Orteku në fshatin Restelicë, konfirmohen 9-të të vdekur – nxirret e gjallë nga rrënojat 5- vjeçarja

Numri i të vdekurve nga rënia e djeshme e ortekut në Restelicë, të komunës së Dragashit, është nëntë. Këtë e konfirmon edhe komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati. Një vajzë pesëvjeçare është gjetur e gjallë mbrëmë dhe ajo është dërguar për mjekim në spitalin e Prizrenit, ku sot u vizitua nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Sipas njoftimeve paraprake, nga 11 anëtarë e familjes Reka, ende nuk është gjetur Seldin Reka, i moshës 18-20 vjeçare. Bëhet e ditur se të gjithë të vdekurit janë nga familja Reka. Në mesin e të vdekurve, më së shumti ka fëmijë, ndër të cilët edhe një dy-vjeçar. Orteku i dëborës i ka marrë jetën Resmina Reka (18), Amar Reka (2), Garka Reka (ndërmjet 30 e 32 vjeçe), Abdulla Reka (30-35 vjeçar), Feim Reka (50-55 vjeçar) dhe Zekija Reka (50), si dhe Rexhep Reka, rreth 56 vjeçar, dhe gruaja Fatima Reka, dy vjet më e re. Zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli njoftoi se operacioni i kërkim-shpëtimit të viktimave tjera eventuale në Restelicë ndërpritet, për arsye të kushteve të vështirësuara, por do të vazhdojë të nesërmen (të hënën) që nga ora 7:00 e mëngjesit. Ndërkohë është paralajmëruar rreziku edhe nga ortekë të tjerë, jo vetëm në komunën e Sharrit, por edhe gjetiu nëpër Kosovë, që nga Brezovica, Rugova e viset e tjera malore në vend, ku trashësia e dëborës i kalon 2 m. Pritet që viktimat e ortekut të varrosen nesër në varrezat e Restelicës, ndërsa për këtë qëllim është duke u punuar në hapjen e rrugës deri në varreza.
Dragash
Pjesëtarë të FSK-së sot në mëngjes iu janë ribashkuar banorëve dhe Policisë së Kosovës në aksionin e kërkim-shpëtimit të tre personave të ngujuar nga orteku i borës në fshatin Restelicë. Atyre u janë bashkuar edhe banorët e Restelicës. Sipas të dhënave nga terreni, në Restelicë njoftohet për shtatë persona të vdekur. Dyshohet për tre të zhdukur. Në kushte gjithnjë shumë të vështira, vazhdojnë kërkimet për gjetjen e të gjallëve dhe të të vdekurve. Një masiv i borës, i lartë 10 metra dhe e i gjatë 500 metra, ka mbuluar afro 15 shtëpi të një lagjeje në fshatin Restelicë, dy prej tyre të banuara nga 11 anëtarë të familjes Reka. Gjatë ditës është konfirmuar nxjerrja e një fëmije të gjallë dhe e shtatë personave pa shenja jete. Për tre të zhdukur vazhdojnë kërkimet nga ekipet e FSK-së, KFOR-it, Policisë, por edhe të banorëve të fshatit Orteku gjigant i borës ka mbuluar të shtunën në mëngjes disa shtëpi të fshatit Restelicë të Dragashit, duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave. Nën masivin e borës dyshohet se gjenden edhe tre persona, në kërkim të të cilëve janë vënë ekipet e shpëtimit dhe banorët e fshatit. Nga 11 anëtarë që ishin brenda shtëpive, vetëm një vajzë e moshës 7-vjeçare është nxjerrë e gjallë në orët e mbrëmjes. Trashësia e borës që ka goditur shtëpitë arrin në dhjetë metra thellësi dhe rreth pesëqind metra gjerësi. Policia fillimisht ka raportuar për nxjerrjen e dy personave, një i gjinisë mashkullore dhe një i gjinisë femërore, të cilët, sipas saj, ishin pa shenja jete. Ndërkohë, pak më vonë është njoftuar se pa shenja jete është nxjerrë edhe personi i tretë, i moshës 17 vjeç. Banorët e fshatit kanë thënë nëpërmjet telefonit se viktima është djali i çiftit që është nxjerrë më herët nga rrënojat dhe i takonte njërës nga dy familjet Reka. Diku kah ora 22 është bërë e ditur edhe