“Të ndalet loja politike, opozita të votojë ligjet me 3/5”

Deklarata e zëdhënësit të komisionerit Stefan Fule
“Është ende herët për të komentuar zgjedhjen e Presidentit, më parë të dy krahët politik duhet të realizojnë detyrat e ngarkuara nga Brukseli”.
Ky ishte mesazhi i dhënë dje nga Komisioni Evropian, përmes zëdhënësit të Komisionerit për Zgjerimin Peter Stano.
I pyetur në lidhje me zgjedhjen e Presidentit që pritet të kryhet gjatë këtij viti Stano ka shtuar se, për momentin nuk është kjo gjëja më e rëndësishme për Shqipërinë, por është zbatimi i marrëveshjes politike të nëntorit 2011. “Është shumë herët për të komentuar mbi këtë temë. Për momentin çfarë është e rëndësishme për Shqipërinë është që të përqendrohet në zbatimin e plotë të marrëveshjes politike të nëntor 2011, duke përfshirë finalizimin e reformës zgjedhore dhe duke modifikuar rregullat e Parlamentit për procedurën dhe vazhdimin për miratimin e ligjeve të tjera pritet të kërkohet votim me shumicë të cilësuar”, shpreh Zëdhënësi i Komisionerit të Zgjerimit Stefan Fyle.
Gjithashtu, Peter Stano ka përmendur dhe punën që i duhet Shqipërisë për të merituar statusin e vendit kandidat gjatë vitit 2012. Ai ka theksuar se Shqipëria është e vetëdijshëm për atë që duhet bërë me qëllim për të ecur përpara drejt BE-së.
“Vendi është i vetëdijshëm për atë që duhet bërë me qëllim për të ecur përpara drejt BE-së. Komisioni është i gatshëm të bëjë pjesën e tij, duke ofruar asistencë dhe duke përgatitur një vlerësim objektiv të progresit të Shqipërisë në kuadër të masave që duhet të miratohen nga Këshilli, pasi siç dihet statusin e vendit kandidat jepet nga Këshilli Evropian. Sigurisht progresi i Shqipërisë drejt BE-së do të përcaktohet nga ritmi i implementimit të reformave të nevojshme”, tha Stano.