Statusi, Rama: Për faj të qeverisë mund të turpërohemi për të tretën herë
Opozita i ka përmbushur angazhimet e saj në punën për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, por maxhoranca po zvarrit punën duke rrezikuar kështu për të tretin vit statusin e vendit kandidat.
Në mbledhjen e sotme të grupit të deputetëve të PS, kryesocialisti Rama u shpreh se opozita ka marrë përgëzimet e trojkës së ambasadorëve për angazhimin në punën e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare.
Por ky është një fakt i pamjaftueshëm për tu gëzuar. Opozita po bën gjithçka mundet dhe për këtë po merr vlerësimin nga komuniteti ndërkombëtar. Ne jemi të shqetësuar që mosshfrytëzimi me rentabilitet i kohës dhe shtyrja e afatit mund të dëmtojnë procesin e implementimit të reformës. Ne kemi përcaktuar me largpamësi mekanizmat që do të ndalojnë përsëritjen e vjedhjes së votës. Ne duam që këto mekanizma të përfshihen në ligj, por kryeministri preferon mbajtjen e të njëjtit sistem administrimi ku ka mundur të mbjellë e të kultivojë vjedhjen e votës, tha Rama.
Kreu i selisë rozë theksoi se mosplotësimi i prioritetit të prioriteteve, siç e cilëson BE refomën zgjedhore, do të rrezikojë për herë të tretë marrjen e statusit të vendit kandidat, kjo për faj të qeverisë Berisha.
Për faj të qeverisë mund të turpërohemi për të tretën herë. Statusi është interes kombëtar dhe nuk mund të tradhëtohet për asnjë interes partiak apo personal. Ne do të vazhdojmë me angazhim të plotë kryerjen e çdo detyre. Berisha po përpiqet të fshihet duke i hedhur fajin opozitës, tha ai. / G. Ndoja