Poshtë përsëritje, lart mërzi
Preç ZOGAJ
Në rrugën për në Lezhë, natën vonë,
duke u thyer mesnata, epoka,
syri im, shpirti im
pret e mbledh rrugë të përlotura.
S’do kem të bëj më me Tiranën,
me errësirën prapa.
Nisja nuk ekziston,
nuk ekziston vazhdimi.
Ka vetëm zhvendosje
dhe ndofta do ketë mbërritje
në një tjetër rilindje.
Minutat e kohës, shekujt e shpirtit
në sinkron rrotullohen dhe rrahin në zemër.
Fshatra të heshtura përqark e nata që përpëlitet
sikur po lind një tjetër.
Do të arrijmë diku,
do të kalojmë matanë –
Shtatëdhjetë kilometra dhe pafundësi,
të lirë makinën duke e lënë
në terr e yllësi.
Ngadalë i çel sytë, bardhësia është rrotull,
zall, rërë, ujë dhe fillim.
Xhaxhai mbrëmë ka vdekur, nuk ia doli dot,
nuk e arriti këtë prag, këtë zgjim.
Kalimi u bë, po tani ç’do të jetë?
Shpirti më thotë mos u kthe, mos u nis.
Poshtë është përsëritje, lart është mërzi
dhe besoj se asgjë, asgjë midis.
9 Qershor 2008