nxjerrja e një vajze 7-vjeçare që ishte ende gjallë, ndërsa pak çaste më vonë për gjetjen e një gruaje dhe një vajze 4-vjeçare, të dyja pa shenja jete. Në orën 22:30 është njoftuar nga ekipet e shpëtimit në Restelicë edhe për gjetjen e dy trupave tjerë të pajetë, duke e çuar kështu numrin e viktimave në shtatë. Sipas informatave më të reja nga terreni, në Restelicë ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin personin e parë me shenja jete nga dy shtëpitë e mbuluara prej ortekut të borës. Deputeti Hamza Balje ka konfirmuar nxjerrjen e një fëmije nga njëra shtëpi në Restelicë dhe ka shtuar se ekipet e FSK-së po punojnë vazhdimisht në përpjekje për të nxjerrë edhe të mbijetuarit e tjerë të tragjedisë. Sipas RTK-së, fëmija i nxjerr gjallë është një vajzë 7 vjeçare. Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota para pak çastesh njoftoi se në Restelicë është gjetur edhe viktima e tretë e ortekut që ka mbuluar dy shtëpi të banuara me 11 anëtarë. Mujota, i cili ka mbërritur në Restelicë, nga vendi i ngjarjes i tha RTK-së se është gjetur edhe personi i tretë i vdekur, pa saktësuar identitetin e tij, por njëkohësisht tha se nga brendia e dy shtëpive është paraqitur një person me telefon mobil dhe ka njoftuar se aty ka të gjallë. Llogaritet se edhe tetë persona janë të ngujuar në këto dy objekte banimi. Pak pas orës 18 e 30 minuta, Policia e Kosovës e konfirmoi këtë lajm dhe bëri të ditur se viktima e tretë pa shenja jete është një i ri i moshës 17-vjeçare Më herët, sipas kumtesës së zyrës së DPP të Policisë së Kosovës, PK-ja ka vënë në funksion të gjitha kapacitetet e nevojshme të burimeve njerëzore dhe atyre teknike, ku edhe përkundër kushteve të vështira dhe gjendjes së pakalueshme të rrugës në gjatësi prej rreth (4 km), ka arritur të depërtojë dhe njëherësh të arrijë në vendin e ngjarjes me njësi policore kufitare, ato të rendit publik dhe njësitet speciale, duke iu bashkangjitur qindra banoreve të Restelicës, të cilët po bënin përpjekje për të larguar borën dhe për t’iu dalë në ndihmë personave të mbetur nën ortekun e borës. Policia konfirmon se deri më tani janë nxjerrë nga bora dy (2) persona, një i gjinisë mashkullore dhe një i gjinisë femërore, të cilët ishin pa shenja jete, si dhe supozohet se edhe nëntë (9) persona të tjerë gjenden brenda në shtëpitë e mbuluara nga orteku. Dhoma komanduese e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, e stacionuar në Dragash, është duke bërë koordinimin me të gjitha instancat në nivel rajonal dhe atë qendror si; Forcën e Sigurisë se Kosovës, KK të Dragashit, KFOR-in, zjarrfikësit, ndihmën e shpejtë, kompanitë për pastrimin e borës, bizneset lokale dhe banorët e asaj zone që me të gjitha kapacitetet e vëna në funksion po bëjnë përpjekje të pandërprera që t’iu dalin në ndihmë banorëve të kësaj zone. Elham Seferi, zv/komandant i Policisë në Dragash, i ka thënë korrespodentit të Kohës Ditore se në dy shtëpitë e mbuluara nga orteku kanë mbetur të ngujuar 11 anëtarë të familjeve të Fehim e Rexhep Rekës, ndërsa për fatin e tyre ende nuk ka informacione. I pyetur rreth orës 17 se a ka policia informacion për ndonjë viktimë, Seferi ka nënvizuar se “deri në kohën kur po flasim nuk ka të dhëna të këtilla”. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se me gjithë angazhimin e madh në pastrimin e borës, duke pasur parasysh konfiguracionin e terrenit si dhe sasinë e borës, pa angazhim të makinerisë së rëndë, kjo punë mund të zgjasë me ditë të tëra.
