Osama Bin Laden dhe lidhja e tij me Shqipërinë
Osama Bin Laden, kryeterroristi i konfimruar i vdekur nga Pentagoni, duket se ka patur lidhje edhe me vendin tonë duke financuar shtrirjen e rrjetit të tij edhe në Shqipëri. Kohë më parë, u raportua se pas vitit 1990 Bin Laden ka qenë edhe në Shqipëri, megjithëse kjo tezë nuk është vërtetuar asnjëherë.
Pas sulmit në kullat binjake, Shqipëria u bë pjesë e koalicionit të Luftës kundër terrorizimit në botë. Vendi ynë iu bashkua të gjitha nismave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kishin të bënin me përpjekjet anti terror në mbarë globin. Në qershor të vitit 1998 në Tiranë u arrestuan dy shtetas egjiptianë, të cilësuar si të shumëkërkuar për terrorizëm.
Agjentë të CIA-s i dërguan ata në Kajro të Egjiptit ku u ekzekutuan me varje në sheshin qëndror, vetëm 24 orë pas mbërritjes në vendin e origjinës. Ata ishin dënuar me vdekje nga gjykata e Kajros për akte terroriste, një prej të cilëve kishte të bënte me atentatin ndaj kryeministrit të Egjiptit. Ashtu si edhe në rastet analoge, Al Kaeda dhe kreu i këtij rrjeti terrorist, Bin Laden publikuan një deklaratë ku thuhej se shumë shpejt ata do të hakmerreshin për "ngjarjen e Tiranës".
Më 7 gusht të vitit 1998u hodhën në erë ambasadat amerikane në Najrobi të Kenias dhe në Dar Es Salam të Tanzanisë. Për pasojë u vranë më shumë se 250 persona, shumica e të cilëve ishin amerikanë. SHBA reagoi ashpër pas kësaj situate dhe avionët amerikanë ndërmorën sulme në disa shtete arabe ku ndodheshin bazat e Al Kaedës.
Ky ishte një moment shumë delikat për Shqipërinë. Media e asaj kohe, por edhe në kujtimet e tij ish-presidenti Bill Klinton, bën publik informacionin se Al Kaeda kishte planifikuar hedhjen në erë të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Për herë të parë që nga koha kur ishte ndërtuar godina në rrugën e Elbasanit, një numër shumë i madh marinsash morën masa për ruajtjen dhe sigurinë maksimale të godinës.
Në atë kohë u shoqëruan edhe disa shqiptarë, ndërsa një prej tyre u arrestua si i dyshuar për lidhje me Al Kaedën dhe si pjesëtar i planit. Masat e sigurisë të mara nga autoritetet shqiptare konsistuan edhe në mbylljen e dhjetëra shoqatave fetare fantazëm, të cilat besohej se ishin qendra dhe derivate të Al Kaedës.
Gjithashtu u dëbuan nga Shqipëria dhjetra persona të dyshuar kryesisht qytetarë nga Arabia, Pakistani, Siria, etj. Që pas sulmeve në kuallat binjake në Amerikë, Shqipëria është pjesë e koalicionit botëror të luftës ndaj terrorizimit. Kjo ngjalli mjaft diskutime sidomos në Europë.
Kohë më parë, Departamenti amerikan i Thesarit deklaron se njeriu më i kërkuar në botë, Bin Laden, kishte financuar 600 000 dollarë për të ngritur në Shqipëri grupe ekstremiste, të cilat do të shërbenin për akte terroriste dhe që synonin konfliktet mes grupeve fetare. Një nga faktet per lidhjet dhe interesin e miliarderit saudit me Shqipërinë dolën kur Departamenti Amerikan i Thesarit nxori një urdhër për pasuritë e dr. Abdul Latif Saleh, i cili ka qenë i lidhur ngushtë me Bin Ladenin, dhe është dëbuar nga Shqipëria, pas dyshimeve si anëtar i "grupit radikal islamik Xhihad".
Gjithashtu, SHBA ka vlerësuar se "Saleh ka qënë shumë i lidhur me një numër organizatash joqeveritare në Shqipëri, me degëzime të Xhihadit Islamik Egjiptian, një organizatë terroriste e lidhur me Al-Kaedën. Në dosjen amerikane për elementët terroriste ka rezultuar se Abdul Latif Saleh themeloi dhe kontrolloi një grup xhihadist shqiptar, i financuar nga Fondacioni "Al Haramain", një organizatë joqeveritare e lidhur me "Al-Kaidan", e drejtuar nga Bin Laden. Saleh raportohet të ketë qenë edhe personi që ndihmoi dyshtetasit egjiptianë të vinin në Shqipëri, të paktën kështu thuhet në dosjen e Departamentit amerikan të Thesarit.