E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shpall gjendjen e “fatkeqësisë natyrore”. Berisha: Ky, dimri më i ashpër në 30 vitet e fundit, s’ka vend për panik – mobilizim maksimal për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve

12-02-2012 / Gazeta 55

Qeveria shpall gjendjen e “fatkeqësisë natyrore” për qarkun Kukës dhe Dibër si dhe zonat e prekura nga reshjet e dendura të borës si në qarkun Korçë dhe Elbasan. Jo vetëm Shqipëria, por edhe Evropa po vuan pasojat e këtij dimri të ashpër. Ndërkaq, Kryeministri kërkon gatishmëri të plotë të Shtabit të Emergjencave, pasi situata kritike e dimrit, mund të vazhdojë dhe për disa ditë

UPDATE- Qeveria shpalli sot në një mbledhje të jashtëzakonshme, gjendjen e “fatkeqësisë natyrore”, për qarkun Kukësit dhe Dibrës. Kryeministri Berisha kërkoi mobilizim maksimal të Shtabit të Emergjencës, për t’iu ardhur në ndihmë me çdo kusht qytetarëve në nevojë. Për Kryeministrin Berisha, të gjitha autoritetet shtetërore nga ministritë, qarqet, prefekturat dhe komunat, janë në gatishmëri të plotë, për dhënien e ndihmës për banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore. “Bora me mbi 2.5 metër lartësi përbën një problem real të lëvizjes, furnizimit me ushqime, ndaj dhe duke shpallur gjendjen e “fatkeqësisë natyrore” në këto zona nënkupton ndërmarrjen e përgjegjësive për hapjen e rrugëve në të gjitha komunat e izoluara si kusht i të gjitha kushteve për shpëtimin e banorëve të kërcënuar. Problem janë orteqet por edhe çatitë, ndaj në emër të qeverisë duke shprehur solidaritetin më të madh banorëve me zona me probleme të mëdha, ju bëj thirrje në mënyrë të programuar se do bëjmë gjithçka për të parandaluar çdo kërcënim dhe humbje jete, duke shmangur rreziqet më eminente. Dhe një nga rreziqet janë shembja e çative nga sasitë e mëdha të dëborës. Shpall “gjendjen e fatkeqësisë” për komunat dhe zonat, me reshje të mëdha bore”- u shpreh kryeministri Berisha.
Gjendja e “fatkeqësisë natyrore”, do të thotë disbursim i fondeve për çdo komunë që të kontraktojë mjetet për hapjen e rrugëve brenda komunave. Në Kukës i gjeta kryetarët e komunave në lartësinë e detyrës dhe më garantuan se më këtë masë, ne me kapacitetet lokale, garantojmë kalueshmërinë e rrugëve të komune dhe fshatrave të tyre.

Nishani: Shtabi i Emergjencës, plan konkret për përballimin e situatës

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani deklaroi dje se falë operacioneve të Shtabit të Emergjencave, iu është ardhur në ndihmë dhjetëra banorëve të izoluar në zonat e Dibrës dhe Kukësit, ku ndër ta ka patur banorë me probleme shëndetësore, të moshuar, fëmijë dhe gra shtatzëna. “Shpëtimi i jetëve njerëzore ka qenë dhe mbetet objektivi parësor i shtabit të emergjencave. U organizuan jo vetëm ekipi i Ministrisë së Brendshme dhe helikopterët, duke bërë të mundur furnizimin me ushqime të disa fshatrave të Librazhdit, por edhe më tej në Dibër dhe Kukës. Në qarqet problematike janë në dispozicion 46 borëpastruese dhe 20 fadroma, të cilat kanë punuar për hapjen e akseve nacionale, ndërsa problematike kanë qenë rrugët dytësore. Forcat e Armatosura janë në dispozicion të plotë të qytetarëve. Çdo veprim bëhet në bazë të një plani të koordinuar nga shtabi i emergjencave, në bashkëpunim me prefekturat dhe komunat. Në drejtorinë e Emergjencave, funksionojnë 3 numra telefoni 24 orë, të cilët janë në dispozicion të çdo qytetari”- u shpreh Nishani. Sipas tij, rritja në një shkallë më lart e situatës së emergjencës, do bëjë të mundur reagimin më optimal ndaj kushteve të egra atmosferike. “Ne propozojmë që kjo situatë e ndërhyrjes, përgatitjes dhe veprimit të rritet në një shkallë më të lartë, të krijimit të situatës së emergjencës dhe ngritjen e komunitetit ndërministror. Deri më tani, i gjithë funksionimi i veprimeve operacionale të shtabit të Emergjencave, ka qenë efikas”- tha ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

Vasili: Kemi sasinë e duhur të medikamenteve për çdo rast emergjent

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili garantoi se ndihma mjekësore për banorët e prekur nga reshjet e dendura të dëborës, do jetë efikase në çdo rast. Sipas ministrit Vasili, medikamentet mjekësore nuk mungojnë, ndërsa theksoi se ndërhyrja emergjente nga autoritetet shëndetësore është bërë e mundur edhe në kushte shumë të vështira atmosferike. “Janë transportuar me helikopter të sëmurë si dhe janë shpërndarë paketa mjekësore. Ndihma e parë është dhënë edhe në shërbime ambulante, ku ekipet e mjekëve kanë qenë në kohë rekord në ndihmë të banorëve. Detyra jonë është të shpëtojmë çdo jetë njerëzore”- u shpreh ministri Vasili.

Akset nacionale, automjetet në Rrugën e Kombit do shoqërohen nga një autokolonë Policie

Disa prej akseve nacionale paraqesin rrezikshmëri si pasojë e bllokimit nga bora e dendur, por edhe nga ngricat e pranishme. Një ndër to është edhe autostrada Durrës – Kukës, segmenti që fillon nga Repsi e deri në Morinë. Për Rrugën e Kombit, kryeministri Berisha kërkoi vënien në dispozicion një autokolonë policie, për shoqërimin e automjeteve. Berisha kërkoi pezullimin e lëvizjeve për automjetet e tonazhit të rëndë në këtë segment të rëndësishëm rrugor. “Autostrada është e kalueshme, por ka zona të rrezikshme nga rënia e orteqeve. E rëndësishme është që të garantohet lëvizja në këtë segment, pasi është rruga e vetme për Kukësin, Tropojën dhe Hasin. Gjithashtu, Berisha kërkoi marrjen e masave për kontrollin e automjeteve që në disa akse të mos lëvizet pa zinxhirë si Dibër-Burrel-Tiranë, Pogradec-Korçë-Kapshticë, Kukës-Tiranë, etj,.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›