Jahjaga viziton në spital të mbijetuarën e ortekut, Asmira Reka
Presidentja e Kosovës dhuron 10 mijë euro
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga vizitoi të dielën në spitalin rajonal të Prizrenit, Asmira Rekën, të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së shkaktuar nga moti i keq në fshatin Restelicë, të komunës së Dragashit, në të cilën pësuan anëtarët e familjes Reka. Gjatë vizitës, presidentja, e shoqëruar nga kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, u njoftua me gjendjen e Asmirës dhe njëkohësisht falënderoi mjekët dhe personelin e këtij spitali për mobilizimin dhe përkujdesjen që ata po ofrojnë për qytetarët e Restelicës, por edhe për të gjithë banorët e fshatrave të tjera të rrezikuar nga bora ditëve të fundit në mbarë Kosovën, thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Kosovës. Presidentja e ngushëlloi familjen Reka dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë humbje tragjike dhe trishtuese të jetëve të njerëzve. Ajo u bëri thirrje qytetarëve që në këto kushte të vështira atmosferike nëpër të cilat po kalon vendi ynë, të solidarizohen dhe t’i dalin në ndihmë njëri-tjetrit, duke premtuar se ndihma e institucioneve të Kosovës nuk do të mungojë. Jahjaga posaçërisht veçoi punën e palodhshme të FSK-së, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe qytetarëve vullnetarë për përpjekjet e tyre të pandërprera për të hapur rrugën dhe për t’iu ardhur në ndihmë të ngujuarve në Restelicë. Me këtë rast, presidentja e vendit ndau 10 000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar adresimin e nevojave emergjente për familjet e goditura të fshatit Restelicë.
Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, shpreh ngushëllime për humbjet e jetëve njerëzoreE hëna, ditë zie kombëtare
Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto i shpreh ngushëllime Ministrit të Jashtëm të Kosovës z. Enver Hoxhaj për humbjet e jetëve nga orteku në Restelicë Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, i ka telefonuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, zotit Enver Hoxhaj, për t’i shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe ndjenjat e solidaritetit për humbjet e jetëve njerëzore nga orteku i borës, i rënë në fshatin Restelicë në Komunën e Dragashit. Z. Haxhinasto shprehu bindjen, se në këto në këto çaste hidhërimi të thellë e vështirësish të mëdha, me të cilat po përballen familjet e të ndjerëve, Qeveria dhe i tërë populli i Kosovës po demonstrojnë një ndjenjë të lartë solidariteti, duke bërë maksimumin për t’u ardhur në ndihmë familjeve të viktimave, si dhe gjithë banorëve të prekur nga ky mot i acartë. Ai njëkohësisht shprehu gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për të dhënë ndihmën dhe asistencën e nevojshme në zonat më të prekura nga ky dimër i jashtëzakonshëm. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka shpallur ditën e hënë, 13 shkurtin 2012, ditë zie shtetërore, në nderim të anëtarëve të familjeve Reka, që pësuan në fatkeqësinë natyrore në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit. Sipas vendimit të Presidentes, në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të vendit flamuri i Kosovës do të ulet në gjysmë shtize. Gjithashtu, të gjitha veprimtaritë artistike, kulturore dhe sportive, të planifikuara për këtë ditë, pezullohen dhe shtyhen për një datë të mëvonshme. Sipas një komunikate, edhe Qeveria e Kosovës thuhet ta ketë shpallur ditën e hënë ditë zie në vend. Qeveria edhe njëherë i shpreh ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimave, dhe rithekson gjithë përkushtimin dhe vendosmërinë institucionale për ndihmë dhe shpëtim të qytetarëve, të rrezikuar nga gjendja e rëndë klimatike, thuhet në këtë kumtesë të qeverisë.
...