Oskari i këtij viti është bardh-e-zi
Nga Koloreto Cukali
Oskarët, nuk janë thjesht punë filmash. Prej vitesh, ajo natë sjell atë miksin xixëllues ku milionat e industrisë më luksoze luksoze se mund të të bëjë të pasur e të famshëm me një të mbyllur syri (thonë se njeriu pulit qepallat 4,200,000 herë në një vit) përzjehen me të ftuarit supervipa, me modën që parakalon mbi qilimin e kuq, kush ka veshur çfarë, me thashethemet e kujt vjen i shoqëruar me kë, me shfaqjen e ndërtuar mbi humorin e batutat, me të ftuarit, që thonë përherë gjëra aq të zgjuara saqë… Prapë ata? Siç tha dhe Meryl Streep ndërsa merrte Oskarin, pas nja 17 kandidimesh, më duket se i dëgjoj njerëzit në tërë Amerikën që thonë: Kjo? Prapë? Ehu!
Vërtet, duket sikur përsëritet e njëjta skenë çdo vit. Të njëjtat fytyra të nominuara, batutat ndryshojnë, fustanet ndjekin modën, dhe ajo që zhvillohet poshtë tyre është lufta e kompanive të mëdha të Hollivudit për të lobuar vota, për të marrë Oskarë, e për të shitur sa më shumë bileta. Megjithatë, këtë vit, diçka qe më ndryshe. Duke nisur nga gëlvozhga: Oskarët u zhvilluan në
Hollywood dhe Highland Center në Hollywood Boulevard që është e njëjta ndërtesë ku zhvillohehsin për vit, por e njohur deri pak kohë më parë si Kodak Theater. Emri i ndërtesës “Kodak” u hoq pa shumë ceremoni këtë vit, përderisa sponsori i saj Eastman Kodak falimentoi. Duket sikur kjo lëvizje tregoi që kohët kanë ndryshuar, koha dixhitale ka ardhur dhe gjithnjë e më shumë kineastët xhirojnë me dixhital, e jo me film.
Tjetra, tek Oskarët e këtij viti, beteja u zhvillua mes dy filmash që në të vërtetë janë një tribut ndaj kinemasë, Artist dhe Hugo, dhe ku secili fitoi nga 5 statuja. Statujat e Artist-it vlejnë më shumë (regjia, filmi më i mirë e aktori më i mirë), ndërsa Hugo, një film që nuk e piratojmë dot por duhet të lusim perëndinë që ta sjellin në sallat tona 3D, mori kryesisht statujat e teknikës (zërin, efektet).
Jam kurioz të shoh nëse filmi Artist, do arrijë të bëjë atë që është një nga cilësitë e Oskarit, të devijojë vëmendjen në një terren të ri. Disa filma më parë e kanë bërë:Slumdog Millionaire e drejtoi vëmendjen tekIndia,La vita e bella, tek sakrificat e baballarëve. Ndoshta, pas Artist-it regjizorët do i rikthehen magjisë së bardh-e-zisë e mbase edhe filmave pa zë, por, që kjo të ndodhë kjo, duhet që publiku të dojë. Industria globale e filmave limonatë e ka shkatërruar aq shumë shijen e publikut botëror, saqë, pavarësisht 5 Oskarëve, mundet që Artist të mos mbledhë dot shumë shikues në sallat e kinemave. Si një industri që mbijeton prej fitimeve në kinema, ajo është e tëra në dorën e publikut. Dhe, kam frikë që publiku ka dalë tashmë dore.