte, dhe vetë bota. Ajo ishte bota. Jeta. Gjallësia. Çdo gjë ishte vetëm ajo.
E si mund të mos dashurohej pas asaj hyjnie, kur vetëm ajo kish krijuar dhe hedhur dritë mbi gjithçka, që i përkiste atij? Mbi hapësirën e gjerë, që ai e quante botë? E pra, ajo ishte më shumë se i Madhëruari, në ndjenja, në prekje. Më e dukshme dhe e plotë. Pa enigma, por me një të padukshme të mrekullueshme, me të brendshmen e saj që, ah, o Zot...
E tashmë, falënderonte Zotin për atë krijesë, pa e vrarë mendjen se ai mund të zemërohej ngaqë donte dhe adhuronte dikë tjetër më tepër, dikë që nuk ish Ai. Por, thellë-thellë, e dinte që i Madhërishmi nuk do të derdhte mbi të dënimin. E dinte se Zoti do të bënte një llogari të thjeshtë matematikore, lidhur me rregullin e treshit. E pastaj do ta falte dhe do ta donte si më parë: ti, njeriu, me emrin që ta gjeta me kënaqësi, e që më ke dashur e lavdëruar gjithë jetën, tashmë je dashuruar me një femër, e thua se e do më tepër se mua. E ndiej këtë, ndaj jam Zot, por po të kujtoj diçka: ti dashuron dhe adhuron femrën që unë krijova për ty, e zbrita në tokë përpara këmbëve të tua, e mbrujta me të gjitha elementet që kërkoje dëshpërimisht te një grua, i fala zemrën e shpirtin e bukur, e ngjiza me përsosmërinë fizike, i dhurova një botë si të askujt tjetër, dhe këtë e bëra për ty, fëmija im. Ti dashuron dhuratën time, e pra, rrjedhimisht më do dhe adhuron mua, krijuesin e saj. E ç’rëndësi ka se në ç’formë dhe trajtë e përcjell adhurimin kundrejt meje? Mjafton që ajo dhe Unë jemi këtu, jemi te ti, dhe ti na përket. Ndaj je i pagëzuar me falje dhe përjetësi, biri im.
I kish ndier vërtet brenda vetes ato fjalë dhe i kish besuar me gjithë forcën e shpirtit. Ish mrekulluar dhe lotët i derdhi mbi përpëlitjet e tij, derisa i treti, i bëri eter. Tashmë, nuk kish asnjë dyshim: në këtë botë, në botën e zemrës së tij, jetonin dy gjërat më të mrekullueshme: Ajo dhe Zoti, Zoti dhe Ajo.
Madhërishëm vështroi fytyrën engjëllore që kishte përballë, e në gjithë poret e trupit, dhe për të falënderuar ato që adhuronte, uli gjunjët në tokë, u përkul derisa balli fshiku tokën dhe adhuroi Zotin, duke puthur këmbët e së dashurës së tij.

9 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›