E Diel, 1 Nëntor 2026

Oskar Luixhi Skalfaro - presidenti që mbrojti institucionet

30-01-2012 / Nga Ilirian Dahri

Ndoshta Oskar Luigji Skalfaro ishte presidenti i duhur për Italinë e atyre viteve. Më 23 maj 1992,  kishte ndodhur atentati mafioz i Kapaçit jo shumë larg qytetit të Palermos ku Xhovani Falkone, gruaja e tij Françeska Morvillo dhe tre agjentë shoqërues të tyre humbën jetën. Pikërisht në ato ditë qyteti i Palermos ndihej si i rrethuar nga terrori dhe frika. Ndihej një revoltë e vakët e qytetarëve por shumica e palermitanëve i druhej komentimeve në vende publike mbi atentatin mafioz. Nisur edhe nga kjo situatë në të gjitha rrugët kryesore të qytetit ishin ngritur postoblloqe. Ushtria italiane, karabinierët dhe policia ishin kudo, në rrugën Makueda, në Bulevardin e Shkencave që shpinte drejt ndërtesave kryesore të Universitetit të Palermos, në  Mondello, rrugës për në Kasteldaçia, asaj që të shpinte drejt Termini Imeresit, drejt Mesinës dhe Katanias. Natyrisht 500 kilogramët e tritolit të vendosur në autostradën që lidhte aeroportin e quajtur deri në atë moment Punta Raisi (sot quhet pikërisht Aeroporti Falkoone – Borsellino) me qytetin e Palermos nuk kishin vrarë vetëm Falkonen por kishin plagosur një qytet madje një shtet të tërë. Por në burgun e Uçardones në Palermo të burgosurit mafiozë kishin festuar atentatin dhe vrasjen e Falkones siç do të bënin më vonë edhe me vrasjen e Borsellinos që u vra pak a shumë me një atentat spektakolar gjithmonë me anë të një telekomande që hidhte në erë gjithçka. Fill pas atentatit mafioz të Kapaçit president  i Italisë u zgjodh Oskar Luigji Skalfaro. Një njeri që sipas shumë politikanëve italianë ka qenë një protagonist i jetës politike demokratike në vitet e Italisë republikane, një shembull i integritetit moral. Një njeri që ka qenë i identifikuar me Parlamentin. Ndërsa sipas  presidentit të Senatit italian, Renato Skifani Skalfaro “ka mishëruar dhe paraqet qytetarët e sotëm dhe të djesëm një imazh të Republikës që të gjithë kërkojmë ta mbajmë me besnikëri”. Kujtojmë sot atentatin mafioz të Kapaçit frikën dhe terrorin e qytetarëve të Palermos, kohën kur shteti paralel kërkonte të vriste duke ja arritur qëllimit një funksionar të shtetit, siç ishte Falkone, sepse një tjetër fuksionar i lartë  i shtetit italian “na ka lënë”. “Me një buzëqeshje na ka lënë presidenti Skalffaro, një njeri i madh” – kështu është dhënë lajmi i parë për vdekjen e ish – presidentit Oskar Luigji Skalfaro, në Tëitter. Një lajm që u dha në orën 08:07 nga A.Gambino, një jurist që ka qenë edhe bashkëpunëtor i presidentit Skalfaro.  Buzëqeshjen e fundit presidenti e bëri në banesën e tij në Romë dhe funerali do të bëhët në formë private të hënën në një kishë Shën Mëria e Trasteveres në qendër të Romës në orën 14:00. I lindur në Novara më 9 shtator 1918, u diplomua në Drejtësi në vitin  1941. Kreu i shtetit italian nga viti 1992 në 1999 dhe përpara saj ka qenë pa ndërprerje deputet përgjatë të gjithë historisë republikane, që prej parlamentit të parë në 1948. Ministër për një kohë të gjatë, por nuk ka qenë zgjedhur asnjëherë si president i Këshillit të Ministrave të Italisë. Ndërsa Xhanfranko Fini është shprehur se: «Ka luftuar gjatë gjithë jetës për idealet në të cilat besonte për një Itali gjithmonë dhe më të fortë, demokratike dhe të bashkuar” për të vazhduar se”ka qenë gjithmonë i angazhuar për të forcuar Republikën e formuar në Kartën kushtetuese të cilën e mbronte deri në fund”. Dikush në Shqipëri ka folur për një origjinë shqiptare të ish – presidentit Skalfaro ndoshta duke marrë shkas nga mbiemrat italianë që fillojnë me Sca. Nga Scanderbeg tek Scalfaro gjithsesi rruga është e gjatë. E vërteta është se Presidenti Skalfaro e quante veten një “kalabro – piemontez” për hir të origjinës së tij. Ishte një person që i pëlqente të shëtiste në qytet dhe hera - herës në breg të detit.  Demokristian sipas “armiqve” të tij kërkonte të mbronte Kartën, të respektonte ligjin dhe Parlamentin. Hyri në krizë me Berluskonin dhe fill pas kësaj lindi dhe qeveria Dini. Respektonte dhe mbronte interesat e Kishës po në të njëjtën kohë kërkonte që Italia të ishte një shtet laik. Kur Berluskoni ishte president i Këshillit të Ministrave nuk e thërriste kurrë në emër por gjithmonë “President i Këshillit”. Një njeri që nuk i mungonte kurrë respekti institucional. Në vitin 1995 Sali Berisha do të kryente vizitën e tij në Romë, vetëm një vit më vonë Oskar Luixhi Skalfaro, do të vizitonte Tiranën duke premtuar se do të vazhdonte të mbështeste rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›